Informaliteti, ekspertët: Strategjia e qeverisë është aksion dhe jo reformë, rrugë e gabuar

Shares

Ndërsa qeveria ka filluar me hap gjigand luftën kundër biznesit shqiptar duke zgjedhur rrugën e penalizimit kundër informalitetit, ekspertët e quajnë rrugën  e qeverisë jo të drejtë, një aksion dhe jo reformë.
Arben Malaj tha se ky aksion i qeverisë nuk do të japë rezultate të qëndrueshme dhe do të dështojë. 
“Nëse strategjia e Qeverisë për ta reduktuar ekonominë informale ka në fokus, ose si instrument kryesor thjesht dhe vetëm penalizimin, atëherë ai ngjan më shumë me një aksion, sesa një reformë. Si i tillë nuk do të ketë rezultatet që priten dhe rezultate të qëndrueshme, por do të dështojë”- u shpreh Malaj.
Po ashtu, eksperti i ekonomisë Zef Preçi, thotë se mënyra se si qeveria do të luftojë informalitetin rrit rrezikun që forca ndëshkuese e ligjit të bjerë tek bizneset e vogla, dhe jo tek bizneset “oligarke”. 
“Evazioni nuk duhet kërkuar , sipas meje, te shitësit e rrugës apo tek ajo pjesë e biznesit të vogël që del jashtë Tiranës, s’të japin fatura etj., që është realitet, por duhet kërkuar mbi të gjitha te kompanitë e mëdha vendase dhe të huaja, të cilat përdorin fuqinë e ligjit, ndikimin dhe përfaqësimin politik për të mbrojtur interesat e tyre dhe për fitime të paligjshme përmes faturave fiktive dhe formave të tjera”,- theksoi Preçi.
Në vlerësimin që Preçi i bën vendimit të qeverisë për të luftuar informalitetin, ai sugjeron më parë duhej përmirësuar kuadri ligjor dhe ai institucional, e më pas të ndërmerreshin hapa e duhur për të reduktuar informailtetin, një hap që është jetik për ekonominë kombëtare.
“Kjo besoj se realizohet përmes bashkimit të administratës tatimore dhe asaj doganore, sepse studime të ndryshme tregojnë se humbja, në kuptimin e grabitjes së taksave apo fshehjes së taksave dhe evazionit në tërësi, ndodh pikërisht në momentin e kalimit nga jashtë-brenda, pra nga doganat në tatimet dhe taksat”-tha Preçi.
Ndërsa Malaj, thotë se çdo aksion që synon rezultate afatshkurtra mbi politika penalizuese e rrit këtë fenomen dhe nuk e redukton atë.
 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...