Kreu i Shtetit, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani priti sot në një takim Komandantin e ri të Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Vladimir Avdiaj të cilit i dorëzoi dekretin e emërimit në detyrë. Të pranishëm ishin Gjeneral Major Jeronim Bazo, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe pjesëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vlerësoi në mënyrë të veçantë arritjen madhore të vendit, anëtarësimin në NATO, si një nga sukseset kulmore të Shqipërisë, duke theksuar se qënia vend anëtar i NATO-s sjell në vijimësi nevojën për rritjen e standardeve të Forcave të Armatosura për t’u përballur me sukses jo vetëm me sfidat e brendshme, por dhe me ato në nivel global.
Presidenti Nishani theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm do të vijojë të ketë në qendër të vëmendjes vlerësimin dhe mbështetjen pa rezerva ndaj Forcave të Armatosura duke theksuar angazhimin e Tij për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen sot ato.
Njëkohësisht, në vlerësimin e Kreut të Shtetit mbetet e nevojshme që këto sfida të adresohen me buxhetin e nevojshëm në mënyrë që të arrihen dhe forcohen standardet e arritura, si dhe të ballafaqohen me sukses ato që shfaqen në vijimësi, qoftë në rrafshin civil apo dhe atë ushtarak duke nënvizuar faktin se siguria mbetet gjithnjë e kërcënuar.

/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












