Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ndërkohë që vendi varfërohet dhe qytetarët shqiptarë vuajnë për bukën e gojës nuk ofron zgjidhje. Pas daljes së kryeministrit, i cili paralajmëroi nisjen e aksionit kundër informalitetit të bizneseve, Basha tha se Rama nuk gjeti mundësinë të merrte përgjegjësinë për 160 milionë dollarë të vjedhura në tatime dhe sipas tij kërkon të mbushë këtë gropë financiare duke goditur biznesin e vogël.
“Barra e rëndë që Edi Rama vendosi mbi bizneset ka sjellë falimentimin e tyre. Ne e paralajmëruam, nuk u mjaftuam me denoncimin e përkeqësimit të situatës, por çuam edhe amendamente në parlament. Biznesi i vogël dhe i mesëm është para dy alternativave ose të mbushë xhepat e zyrtarëve me ryshfet ose ti vendosë drynin biznesit”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se “zhvatja e biznesit është në nivele alarmante”, ndërsa kryeministri nuk reflekton dhe i mungon vullneti për të goditur korrupsionin.
Basha tha se Rama është peng i klaneve kriminale me të cilat qeveris duke shtuar se Partia Demokratike ka zgjidhje për këtë situatë.
“Edi Ramës nuk ja ndjen, ndaj Edi Rama nuk ka zgjidhje. Ai është peng i klaneve kriminale me të cilat qeveris. Çdo masë në këto kushte në kurriz të masës së shqiptarëve të pamundur. Edi Rama nuk ka zgjidhje, nuk ka vullnet. Por PD dhe unë jemi pranë çdo shqiptari. Ne e kuptojmë situatën, gjendjen e biznesit të vogël. Ne kemi një plan, kemi vendosmërinë që këtë plan ta kthejmë në zgjidhje për qytetarët shqiptarë. Pastrimin e menjëhershëm të qeverisë nga krimi, vendosjen e taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan”, tha Basha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












