Albert Vërria një prej personazheve më të njohur të kinematografisë shqiptare ka mbyllur sytë përgjithmonë dje në moshën 79-të vjeçare. Aktori prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Me një jetë kushtuar filmit, Vërria do të kujtohet për një galeri të madhe rolesh që do të mbesin në kujtesën e historisë së kinemasë sonë.
Ai lindi në Fier më 3 shtator të vitit 1936. Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore punoi si zooteknik në vitet 1956 – 1959. Më pas studion për aktor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963).
Roli i tij i parë në kinema ka qenë në filmin “Përse bie kjo daulle” e regjisorit Pirro Milkani më 1969, ku interpreton rolin e pijanecit. Një vit më vonë ai do të interpretojë Xha Aliun te filmi “I teti në bronz”.

Në role të tjera ai ka spikatur në filmat “Historiani dhe kameleonët” më 1988, “Trapi i vjetër” 2005, “Misioni përtej detit”, “Rrethimi i vogël”, “Koncert në vitin 1936”, “Nga mesi i errësirës”, etj.
Mes komikes dhe dramatikes, rolet e krijuara nga Vërria janë kthyer në role që janë përqafuar shpejt nga publiku.
Disa vite më parë aktori hapi një ekspozitë me foto nga interpretime në filma të ndryshëm. Vërria mbante titullin “Artist i Popullit”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












