Basha: Pranojmë defekte pa kompleksitet, hajdutët dhe zuzarët po shkatërrojnë rininë në gen

Shares
Foto Ilustruese

Lulzim Basha pranoi sot se do të njohë çdo rezultat në lidhje me zgjedhjet e 21 qershorit, ndërsa theksoi se atje ku ka defekte nga ana e PD-së do ti pranojë pa kompleks.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, kreu i PD-së deklaroi se zgjedhjet e 21 qershorit nuk ishin të ligjshme dhe të ndershme. Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se fakte të shti-blerjes së votës po publikohen çdo ditë nga qytetarët, ndërsa ai theksoi se dëshmitarë janë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Sipas Bashës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë dhe përbejnë shqetësim, sikurse shqetësim janë bërë edhe përpjekjet për shkatërrimin e rinisë në gen.
“Marrëzia e horrave dhe zuzarëve të Edi Ramës e Metës nuk është mjaftuar me banda. Kanë shkuar deri aty sa të joshin fëmijët, dhe të vjedhin kartat e identitet prindërve të tyre. Ka pasur nga ata që kanë marrë dhuratë përgjigjet e provimeve të maturës, apo dhe notën. Hajdutët dhe zuzarët e 21 qershorit, kanë bërë një inxhinjerim social të prishjes së të rinjve, me modelin e ‘vidh dhe mashtro se kështu do ecësh para’. Se çfarë po prodhojnë dhe do të prodhojnë këto zgjedhje po e lexojmë qartë me dyshen Rama Meta”, tha Basha.
Kreu i PD-së u ndal edhe te projekti i ri për Parkun e Tiranës, ku akuzoi kryeministrin Rama se mbajti të fshehtë para fushatës konkursin.
Basha u ndal edhe te ekonomia, ndërsa pohoi se qeveria është futur në borxh dhe nuk mbledh të ardhurat.

Fjala e plotë e Lulzim Bashës në mbledhjen  grupit parlamentar të PD-së

“Se çfarë ishin zgjedhjet vendore të 21 qershorit e ka thënë më qartë sa nuk bëhet  raporti paraprak i OSBE/ODHIR: Zgjedhje që minuan besimin e publikut në integritetin e gjithë sistemit.
Konkluzione të tilla zakonisht  jepen në raportin përfundimtar. Por është e qartë se kaq e rëndë dhe tronditëse ka qenë pesha e provave  të krimit elektoral, kaq  tronditëse e vërteta që kanë  parë  me sy e dëgjuar me veshë  vëzhguesit e huaj,  para dhe gjatë ditës së votimit, sa nuk kanë  pritur të kalojnë dy muaj për t’i vënë vulën. Nuk ka dyshim se tabloja e dhunimeve, parregullsive, shkeljeve dhe manipulimeve do pasqyrohet edhe më e plotë.
Evidentimi i tyre po del me forcë në dritën e diellit çdo ditë, falë edhe kurajës denoncuese të qytetarëve të cilët po dëshmojnë për akte rrëqethëse të cilat kanë goditur në themel jo vetëm zgjedhjet por vetë modelin e shoqërisë dhe të familjes.
Marrëzia e horrave dhe zuzarëve të Ilir Metës dhe Edi Ramës nuk është mjaftuar, me presione, kërcënime, banda dhe blerje votash. Kanë shkuar deri aty sa të detyrojnë apo joshin fëmijët të vjedhin kartat e identitetit të  prindërve. Dhjetëra raportime konkrete kanë mbërritur e janë dokumentuar mbi maturantë që kanë refuzuar presionin për të mbështetur kandidatët e qeverisë dhe janë ndëshkuar ndërsa të tjerë që kanë pranuar kanë marrë për dhuratë përgjigjet e provimeve apo nota të pamerituara.
Kjo shkon përtej krimit elektoral të 21 qershorit. Kjo është një gjëmë e madhe për çdo prind, për çdo familjar për çdo të ri dhe të re. Hajdutët dhe zuzarët e zgjedhjeve të 21 qershorit kanë inaguruar kështu një proces horror të inxhinjerimit social apo prishjes që në gen të brezit të ri sipas vetë modelit të tyre të monstrave. Çfarë modeli i ofrojnë këta të rinjve? Vidh dhe mashtro se vetëm kështu do të bësh përpara. Kjo është ngritja në kult e krimit dhe korrupsionit, kjo është shpallja ceremoniale e republikës së krimit dhe korrupsionit, marshi funebër i shtetit ligjor dhe i vlerave si themeli i individit, familjes dhe  shoqërisë.
Se çfarë po prodhojnë e do të prodhojnë  këto zgjedhje po e lexojmë po aq qartë, në  qëndrimet, vendimet, aktet dhe gjestet post-zgjedhore të dyshes Rama-Meta. Akti më domethënës, është pseudo-konkursi i Ramës për projektin e hyrjes në parkun e Liqenit të Tiranës, një projekt tipik i modelit të tij të vjetër të  betonizmit, i shpërfilljes dhe nëpërkëmbjes së qytetarëve, për llogari të  interesave klienteliste.
Nuk ka ndodhur kurrë që një projekt i tillë t’i mbahej i fshehtë publikut në fushatën e porsa mbyllur  elektorale. Nuk ka ndodhur që projekti i mbajtur i fshehtë të nxirret nga sirtari, të shpallet dhe të lançohet pa përfunduar akoma procesi zgjedhor, pa bërë dorëzimet kryebashkiaku në detyrë dhe pa marrë detyrën kryebashkiaku i ri dhe para çdo projekti tjetër të premtuar në fushatë nga ai.
Në këtë hapësirë të kalimit të pushteteve u fut Edi Rama me makutërinë, pabesinë  dhe shpërfilljen e tij  ndaj zgjedhësve të kryeqytetit. U fut për interesat korruptive dhe klinteliste që diktojnë agjendën e tij; u fut për të konfirmuar me brutalitet diçka që ne e dimë, por duhet ta dinë edhe atë që nuk e kanë ditur:
Se ky njeri ndihet dhe mbahet sot padroni i gjithë pushteteve në Shqipëri bashkë me ortakun Meta. Se është ai, Rama, kryetari i vërtetë i bashkisë  së Tiranës dhe gjithë bashkive socialiste, sikurse është Meta kryetari i bashkive të fituara nga LSI. Se dyshja të tjera thotë e të tjera bën, flak atë që premton dhe bën të kundërtën e  saj, ashtu siç ka bërë edhe pas zgjedhjeve politike të vitit 2013 kur tjetër premtoi e tjetër bëri.
‘Kush pyet për premtimet! Ato ishin për fushatë’! Ky është refreni i talljes me qytetarët. Refreni i përqeshjes së qytetarëve, që dyshja Rama-Meta pretendon se e ka vulosur me votën e shumicës së qytetarëve.
Në fakt ky është refreni i poshtërimit të qytetarëve, i shkatërrimit të  zgjedhjeve, i zgjedhjeve fasadë, përderisa rezultatin e vendosin  kërcënimet, shitblerja masive  e votës, mbushja e kutiveve, dhuna e  pushtetit dhe  bandave kriminale të lidhura  me të.
Ne jemi të qartë e të vetëdijshëm për damkën që kanë shënuar dhe situatën e  rrezikshme që kanë krijuar në vend zgjedhjet  jo të lira dhe jo të ndershme të  21 qershorit.
Arrogancë në rritje, kriminalizim në rritje me Bushët dhe Rroshët në bash të sofrës kryeministrore të kapjes së pushtetit vendor, paligjshmëri si asnjëherë tjetër, korrupsion të shkallës më të lartë, kontrabandë dhe evazion galopant në gjithë sistemin e doganave dhe tatimeve, rikuperim dhe shumëfishim të parave që u hodhën për blerjen masive të votës në fushata. Për këtë i rrethuan dhe i kapën zgjedhjet me të gjitha format.
Çfarë po ndodh me tatimet dhe doganat në Shqipëri? Mbi  150 milion dollarë  ka shkuar mosrealizimi  i të ardhurave të planifikuara për  gjysmën e parë të vitit.
Taksat, janë rritur, akcizat janë rritur. Atëherë ku janë paratë, pse mungojnë  paratë në arkën e  shtetit, ku shkojnë, kush i vjedh këto para? Me dhjetëra herë e kemi denoncuar këtë situatë të jashtëzakonshme në tatime dhe dogana. Me dhjetëra herë i kemi kërkuar Edi Ramës tu shpjegojë shqiptarëve, opozitës dhe partnerëve  ndërkombëtarë  pse kjo rënie në pikiatë e të ardhurave në tatime dhe dogana, ndërkohë  që taksat janë rritur.
Ku janë pra, ku shkojnë paratë e munguara?
Asnjë përgjigje, as sa për të larë gojën, asnjëherë, si të mos e kem pyetur për financat e  publikut, por për një çështje private për të  cilin zotëria nuk begenis të përgjigjet.
Edi Rama as ka  bërë, as do të bëjë kurrë transparencë për paratë  e munguara nga tatimet dhe doganat. Sepse ato para vidhen. Sepse në dogana dhe tatime ka plasur hajdutëria si kurë më parë. Sepse është  vetë ai arkitekti i politikave  dhe emërimeve që favorizojnë kontrabandën dhe evazionin e shekullit në këto sektorë. Sepse është vetë në krye të kupolës që përfiton nga rrjedhja e parave jashtë sistemit legal, para që në një masë  të caktuar u përdorën për të  blerë vota dhe  influencuar në zgjedhje. 
Shembulli i cigares flet qartë. Rreth 800 ton cigare më pak se mesatarja vjetore janë zhdoganuar që nga fillimi i këtij viti. Që do të thotë gjysma e sasisë që  importohet  ka hyrë kontrabandë. Pesëdhjetë milion dollarë mungojnë në arkën e shteti vetëm nga  cigarja kontrabandë e  këtyre gjashtë muajve. Beson kush në Shqipëri se gjysma e  duhanpirësve kanë lënë cigaren këto gjashtë muaj? Ka njeri me dy para mend që të besojë se  një kontrabandë kaq e madhe, gjigandeske, mund të bëhet, pa bekimin dhe pjesëmarrjen e autoriteteve  më të larta të qeverisë?
Tatimet dhe doganat janë një histori e pastër kriminale e kontrabandës dhe evazionit  të  kontrolluar nga  një kastë në krye të pushtetit.
Prokuroria duhet të hetojë për këto krime të përbindshme që shkatërrojnë ekonominë kombëtare, zgjedhjet dhe demokracinë.
Punonjësit e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm të këtyre sektorëve kyçë duhet të reagojnë me kurajo qytetare kundër marrjes peng të sistemit nga një grusht drejtuesish dhe super-hajdutësh, kundër paligjshmërisë në çdo formë që të shfaqet.
Opozita do të thërrasë me urgjencë para Komisionit Të Ekonomisë dhe Financave ish drejtorin e hetimit tatimor dhe çdo zyrtar tjetër që ka dijeni për aferat marramendëse që provokuan edhe dorëheqjen e tij.
Miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, që asistojnë stabilitetin ekonomik dhe politik të  vendit, duhet të njihen më të vërtetën dhe të  veprojnë për të frenuar pa përgjegjshmërinë e një qeverie që  futet pa pushim në borxhe, por nuk mbledh të ardhurat e planifikuara.
Opinioni publik, pensionistët, punonjësit e administratës publike, qytetarët  në tërësi duhet të  kuptojnë se përse  pensionet  nuk janë rritur këto dy vjet dhe përse rrogat jo nuk janë rritur por  janë ulur në vlerë reale për shkak të taksave dhe çmimeve të larta.
Kjo ka ndodhur sepse një lumë parash  i taksapaguesve që duhet të shkonin në arkën e shtetit  vidhen nga dyshja Rama-Meta dhe klientela e tyre e në vend që të kthehen në rritje rrogash e pensionesh, rritje ndihme për familjet në nevojë, shkolla dhe shërbim shëndetësor, kthehen në pasuri për qeveritarët e korruptuar, në vila, rezidenca, saraje, fabrika, miniera, llogari bankare, dhe luks të shfrenuar.
Kjo është e vërteta e hidhur.
Njëqind e pesëdhjetë milion dollarë vetëm gjatë këtyre gjashtë muajve.
Pesëdhjetë milion dollarë vetëm nga kontrabanda e cigareve.
Opozita është marrë dhe  do të merret akoma më fort me  këtë çështje madhore për ekonominë dhe demokracinë. Nuk mund të çlirohen zgjedhjet pa çliruar tatimet dhe doganat nga kontrabanda dhe evazioni i planifikuar. Krimi i kontrabandës dhe evazionit  përmbyllet  në krimin zgjedhor të  blerjes së votës për të vijuar sërish  nga e para.
Tani është  bërë e qartë se Rama nuk  i bën për të promovuar në drejtim vajza dhe gra të zonja, por për  të pasur në krye të sektorëve kyçe  të parasë publike marioneta.
Nga të dhënat tona, qeveria po përgatit një projektligj për uljen e të ardhurave të planifikuara nga doganat dhe tatimet për pjesën e dytë të vitit, sepse deficiti  në raport me planin në fuqi  pritet të jetë edhe më i madh se 150 milion dollarë në gjashtëmujorin e dytë.
Ulja do të tentojë të përligjë evazionin dhe vjedhjen. Doganat do të realizojnë planin e ulur, vjedhja do të legalizohet me kartonët e deputetëve të shumicës, ekonomia do të shkojë poshtë e më poshtë, përkeqësimi dhe varfëria do të rriten e thellohen.
Nëse vjen, do të jetë një projektligj kriminal,  të cilit grupi ynë parlamentar do ti bejë opozitën dhe gjyqin më shembullor në Kuvend.
Zonja dhe zotërinj,
Dekriminalizimi,  lufta  pa kompromis kundër korrupsionit që është  gangrena e qeverisjes  Rama-Meta, ringritja e  zgjedhjeve të lira e të ndershme që u goditen  rëndë kësaj radhe  janë tre beteja  jetike për opozitën, për demokracinë, për të  sotmen dhe të ardhmen e  shqiptarëve.
Është detyra jonë t’i shndërrojmë në beteja të mbarë shoqërisë, t’i udhëheqim, t’i çojmë përpara drejt finalizimit me sukses në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Europian.
Unë kam kënaqësinë  t’ju  bej me dije ju dhe mbarë qytetarëve shqiptarë  se  mbështetja ndërkombëtare ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës për këto kauza  është më e madhe se kurrë.  Në takimet e shumta dhe intensive që kam zhvilluar këto javë në Bruksel, Vjenë dhe Tiranë me përfaqësuesit e lartë të komunitetit Euro Atlantik kam marrë garancitë më të forta për mbështetjen e kauzës dhe betejave tona për zgjedhje të lira dhe të ndershme si themel i demokracisë, për shtetin ligjor dhe standardin e ligjit të barabartë për këdo, për luftën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.
Po, do të shohim brenda vetes,  do të dalim në përfundime realiste për rezultatin e çdo kutie, do të njohim pa asnjë kompleks  te metat dhe defektet, do të marrim masa për t’u korrigjuar aty ku nevojitet, do të ndërtojmë programe të  plota zhvillimi,  do të frymëzojmë zgjimin e  një ere të re për demokracinë në vend, do të jemi kritikë dhe konstruktivë.
Por askush nuk duhet të ketë iluzionin  me të vogël se duke parë brenda vetes  nuk do të shohim  jashtë vetes, nuk do të përmbushim orë e çast detyrën  tonë publike dhe kombëtare si opozitë e fortë, alternativë gjithnjë e më e pjekur dhe më e sigurt shpresë për vendin. Janë ditë të pazakonshme.
Mashtrimet, kriminalizmi dhe korrupsioni qeveritar pretendojnë se janë legalizuar me votën e shumicës së qytetarëve.  Kjo nuk mund të ndodhë  në zgjedhje të lira.
Por mund të imponohet në zgjedhje të kapura si këto  të 21 qershorit. Vetëm përkohësisht.
Sepse ne jemi më të vendosur se kurrë, dhe të bindur se bashkë me qytetarët do ta flakim  zgjedhën e regjimit oligarkik të Edi Ramës dhe Ilir Metës.  Pushteti i vjedhur apo i blerë nuk ka të ardhme.
Ju faleminderit”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...