Edhe pse shenjat e gishtërinjve të tij përputhen me ato të një vrasësi të shpallur në kërkim, një shqiptar emigrant në Britani nuk mund të ekstradohet pasi përshkrimi i tij është i ndryshëm nga ai i vrasësit, shkruan “shqiptarja.com”.
Aleks Kola, 34 vjeç, u arrestua në korrik të vitit 2013 në Northampton për një aksident të vogël. Pasi iu morën shenjat e gishtërinjve rezultoi se, ato përputheshin me të gangsterit Lekë Prendi, i cili kërkohet nga autoritetet në Tiranë për një vrasje brutale të një prifti të kryer në vitin 2000.
Kola këmbëngul që ky është një gabim identiteti dhe kur gjykata miratoi ekstradimin e tij, 34-vjeçari e apeloi vendimin duke argumentuar se nuk kishte asnjë të përbashkët me të kërkuarin. Tashmë, Gjykata e Lartë e ka bllokuar dëbimin e tij nga Britania e Madhe me pretendimin se dokumenti i Interpolit për Prendin ishte plot me gabime dhe se nuk është e sigurt që personi i arrestuar (Aleks Kola) është pikërisht ai.
Mospërputhja

Dokumenti i Interpolit gjithashtu ka dhe një foto të Prendit, e cila është bërë kur ai ishte i ri, por që nuk ngjason aspak me pamjen e Kolës. Gjyqtari vuri në pikëpyetje vërtetësinë e të dhënave të siguruara nga autoritetet shqiptare duke thënë se dhe shenjat e gishtërinjve mund të mos jenë autentike. Burimi origjinal i fotos dhe shenjave të gishtërinjve është i paqartë dhe sipas gjyqtarit burimi nuk është i vërtetuar. Në fund gjyqtari vendosi: “Qeveria shqiptare nuk e provon dot që Kola është Lekë Prendi”. Kola do të mbahet dhe dy javë në polici periudhë e cila është e vlefshme për të apeluar vendimin.
I kërkuari

Prendi u arratis dhe u dënua në mungesë për vrasje, grabitje me armë dhe armëmbajtje pa leje. Interpoli lëshoi të ashtuquajturën “fletë e kuqe” duke bërë apel për arrestimin e tij, por deri tani vendndodhja e tij është e panjohur.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











