Teksa kërkesa për shtëpitë e pushimit në apartamente është tkurrur ndjeshëm dhe çmimet janë në tendencë rënëse krahasuar me një vit më parë, ideja e blerjes së një shtëpie në një fshat turistik po lulëzon së tepërmi, e shoqëruar me çmime më të kripura
Apartamentet në bregdet mund të konsiderohen si një pjesë e vjetër e dëshirave të shqiptarëve, të cilët në bumin e fillim-viteve 2000, kërkonin të kishin një shtëpi të dytë pushimi, për sezonin veror. Tashmë, interesi është zhvendosur drejt fshatrave turistikë, ku sipas ekspertëve, infrastruktura e mirë, hapësirat e gjelbra, siguria janë arsyet kryesore që apartamentet unike nuk janë më të dëshiruara, po përkundrazi, të gjithë po përpiqen t’i shesin.
Përpjekjet më të mëdha për të “hequr qafe” shtëpitë e dyta në plazh, sipas ekspertëve të fushës, po ndodhin në Durrës dhe ën Shëngjin.

Sa u përket çmimeve të zonave kryesore në vendin tonë, ato kanë lëvizur shumë pak për fshatrat turistikë (në rritje), por për zonat e tjera kanë mbetur disi të njëjta, me ulje kryesisht në zonën e vijës bregdetare të Durrësit.
Sipas ekspertëve të tregut imobiliar, tri janë arsyet kryesore për uljen e kërkesës për shtëpi unike në bregdet: zhvillimi i zgjedhjeve lokale, mungesa e të huajve, si dhe ‘lulëzimi’ i fshatrave turistikë (çmimi në të cilat po rritet).
Tendenca e shtëpive në bregdet

-Vlora vijon të mbetet me çmimet më të larta në apartamentet unike, ndonëse kërkesa është e njëjtë me vitin e shkuar
-Vëmendja ka shkuar të fshatrat turistikë. E udhëheq listën për nga kërkesa Gjiri i Lalëzit, ndjekur nga kompleksi i Qerretit, sidomos për banorët e Tiranës, pohojnë ekspertët. Sipas tyre, arsyet janë infrastruktura e mirë, hapësirat e gjelbra dhe siguria që shtyjnë qytetarët të bëjnë blerje të tilla.
-Projekte të reja të fshatrave turistikë po vijnë, duke ofruar kështu mundësi për blerje dhe pritet sërish një rritje interesi për to, e shoqëruar nga një rënie interesi për apartamentet unike dhe njëkohësisht një rënie e çmimit për to.
-Zhvillimi i zgjedhjeve lokale këtë vit pritet të frenojë blerjet e shtëpive në bregdet dhe konsiderohet një ndër arsyet për rënien e kërkesës këtë vit, duke i shtuar kësaj liste edhe mungesën e të huajve që kanë ulur kërkesën.
Çmimet e apartamenteve në bregdet, sipas zonave *
Shëngjini: 350 – 500 euro/m²
Durrësi (zona e plazhit, Golemi): 350 – 500 euro/m²
Gjiri i Lalëzit (fshatra turistikë): 900 – 1200 euro/m²
Qerreti (fshatra turistikë): 800 – 1000 euro/m²
Vlora: Mbi 800 euro/m²
Uji i Ftohtë: 450 – 700 euro/m²
Orikum – Radhimë: 650 – 1000 euro/m²
Dhërmiu: 800 – 1000 euro/m²
Himara: 600 – 800 euro/m²
* Burimi: Agjencitë kryesore imobiliare në vend
(Monitor)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













