Me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi, në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Kreut të Shtetit, Presidentit të Gjykatës Evropiane të Audituesve, Vitor Manuel da Silva Caldeira Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” për ndihmesën e qenësishme në përparimin e institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe Kryetarit të KLSH-së, Bujar Leskaj në vlerësim të vizionit të qartë e kontributit të çmuar në ndërmarrjen dhe administrimin e reformave institucionale drejt integrimit evropian, të cilat synojnë shndërrimin dhe konsolidimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në një institucion modern të auditimit të jashtëm publik në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t si dhe në përputhje me praktikat më të mirë të Bashkimit Evropian.

“Gjykata Evropiane e Audituesve, u shpreh Presidenti Nishani, ka për mision përmirësimin e menaxhimit financiar të Bashkimit Evropian si dhe të sigurojë taksapaguesit evropianë që paratë e tyre janë përdorur më së miri. Zoti Caldeira e drejton këtë Gjykatë prej gjashtë vitesh që nga 2008 dhe rezultatet e punës së tij janë të dukshme si në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve me institucionet e Bashkimit Evropian në përgjithësi, me Institucionet Supreme të Auditimit dhe Organizatat ndërkombëtare të Auditimit, në veçanti. Si President i kësaj Gjykate, zoti Vitor Manuel da Silva Caldeira ka dhënë kontributin e tij të vyer për përmbushjen e misionit të saj dhe për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave më të mira mes Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) në Evropë e më gjerë”.
Kreu i Shtetit falënderoi zotin Caldeira për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë Kontrollit të Lartë të Shtetit në Shqipëri dhe i uroi suksese në realizimin e misionit të rëndësishëm si President i Gjykatës Evropiane të Audituesve.

/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












