Kush ishte Gilmando Dani, 20 vjet në regjistrat e policisë, 2 atentate dhe akuza të shumta

Shares

Gilmando Dani dhe Shullazi në një proces gjyqësor

Gilmando Dani, i ekzekutuar në atentatin mafioz pranë Aeroportit të Rinasit, është një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë shqiptare prej gati dy dekadash. Ai ka qenë i lidhur ngushtë me grupin e Emiljano Shullazit, duke u konsideruar krahu i tij i djathtë dhe një nga njerëzit më të besuar brenda strukturës që operonte në Tiranë dhe më gjerë.

Dani kishte shpëtuar nga dy atentate të mëparshme — një në vitin 2011 dhe një tjetër më 5 janar 2015, në autostradën Tiranë–Durrës. Në atentatin e vitit 2015, ai udhëtonte me Emiljano Shullazin, por asokohe asnjëri prej tyre nuk mbeti i plagosur. Ajo mbrëmje ishte një ndër më të tensionuarat në Tiranë, pasi pothuajse në të njëjtën kohë, një tjetër bashkëpunëtor i tyre u bë objekt i një tjetër atentati mafioz në qendër të kryeqytetit.

Problemet e Gilmando Danit me ligjin nisën herët. Ai u arrestua për herë të parë në vitin 2006, për armëmbajtje pa leje. Emri i tij u përfol më pas edhe në hetimin e asaj që njihet si “masakra e Durrësit”, ku mbetën të vrarë katër efektivë policie nga Dritan Dajti. Dani u mor në pyetje për këtë ngjarje, por nuk u provua ndonjë rol konkret i tij dhe hetimi ndaj tij u pushua.

Në vitin 2011, ai u përfshi sërish në vëmendjen publike, këtë herë për arsye politike. Deputetja socialiste Vasilika Hysi denoncoi në atë kohë në polici prishjen e një mitingu në qendër të Tiranës, dhe ndër të shoqëruarit në komisariat ishin pikërisht Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani.

Në vitin 2018, Gilmando Dani u dënua si pjesë e grupit të Emiljano Shullazit, në një dosje të bujshme ku u akuzuan për shtrëngim me anë të kanosjes, gjobëvënie dhe kërcënime.

Gjykata e Posaçme dënoi anëtarët e grupit me 55 vite burgim në total, ndërsa Dani mori 12 vite burg. Ai u arrestua në vitin 2016, dhe pas disa vitesh vuajtjeje të dënimit, u lirua me kusht në vitin 2024, pasi kishte shlyer pjesën më të madhe të dënimit.

Sipas burimeve hetimore, më 7 nëntor, Gilmando Dani kishte udhëtuar drejt Spanjës, ku dyshohet se kishte qëndruar disa ditë. Ai ishte kthyer në Shqipëri vetëm pak minuta para atentatit, duke zbritur nga një fluturim që vinte nga Barcelona.

Sapo kishte marrë një automjet me qira në parkingun e aeroportit të Rinasit, Dani u nis bashkë me mikun e tij Muçi Shaljani (Sheqeri), por rrugëtimi i tyre u ndërpre pak metra më tutje nga breshëritë e armëve automatike që i morën jetën.

Burime pranë organeve të hetimit thonë se Gilmando Dani ishte ndër figurat kyçe të një rrjeti kriminal që vepronte prej më shumë se 20 vitesh në Tiranë, me lidhje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas dosjeve të SPAK dhe agjencive ndërkombëtare, grupet shqiptare kanë shtrirë aktivitetin e tyre në disa vende të Bashkimit Europian, përfshirë Spanjën, Belgjikën, Italinë dhe Francën, çka e bën të vështirë përcaktimin e saktë të shkakut të konfliktit që çoi në ekzekutimin e Danit.

Në atentat u qëllua edhe Muçi Shaljani (Sheqeri), i cili kishte tre muaj që ishte bërë pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Më herët, ai kishte qenë aktiv në forumin rinor të Partisë Socialiste, ndërsa nga të dhënat paraprake, nuk rezulton me precedent penalë.

Hetuesit po verifikojnë tani raportin mes tij dhe Gilmando Danit, si dhe arsyet pse ndodheshin bashkë në momentin e atentatit që u mori jetën. r.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...