Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri i Shqipërisë, ish lideri historik i PS, Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare në periudhën e paskomunizmit.
Nano kishte qenë i shtruar prej disa ditësh në një spital privat në Tiranë, për shkak të problemeve që kryqëzonin zemrën dhe mushkëritë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm pas një arresti kardiak.
Fatos Nano ka lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë dhe u diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës. Karriera e tij politike mori hov pas viteve ’90, kur pas rënies së regjimit komunist, ai u bë kryetar i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke e transformuar atë nga trashëgimtare e Partisë së Punës në një forcë të majtë.
Nano ka mbajtur disa herë detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë: fillimisht në vitin 1991, më pas gjatë periudhës 1997–1998 dhe 2002–2005. Ai njihej për stilin e tij politik të drejtpërdrejtë, debatues dhe përpjekjet për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Në vitin 1993, Nano u arrestua nën akuzat për “abuzim me detyrën” gjatë kohës që ishte kryeministër, duke kaluar rreth katër vjet në burg. Pas trazirave të vitit 1997, ai u rikthye në politikë si lider i mazhorancës së re socialiste dhe një nga figurat më me ndikim të vendit.
Pas dorëheqjes nga drejtimi i PS-së në vitin 2005, Nano u tërhoq gradualisht nga jeta aktive politike, por vazhdoi të mbetej një zë me peshë në debatet publike.
Fatos Nano do të mbahet mend si një nga figurat që ndikuan më shumë në përcaktimin e kursit të majtë të politikës shqiptare dhe në afrimin e vendit me Perëndimin. Ai ishte një nga politikanët më karizmatikë të tranzicionit dhe mbetet një emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












