Ndërtesa e SPAK
SPAK sekuestron rreth 5 milionë euro pasuri, pronë e personave të përfshirë në porositjen e vrasjes së Klevis Lleshit në 2020 në Burrel. Personat nën hetim për këtë akt kriminal janë: Aurel Hoxha (i njohur gjithashtu si Aurelinjo Kalaveri), pronar i lokalit “Monopol sh.p.k” dhe agjencisë “Elite Event sh.p.k” në Tiranë, i cili dyshohet si porositësi kryesor i vrasjes dhe drejtues i grupit kriminal; Sajmir Kolaveri, i arrestuar në Itali, me rol ndërmjetësi dhe ndihmës në vrasje; Sabah Nuzi, ekzekutori, me precedentë penalë dhe i arrestuar.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të vendimit nr. 622, datë 3 tetor 2025 të Gjykatës së Posaçme, ka ekzekutuar masën e sekuestrimit të pasurive ndaj personave të përfshirë në hetimin për porositjen e një vrasjeje në qytetin e Burrelit.
Vendimi parashikon bllokimin e 3 subjekteve tregtare, 7 apartamenteve, 6 njësive tregtare, 32 automjeteve luksoze dhe 52 llogarive bankare, në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të personave nën hetim, si pjesë e procedimit penal nr. 177 të vitit 2025.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara përllogaritet rreth 5 milionë euro.
Subjektet tregtare për të cilat është vendosur sekuestrim janë:
• Monopol sh.p.k, me ortak të vetëm Aurel Hoxha dhe administrator Kleo Kalaveri, i regjistruar në maj 2025 në rrugën Myslym Shyri në Tiranë
• A. K. PF, me emër tregtar Monopol Bar Lounge 24 orë, subjekt i regjistruar në shkurt 2020, në të njëjtën rrugë
• Elite Event sh.p.k, me ortak dhe administrator Aurel Hoxhën, regjistruar në shkurt 2025 në Myslym Shyri
Në pasuritë e sekuestruara përfshihen 7 apartamente dhe 6 njësi tregtare në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë me sipërfaqe që variojnë nga 49 deri në 146 metra katrorë.
Lista e automjeteve përfshin 32 makina, përfshirë një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan, në pronësi ose përdorim të Aurel Hoxhës, Kleo Kalaverit, personave me iniciale L.K., Zh.Xh.-I., S.L., dhe subjektit SALOU Rental sh.p.k.
Gjithashtu janë bllokuar 52 llogari bankare në emër të subjekteve dhe personave të përfshirë.
Zbatimi i këtij vendimi u ngarkua Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Hetimet lidhur me këtë masë sekuestrimi lidhen me veprime kriminale që përfshijnë porositjen e vrasjes, ndërsa SPAK vijon punën për verifikimin e origjinës së pasurive dhe mundësinë e përfshirjes në aktivitete të tjera kriminale. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












