Begaj ditën e votimit si President
Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin për mbledhjen e firmave të deputetëve që do të mbështesin nismën për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat këtë të mërkurë, ndërsa nisma pritet të depozitohet zyrtarisht në Kuvend ditën e hënë.
“Pas paraqitjes së gjetjeve të ekspertëve, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi: Në mbështetje të pikës 2, të nenit 90 të Kushtetutës, të nisë procedurën parlamentare për propozimin e shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për ‘shkelje të rëndë të Kushtetutës’,” thuhet në njoftimin e PD-së pas përfundimit të mbledhjes.
Sipas nenit 90 të Kushtetutës, Presidenti mund të shkarkohet për “shkelje të rëndë të Kushtetutës” ose “kryerjen e një krimi të rëndë”. Propozimi duhet të firmoset nga jo më pak se një e katërta e deputetëve të Kuvendit dhe të miratohet me votat e të paktën dy të tretave të tyre. Kjo do të thotë se PD, e cila ka numrin e nevojshëm për ta inicuar procedurën (35 deputetë), përballet me sfidën më të madhe: sigurimin e 94 votave për miratimin e shkarkimit në Kuvend.
Demokratët pretendojnë se Begaj ka kryer “shkelje të rënda kushtetuese”, ndër të cilat përfshirjen e “Diellës” në dekretin për mandatimin e Edi Ramës si kryeministër — çështje tashmë e dërguar nga PD në Gjykatën Kushtetuese — si dhe dekretin për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, që përfshin edhe Tiranën.
Megjithatë, procedura për shkarkimin e Presidentit është e gjatë dhe kërkon konsensus politik, pa të cilin nisma e opozitës ka pak gjasa të përmbyllet me sukses për shkak se nuk ia del të kapë kuorumin.
Në të njëjtën mbledhje, Grupi Parlamentar i PD vendosi të depozitojë edhe dy kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare: një për verifikimin e parregullsive në zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe një tjetër që lidhet me çështjen “McGonigal” dhe lidhjet e ish-zyrtarit të FBI me Shqipërinë. m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












