Rama, hyn në fuqi regjistrimi i hapësirës publike, Rama paralajmëron zaptuesit: S’do ketë më gardhe mes pallateve

Shares

Në një konferencë me gazetarët të zhvilluar në Kryeministri, kreu i qeverisë Edi Rama bashkë me ministren e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari folën për masat e reja të qeverisë për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike nga zaptuesit dhe zbatimin e lejeve të ndërtimit.

DIALOGU I RAMËS ME GAZETARËT/ A do të ketë një parashikim për oraret se kur punohet nëpër kantiere sepse Tirana zgjohet edhe fle me zhurmën e betonierëve, makinerive, aq sa mund të flihet në këtë zhurmë. Do të këtë orare të përcaktuara  sepse e kuptojmë që këto kostot e zhvillimit të qytetit por është e pamundur të vazhdohet të jetohet më ketë.

Kryeministri Edi Rama: Tani oraret e kantiereve nuk janë çështje ligjesh dhe kodesh. Oraret e kantiereve janë rregulla që vendosen nga autoritetet vendore, por është provuar kjo punë edhe natën, është provuar edhe ditën. Ditën jo se na bllokohen rrugët, natën jo se kemi zhurmë, tani ndonjë mundësi të tretë që s’është as ditë, s’është as natë nuk ka, por kjo është një çështje e autoriteteve vendore dhe sa më shumë hapësirë t’u jepet të mund të ndërtojnë, aq më shpejt do të ndërtojnë. Sa më shumë të zgjatet, duke u ngushtuar hapësirën, aq më problem është, kështu që nuk është çështje e qeverisë kjo.

– Një çështje që ishte parashikuar tek ndryshimet, ishte në mos gaboj, ligji 107 për planifikimin e territorit ku ju thoni që nuk do të prisni, nuk do të ketë asnjë masë pezullimi që do të pengojë punën e autoriteteve në rastet e shkeljeve. Si mund të mos merret parasysh një vendim pezullimi nga gjykatat?

Kryeministri Edi Rama: Duhet ta lexoni me vëmendje dispozitën të detajuar ashtu siç është dhe është plotësisht ligjore. Domethënë, të jap një shembull, në rast se Policia është duke ndjekur një hajdut, mos të them një vrasës që po e po, është duke ndjekur një hajdut, nuk shkon në gjykatë dhe pastaj e kap,por e kap pastaj e çon në gjykatë. Kështu që, këtu flasim për flagranca.

Kryeministër, gjatë këtyre dy muajve ne kemi parë dhe raportuar aksionin për lirimin e hapësirave publike, kemi parëheqjen e tendave me duralumin, heqjen e çadrave ndërkohë karriget vijojnë të jenë prezentë, ju sapo e përmendët rregulloren, e keni gati. Kur do publikoni rregulloren për vijimin?

Kryeministri Edi Rama: E dëgjoj vazhdimisht këtë të karrigeve. Tani kjo është një luftë e përditshme, por disiplinimi i karrigeve siç e thashë do të behet me rregulloren. Ne kemi punuar me një grup të madh pune për një rregullore të përgjithshme. Pastaj çdo bashki do ketë diskrecionin e vet natyrisht dhe pastaj do të hyhet edhe në këtë pikë, por kini parasysh një gjë, që edhe për karriget çështje interpretimi është se pasi të vendosen vijat e kuqe që deri këtu mund t’i shtrish karriget, në momentin që t’i shtyhesh më tutje dhe vë në rrezik të tjerët që kalojnë aty, të kapin shumë nga këta të tjerët se dhe ajo zënie arbitrare e hapësirës publike është megjithatë ky është proces. Rendësi ka që ‘i shkojmë një herë deri në fund çmontimeve që paskan qenë të pafundme. Tu japim mundësi të gjithë atyre që kanë aktivitete që të mund të ushtrojnë aktivitet dhe jashtë derës por në një hapësirë të përcaktuar siç e kanë qytetet europiane, sa % e trotuarit të takon ty, sa % i takon publikut. Tu japim mundësinë që me projekte të mire menduara dhe të miratuara të mund të krijojnë edhe kështu hije, jo nga ato hekurat dhe ato çadrat, të bëjnë diçka që të jetë tamam në lartësinë e Rilindjes Urbane 2.0

Zoti kryeministër, ju më herët sa i përket aksionit për lirimin e hapësirave publike, keni thënë që do ketë një spostim për varrezat e makinave, pasi i keni cilësuar si një gangrenë mjedisore. Ku do të shkojnë këto automjete të vjetra që kanë qëndruar aty prej vitesh? Do të ketë një hapësirë të posaçme për to?

Kryeministri Edi Rama: Pse duhet të mbajmë patjetër makina në kurriz. Ato do të shkojnë për skrap. Patjetër ato që janë akoma të mundura të funksionojnë po i merr shteti për t’i vënë në funksion, ato që nuk janë më funksionale do shkojnë për skrap. Patjetër! Dhe ka filluar agjencia e konfiskimeve dhe do krijojmë disa të ardhura me ato.

Zoti kryeministër, kam dy pyetje. E para lidhet me listën e zezë që ju përmendet dhe për ata të cilët do të përfshihen, thjesht për ta sqaruar nëse do të ketë ndonjë hetim apo do përfshihen dhe ata për të cilët keni dhënë leje deri tani apo do të nisë procesi që në momentin që është krijuar kjo listë e zezë.

Padyshim këto masa janë shumë të rëndësishme për sa i përket çështjes së pronës dhe mbrojtjes së saj, por një tjetër shqetësim për qytetarët është dhe çështja e çmimit të këtyre pronave. A ka një formë qeveria që mund të ndërhyjë si rregullator pavarësisht të gjitha masave që keni prezantuar dhe më herët për një sërë kategorish për lehtësira për sa i përket kredi marrjes?

Kryeministri Edi Rama: Tani lista e zezë është në fuqi, tani që flasim, si normë. Kështu që, kushdo që është duke ndërtuar tani që flasim, tani çfarë janë ndërtime që janë mbaruar dhe njerëzit janë brenda dhe e kanë kryer ciklin e tyre, natyrisht që s’ka lidhje, por çdo kantier që është sot i hapur është subjekt i listës së zezë, patjetër.

Nuk fillon lista e zezë nga lejet që do jepen nga nesër sepse askush nuk thotë që kush ka marrë leje, mund të vazhdojë të bëjë shkelje, përkundrazi, kështu që të gjitha këto vlejnë për ata që janë në kantier tani dhe duhet të jenë shumë të kujdesshëm sepse në këtë pikë toleranca do jetë nën zero për këdo qoftë dhe ata që kanë influenca dinë sesi t’i shmangen edhe daljes nëpër media. Po ju them që janë bërë goditje kudo dhe për këdo. Pavarësisht kur goditet ndonjë emër i njohur nuk del nëpër media sepse është ai muhabeti juaj. Por ne goditjet i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë. S’ka asnjë që është mbi 83 mandatet që na ka dhënë populli shqiptar dhe ne nuk do ndalemi në këtë pikë.

Për sa i përket çmimit, ne jemi përgatitur krijimin e një agjencie të re që do të jetë agjencia kombëtare e planifikimit urban dhe e strehimit dhe do t’i qasemi në një mënyrë të re çështjes së strehimit, qoftë për sa i përket strehimit social qoftë për sa i përket incentivave për të krijuar mundësi për kategori të ndryshme shoqërore që të mund të aksesojnë apartamentet me çmime më të arsyeshme.

-Të gjitha këto propozime për ndryshim kanë një kosto për ndërtuesin dhe duke marrë parasysh çmimet e apartamenteve në Shqipëri dhe raportet ndërkombëtare që e cilësojnë Tiranën dhe Shqipërinë si lavatriçe të pastrimit të parave të pista, teksa po përflitet një fluks ndërtimi në Shqipëri, gjithë këto ndryshime duke shtuar koston e ndërtuesve, mos po tentojnë të mbajnë të njëjtat çmime duke bërë të pamundur blerjen e një shtëpie në Tiranë, le të themi një tjetër “Ok” për vijimin e pastrimit të parave të pista dhe pyetja e dytë, në lidhje me operacionin për hapësirat publike. Sipas jush cila është bashkia e cila ka dështuar totalisht në menaxhimin e hapësirave publike. Të paktën Tirana është kryesisht qyteti që ka më shumë problematika, por ndoshta një vlerësim i juaji duke qenë se ju jeni dhe iniciatori i gjithë këtij aksioni. Kush është bashkia që ka dështuar në menaxhimin e hapësirave publike dhe në zënien e tyre kundrejt cenimit të lirisë së qytetareve?

Kryeministri Edi Rama: E para Tirana është si kurrë më parë në median ndërkombëtare si një kryeqytet në zhvillim, si një kryeqytet për tu vizituar, si një kryeqytet me një arkitekturë të admirueshme për shkak të disa veprave arkitektonike natyrisht jo për të gjitha, etj. Dhe natyrisht që siç ka 95% të artikujve në mediat ndërkombëtare që flasin për këtë Tiranë, ka dhe një 5% që flet për këto lloj historish të lavatriçeve. Po unë nuk merrem as me lavatriçe as me frigorifer. Unë merrem me Tiranë dhe me Shqipërinë që po transformohet dita ditës dhe që është në sytë e të gjithëve ky transformim. Edhe në Danimarkë kur ishim dje po ju them që akoma ma përsërisnin ‘Sa bukur Tirana, sa bukur kaluam në Tiranë’. Imagjino, Tirana, një qytet, një kryeqytet ku kur unë kam pritur gazetaren e parë të huaj që kam takuar kur isha ministër Kulture që ishte një gazetare italiane revistës “Panorama”, më ka mbetur gozhdë ajo që më tha se s’më kishte shkuar mendja, që më tha ‘ky është i pari qytet që shikoj në jetën time ku unë nuk bëj dot një fotografi”.  Kurse unë besoj që të thuash “Sy” nuk do të thotë që të kesh ekskluzivitetin që të punosh me gojën sa herë që të shkon mendja, ndërkohë që këtu merret mikrofoni bëhet pyetja, jepet përgjigja dhe pastaj vazhdohet. Kjo është përgjigja ime për çështjen e frigoriferit. Përsa i përket pyetjes tjetër të kostove çfarë domethënë kjo pyetje se nuk e kuptova. Kjo është si puna e një debati që kam dëgjuar në Komisionin  e Ligjeve para shumë vitesh që donin gjoba sociale. Pra gjobat që ne kishim propozuar për shkeljet e rregullave të qarkullimit ishin shumë të larta dhe disa deputetët të frigoriferit i kërkonin gjobat sociale. Ka një gjë shumë të thjeshtë në këtë punën e kostos. Mos bëj shkelje dhe nuk ke asnjë arsye të kesh kosto; mos ndërto pa leje dhe nuk ke asnjë arsye të paguash për prishjen dhe për pastrimin e pocaqisë dhe të krimit që ke bërë; mos shto jashtë lejes sipërfaqe dhe nuk ke kosto kur të vijnë dhe ta konfiskojnë dhe mbi të gjitha kostot e ndërtuesve nuk më interesojnë fare!Ajo që më intereson mua janë kostot e qytetarëve që paguajnë me kursimet e jetës së tyre dhe marrin kredi për të marrë një apartament, për të marrë njështëpi dhe e ëndërrojnë atë shtëpinë e re dhe kur shkojnë të paguajnë ndërtuesi, se kisha një rast konkret para dy ditësh me një karagjoz, ndërtuesi i tregon projektin dhe te projekti shikon njeriu, mblidhet gjithë familja shikon projektin gjithë gëzim, aty projekti shkëlqen me pemë, me ndriçim dhe paguan. Kur shkon atje, ajo godina nuk ngjan fare me atë që ka parë në fotografi, është e shëmtuar, e para, e dyta futet brenda dhe nuk merr dot hipotekën sepse ai ndërtuesi ka shkelur të gjitha kushtet e lejes se do t’i marrë me vete në varr ato metra katrorë tepër që ka bërë. Kjo është kostoja që më intereson mua, nuk është kostoja që do ti rritet X apo Y se patjetër do që të bëjë shtesa se nuk i dalin 100 vila, do të bëjë 120, do dhe 20 pa leje.

Para dy ditësh fola me njërin, e mora vetë se i kishte bërë dhe të fortin inspektorëve, ia kishte shitur apartamentin një zonje me ballkon, atje s’kishte ballkon, i kishte marrë ballkonin. Ajo kishte bërë denoncimin, ma çoi dhe mua dhe thoshte ‘ja ku është çfarë kam blerë, një godinë me tre kate dhe në katin e parë me ballkonet, dhe ja çfarë kam marrë”, një godinë me bubuzhela si puna e atyre kondicionerëve  që venë nëpër fasada se nuk i kanë në lejet e ndërtimit dhe do tua heqim të tërë kondicionerët ngafasadat atyre që janë akoma në  proces se të tjerëve s’kemi çfarë tu bëjmë dhe ia kishte nxjerrë apartamentin në rrugë. Derën e ballkonit ja kishte bërë për të dalë nga shtëpia në rrugë dhe kush vinte në rrugë ti futej në shtëpi. Këto janë kostot që kam merak unë, nuk janë kostot e atij tipit që o do bëjë ballkonin, o do hyjë në listën e zezë.

Kjo pyetja cila bashki ka dështuar është pyetje frigoriferi. Këtu nuk bëhet fjalë se ka dështuar një bashki, kanë dështuar të gjitha bashkitë apo kanë dështuar disa bashki. Çështja është që ky është një kancer, një kancer i futur në trupin e Shqipërisë nga Partia Demokratike e Shqipërisë që të jemi shumë të qartë dhe nga udhëheqësi legjendar i asaj partie që thoshte, ‘Bathorja është mrekullia e tetë e botës se është qyteti i parë në historinë botës i ndërtuar i gjithi pa leje’. Është fjalim historik elektoral që thoshte “në Lanë po ndërtojmë Zvicrën shqiptare”. Te ato, kur u zu Lana, se ke qenë i vogël ti dhe ky kancer është luftuar në vijimësi dhe është fiksimi im ky kancer që kam filluar ta luftoj që ditën e parë që më është dhënë mundësia ta luftojë.

Çfarë ka ndodhur me këtë kancer? Është tkurrur, tkurrur, tkurrur,por nuk është shëruar. Nuk jemi sot në kushtet, që të jemi të qartë se shumëkush do të thotë “po mirë mo akoma kjo histori”.Jo nuk është akoma, kjo është pjesë e një procesi. Nuk jemi në kushtet kur vetëm nga Lana kemi hequr 132 mijë ton mbetje inerte, vetëm nga dy rrypat e Lanës atëherë. Sot nuk jemi në këto kushte. Sot janë struktura të çmontueshme, është një ndryshim shumë i madh. Përsa i përket kateve pa leje, po e vërtetë janë bërë kate pa leje, por janë të gjitha të konfiskuara, të gjitha janë marrë, janë sekuestruar dhe në bazë të ligjit janë detyruar aty ku ka kanë dashur ta bëjnë këtë gjë, ti blejnë me çmimin e tregut. Janë detyruar ti blejnë me çmimin e tregut vetëm për një arsye, dhe këtë parablerjen e hoqëm tani, se s’ka nevojë më. Tani kush bën të re nuk do të jetë më në gjendje të marrë njerëzit dhe ti përdorë si Hamasi. Ua kemi dhënë mundësinë e parablerjes sepse ua kishin shitur njerëzve dhe çfarë të konfiskosh. Janë miliona e miliona euro që vazhdojnë mblidhen sa për të qenë të qartë. Katet pa leje janë ndërtuar historikisht, nuk janë ndërtuar tani. Por ama nuk janë kurrë konfiskuar. Tani konfiskohen. 4 mijë e kusur metra atje te ‘’Syri i Tiranës’’, është bërë kontrata, do t’i marrë shteti. Aq sa janë, metër për metër do t’i marrë shteti. Është nënshkruar. Ndërkohë që kur në atë kohë unë propozoja që të vendoseshin gjoba, e di sa u vu gjoba? U vu 4% e kostos. 4% e kostos gjobë për metrin katror pa leje, është incentivi më i jashtëzakonshëm që t’i thuash njerëzve ‘’vazhdoni, se ku ta gjesh’’. Më mirë paguaj 4% të kostos sesa të presësh të marrësh leje e të paguash taksën.

Dhe nuk e kujtoj ekzakt shifrën sesa metra katrorë u ndërtua pa leje në Tiranë dhe ishte koha kur edhe të gjithë inspektimin e kishte pushteti qendror, një të ashtuquajtur polici ndërtimore.Mund të ketë polici ndërtimore për të prishur? Kështu qe duhet pak kujtesë historike se kur ‘’e ke arkivin në frigorifer’’, nuk të punon syri. Ka ndonjë pyetje tjetër?

Zoti Kryeministër, aksioni i lirimit të hapësirave publike, do të jetë një nga pikat kryesore të fushatës suaj për të kërkuar votën e kryeqytetasve më 9 nëntor.

Kryeministri Edi Rama: O Zot, nuk është aksion, aksionet fillojnë e mbarojnë. Kjo nuk mbaron, nuk është aksion. Është një operacion final i metastazave të fundit të kancerit 30 e kusur vjeçar. Nuk është aksion. nuk ndalon ky. Do vazhdojmë, do vazhdojmë. Prapë në Theth, prapë atje në Theth, prapë, por ndryshe nga hera tjetër u kap në kohë dhe tani do shikoni që do bjerë në tokë. Kështu që kjo vazhdon, vetëm se tani nuk vazhdon më si macja me miun, tani me këtë paketë të re ligjore, pasojat janë aq të mëdha për ata që i marrin këto iniciativa, saqënuk besoj që do jetë si më parë. Kështu që gjithë kjo kurbë rënëse do shkojë e do bjerë në fund. Nuk diskutohet. Kjo nuk ka lidhje fare, fare, zero me pjesën tjetër të pyetjes.

Doja t’ju pyesja në fakt lidhur me disa reagime të ashpra tuajat publike lidhur me disa gjyqtarë, pikërisht për vendimet që kanë marrë me ndërtimet pa leje apo zënien e hapësirave publike. Pra nuk jeni marrë veçse me ndërtuesit, por jeni marrë edhe me gjyqtarët. Ka patur një reagim për këtë nga Unioni i Gjyqtarëve, edhe nga KLGJ duke e cilësuar si cënim të pavarësisë së gjyqësorit. A e cënon, zoti Kryeministër, pavarësinë e gjyqësorit retorika juaj e ashpër ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj njerëzve të drejtësisë? Dhe a është në kompetencën tuaj t’i gjykoni vendimet e gjykatave?

Kryeministri Edi Rama: E kuptoj. Tani, faleminderit shumë për pyetjen se është me rëndësi. E para, unë jam marrë me ta dhe do merrem prapë me ta për një çështje të interesit publik, jo për ndonjë çështje lidhur me ndonjë individ, po është një çështje e interesit publik dhe është një çështje edhe personale, sepse ata të Unionit janë ata që shkojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe kërkojnë rritje pagash në mënyrë të vazhdueshme, në mos gabohem. Prapë kanë kërkuar rritje pagash sepse u bë një rritje pagash dhe u tejkalua skema natyrale e çdo shteti e piramidës së pagave, vetëm për një arsye, për t’i dhënë fuqi gjykatësve dhe prokurorëve në funksion të reformës në drejtësi, që të ndiheshin të mbështetur dhe të pavarur dhe të mirë paguar dhe janë më të mirëpaguarit në rajon, por kjo nuk do të thotë që në gjithë historinë e këtij vendi, ata duhet të vazhdojnë të jenë mbi Presidentin e Republikës dhe kjo nuk do të thotë që sa herë të rriten pagat e mësuesve, punonjësve të policisë, të mjekëve, të infermierëve, pagat e tyre duhet të rriten se duhet të jenë gjithmonë më lart. Jo!

Pra, këta janë ata të Unionit që të jemi më të qartë. Dhe u shqetësuan ata, po unë si t’ia bëj tani, se në momentin kur qytetarët me shumë të drejtë denoncojnë dhe thonë ‘’kemi këtë këtu, na ka zënë rrugën’’, një nga këto masat e sigurisë ishte marrë për një godinë ku jo metaforikisht, literalisht, familjet kalonin përmes lokalit që të çonin fëmijët në shkollë. Nuk kishe nga të kaloje, ishte zënë rruga komplet midis 2 pallateve dhe për të dalë në rrugën kryesore, ata duhet të futeshin nëpër lokale dhe tani çfarë t’i them unë atyre familjeve? T’i kap tek e tek  e ‘’shiko se nuk e keni nga unë dhe nuk e keni nga qeveria këtë gjë’’? Se ata me të drejtë thonë ‘’e shikoni? Ja, u korruptuat? Ja, ju dha lekët; ju bëri këtë, ju bëri atë; si s’u hoq”? Dhe kanë të drejtë, si do kalojnë? Ata thonë ‘’shyqyr erdhi kjo ditë që të na hapet më në fund rruga’’. Tani si të bëj unë? Të pushoj, mos të flas fare dhe ata le të vazhdojnë të rrinë me idenë që ma dhanë mua votën, 83 mandate që të vazhdojnë të rrinë me atë zaptuesin atje që shkon kap një gjykatës dhe gjykatësi komplet pa lidhje i merr masë sigurie në orën 8 të mëngjesit, as nuk e di fare se për ça merr masë sigurie se jam i bindur që ai nuk e ka parë fotografinë, nuk e di se për ça bëhet fjalë. Se po të kishte parë atë fotografi, do ta mendonte si për veten e vet dhe do thoshte ‘’më fal, këtu ti nuk merr masë sigurie’’. Masë sigurie për ndërtim pa leje. Si merret masë sigurie për ndërtim pa leje? Mund të ma thuash? Ça mase sigurie mund të marrësh për ndërtim pa leje? Ça do gjykojë gjykata për ndërtim pa leje? Dhe arsyeja e vetme në ketë rast, është që jo vetëm është interes publik, por është edhe personale në kuptimin e raportit me qytetarët dhe në kuptimin e dinjitetit të gjithë qeverisë, e të këtij operacioni se ndryshe nëse njerëzit thonë ‘’këtij ia lanë, këtij ia hoqën; atje e lanë, atje e hoqën’’, s’ka më asnjë lloj dinjiteti kjo punë dhe të gjithë duhet ta dinë; aty ku nuk hiqet, nuk është qeveria, nuk është bashkia, nuk është inspektorati, nuk është policia. Është ky, me emër dhe me mbiemër dhe me portret atje. Anatemim publik? Po ky që po them unë, nuk është anatemim publik? Më fal, lëre strukturat, ky që po them unë, nuk është anatemim publik? Kjo është shkelje haptazi e ligjit, këtu nuk kemi ça diskutojmë fare, hiç dhe është e vetmja mënyrë që unë kam gjetur, e di shumë mirë unë atë që thua, jam dakord, nuk është normale, nuk është fare normale, por çfarë të bëj unë tani, ma thuaj? Si t’ia bëj unë, çfarë të pres unë? Të pres inspektorin e lartë të drejtësisë? Atë të pres, që amniston në tavolinë gjelin e Thethit?! Dhe gjënë më flagrante që shpall mos fillimin e çështjes pa i hyrë fare fakteve, çfarë të pres? Dhe nuk kam folur, por ama në momentin kur do shkelin popullin atje, jo politikanët, jo këta. Unë kam rezerva sa të duash për plot gjëra që bëjnë këta, s’flas. Kam plot, s’flas, por kur shkelin me këmbë këta popullin që në pikë të sabahut dalin atje, pa pikë përgjegjësie, i paguan ky popull ata si frëngu pulën. I kemi dhënë pavarësinë që se kanë pasur që nga 1912-ta, por deri tek marrja e fytyrës në publik ndërkohë që ata si njeh njeri fare, si njeh njeri as kush janë as çfarë bëjnë edhe i japin vetes super pushtetin që t’i thonë një lagje të tërë ikni se s’ju llogaris fare se do i jap masë sigurie këtij, kjo nuk ndodh.

E kuptoj që nuk është normale por tani jam normalizuar jashtëzakonisht shumë nga ç‘kam qenë. Nuk është çështje reforme e re në drejtësi se këtu janë bërë prishjet e dynjasë dhe masat e sigurisë nuk janë po aq sa prishjet, janë një numër i vogël, por as nuk duhet të ketë asnjë masë sigurie për ndërtim pa leje. Çfarë do me thënë mase sigurie për ndërtim pa leje? Ma thoni ju çfarë do me thënë mase sigurie për ndërtim pa leje? Si merret masë sigurie për ndërtim pa leje? Nuk ka asgjë që justifikon ndërtimin pa leje se nuk është një gjë që ti e bëre në një moment të caktuar, dhe e bërë dhe ok. Ajo është veprimtari e planifikuar me muaj. Si do ta justifikosh ti këtë? Kështu që të jap të drejtë, po s’kam se si ia bëj ndryshe sepse është komplet e pa tolerueshme për mua që të shkelen me këmbë një komunitet i tërë familjesh dhe të mendojnë ata që halli i tyre vazhdon sepse nuk zbatohet ajo që unë kam thënë. Kjo nuk ndodh. Ta dinë ata që po, e keni peshqesh nga ky tipi që e di veten super pushtet. Se Kushtetuta thotë janë tre pushtete të pavarura, nuk thotë është njeri. Janë tre!

Cila është pavarësia ime dhe pavarësia jonë këtu? Çfarë pavarësie kemi ne? Pavarësinë për të marrë vendime dhe për të zbatuar vendime. S’kemi pavarësi tjetër. Ata kanë pavarësi për të gjykuar ligjshmërinë e vendimeve tona, por jo për të gjykuar a duhet ta marrim a s’duhet ta marrim një vendim. Këtë s’mund ta negociojmë ne. Këtë se negociojmë dot me ta ne. Ata të bëjnë punën e tyre, ne kemi punën tonë. Parlamenti ka punën e vet dhe të treja pushtetet pastaj kanë pikat e tyre të ndërveprimit. Por që kjo nuk është normale, nuk është normale por nëse kjo nuk është normale ajo tjetra është kriminale që bëjnë ata. Masë sigurie për zaptues është kriminale. Është bashkëpunim në krim, kjo imja s’është normale. E pranoj, s’është normale. Shpresoj që të mos marrin më masa sigurie që të më vënë në këtë pozitë

-Po me problemet dhe me masat e sigurimit, ka diçka kontradiktore në atë që thoni dhe në atë që propozuat. Ju e pranoni, e thatë vet gjatë fjalës suaj që institucionet shtetërore, ato që janë kontrolluese kanë dështuar në 1,2,3,4,5 probleme me ndërtime pa leje dhe nga ana tjetër ju i thoni qytetarëve që vendimet e këtyre institucioneve kontrolluese do ekzekutohet pa pritur vendimin e gjykatës. Si do ti besojmë ne verbërisht që këto institucione kontrolluese që nuk e kanë bërë detyrën siç thatë ju, do ta bëjnë këtë në mënyrë korrekte?

Kryeministri Edi Rama: Të lutem se e kam shumë problem tani që të bëhemi të gjithë juristë, aman të keqen se unë nuk jam jurist, ti nuk je jurist.

-Nuk është për juridik kjo, është diçka shumë e thjeshtë, elementare.

Kryeministri Edi Rama: Ashtu të duket, edhe ty edhe mua ashtu na duken, por mua kjo puna këtu më ka mësuar që nuk janë kaq elementare saç na duken ne, edhe sqarojini njerëzit për atë barazinë gjinore se i keni bërë çorap. Disa duan të bëhen vetë çorap, disa duan të bëjnë çorap, por të paktën ju sqarojini për shembull se ajo është shumë e thjeshtë. Ligji për barazinë gjinore nuk ka absolutisht asgjë që lidhet me gjithë këto shqetësimet e mëdha që janë krijuar. S’ka. Zero fare! Është ligj për barazinë gjinore. E kupton sa e thjesht është? E keni bërë çorap, të gjithë bashkë, kështu që në rastin konkret, edhe një herë që të jemi shumë të qartë, është ekzaktësisht kështu si po them. Ankimimi administrativ ndaj vendimit të trupës, nuk pezullon ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të trupave inspektuese. Dhe kjo nuk ka lidhje fare me atë që folëm. Ndërtimi pa leje është kostoja e ndërtuesit pa leje.

Tashmë jeni në një mandat të katërt, me 83 mandate dhe duket që jeni të gatshëm për t’i çuar të gjitha aksionet apo vendimet që ju ndërmerrni pavarësisht faktorëve të tjerë. Edhe me propozimet që keni bërë për ndryshimet ligjore që ende nuk kanë hyrë në fuqi, pasi duhet të kalojnë në parlament fillimisht, kërkoni që pezullimi apo vendimi i gjykatës administrative…

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë të lutem shumë, lexojeni siç është sepse nuk është kështu siç e thua. Nuk është kështu. Nuk është kundërshtim i vendimeve të gjykatës, nuk ka lidhje fare.

-Duke u nisur për shkak të një vendimi që ju keni marrë mjaft të diskutueshëm në opinionin publik, për zgjedhjet në Tiranë ka pasur një pezullim nga ana e Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Këshillit të Ministrave dhe ju nuk e respektuat duke nxituar të paktën për të shpallur vakancën dhe duke ia drejtuar Presidentit të Republikës për të shpallur një dekret.

Kam dhe një pyetje tjetër. Çfarë po ndodh me sigurinë në shkolla, pasi ditën e djeshme sërish ka pasur një konflikt me thika në mes të 5 adoleshentëve, ku 2 janë plagosur, pavarësish që tashmë oficerët e policisë janë vendosur ndërkohë situata janë përsëri mjaft të rënda.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë është kjo, se nuk e kuptoj. Të dhashë fjalën, çfarë na çon në 17 tema të tjera, se të thashë çfarë teme kemi sot. Këto kanë hyrë në fuqi, të gjitha. Sepse janë akt normativ që hyn në fuqi menjëherë. Ka forcën e ligjit sepse është emergjencë dhe këto kanë hyrë në fuqi, që ta dish. Kurse për pyetjet e tjera, flasim në ditët në vijim.

Ju e përmendët rastin e një zonje apo abuzimeve të tjera për sa i përket banesës apo diçka tjetër. Çfarë do të bëhet me këta qytetarë që sytë i kanë nga ju dhe nga shteti për të zgjidhur këtë problematikë që kanë?

Kryeministri Edi Rama: Kemi zgjedhur në vitin 1990 marrëdhëniet kapitaliste, dhe marrëdhëniet kontraktuale midis palëve janë marrëdhënie që janë përgjegjësi e palëve, ajo që shteti bën, është që në mënyrë të vazhdueshme adreson problematikat që dalin, dhe bën ligje, krijon korniza të reja në mënyrë që këto problematika që shfaqen si rezultat i boshllëqeve që mund të jenë në legjislacion dhe boshllëqeve në zbatim, të tkurren dhe mundësisht të eliminohen. Ky është një proces i vazhdueshëm, se sikur të zgjidheshin gjërat të gjitha nga një qeveri, nuk do kishte bota nevojë të zgjidhte qeveri çdo 4 vjet, dhe të rinovonte çdo 4 vjet mandatin e një qeverie se është proces i pambarim.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...