Ogerta Manastirliu, kandidate për Bashkinë e Tiranës. Rama deklaron shkarkimin e Veliajt dhe zgjedhjet e parakohshme

Shares

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e nisi fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së me situatën në kryeqytet, të cilën e cilësoi si “emergjencë që duhet adresuar”. Rama theksoi se Tirana nuk mund të vazhdojë të jetë pa kryetar të zgjedhur, ndërsa Erion Veliaj ndodhet prej 7 muajsh në qeli.

Ai kërkoi që partia të marrë vendim për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja për kreun e Bashkisë së Tiranës, duke propozuar ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, si kandidaten më të përshtatshme.

“Sot duhet të marrim vendim për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar bashkie në Tiranë. Duhet vënë në lëvizje mekanizmi ligjor i shkarkimit. Tirana nuk mund të gdhihet e ngryset si trup pa kokë. Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet Tiranës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u bëri thirrje socialistëve që ta mbështesin Manastirliun, duke e cilësuar atë si figurën që mund të japë “shpejtësinë maksimale” lokomotivës së Shqipërisë. “Është radha jote, e dashur Ogerta, të udhëheqësh Tiranën me qetësinë që të ka karakterizuar në të gjitha detyrat”, tha Rama.

Në rast se kandidatura e Manastirliut miratohet dhe ajo dorëhiqet nga mandati i deputetes, në listën e PS për Tiranën hapet vendi për Blerina Gjylametin që të rikthehet në Kuvend.

Duke folur për Veliajn, Rama denoncoi mënyrën se si është trajtuar çështja e tij. Sipas tij, Veliaj është viktimë e një procesi “të stërzgjatur dhe të paragjykuar publikisht”, ku janë publikuar edhe biseda të tij private nga burgu. “Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik, e jo më në një diktaturë. Është shkelja më brutale e ligjit nga ata që duhet të ruajnë materialet hetimore”, theksoi ai.

Rama vlerësoi punën e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës gjatë këtyre muajve, por u shpreh se qyteti ka nevojë për një kryetar me legjitimitet të plotë. “Tirana ka punë të mëdha përpara dhe nuk mund të mbetet peng i kësaj anomalie të paprecedentë”, përfundoi kryesocialisti. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...