Kur gjigantët globalë dominojnë një treg të vogël, një transportues kombëtar nuk është luks, por nevojë për qëndrueshmëri dhe identitet kombëtar. Shqipëria ka hyrë prej vitesh në hartën ajrore të Europës me “Air Albania”, një kompani që shpesh është vënë në shënjestër të thashethemeve për falimentim, por që ende çdo mëngjes ngre bishtin e kuq nga Rinasi dhe çdo mbrëmje kthehet me studentë, familjarë dhe punëtorë në bord.
Nga ideja tek realiteti
“Air Albania” u prezantua në mars 2017 dhe u themelua më 16 maj 2018, me synimin që emri i Shqipërisë të dëgjohej në aeroportet e botës. Për shumë shqiptarë ishte një moment krenarie, njësoj si fqinjët europianë që kishin linjat e tyre kombëtare. Por, historia tregoi se rruga nuk do të ishte e lehtë.
Goditja e parë: pandemia
Menjëherë pas nisjes, aviacionin botëror e paralizoi pandemia e Covid-19. Shumë kompani u zhdukën, por “Air Albania” mbeti në ajër për arsye që shkonin përtej biznesit: solli qytetarë shqiptarë nga emigracioni, transportoi vaksinat e para dhe ngarkesa mjekësore kur shumë kryeqytete europiane ende prisnin. Për shqiptarët, kjo nuk ishte thjesht një ulje avionësh, por një simbol i dinjitetit dhe besimit se vendi mund të qëndronte më afër Europës.

Rikthimi i vështirë
Pas pandemisë, tre avionët e parë të kompanisë – “Migjeni”, “Lasgushi” dhe “Naimi” – u rikthyen në fluturime. Por tregu tashmë kishte ndryshuar. Dy gjigantë të aviacionit low-cost hapën bazë në Shqipëri me dhjetëra destinacione, duke ulur çmimet dhe duke nxitur turizmin. Ishte një bekim për qytetarët, por edhe një sfidë e madhe: mbi 80% e tregut të vogël shqiptar ra nën kontrollin e kompanive të huaja.
Çfarë sjell një linjë kombëtare?
Konkurrenca uli tarifat, por solli edhe pasiguri. “Air Albania” ofron ende shërbime që kompanitë low-cost shpesh i tarifojnë veçmas: një bagazh të regjistruar, ushqim në bord, kujdes për pasagjerët me probleme shëndetësore, asistencë për të moshuarit dhe transport urgjent të ngarkesave mjekësore. Për shumë familje, këto janë më tepër se komoditete – janë shërbime jetike.
Simbol dhe kulturë
Avionët e “Air Albania”-s mbajnë emrat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë, si Migjeni, Lasgushi, Naimi dhe Fishta, duke shpërndarë copëza historie dhe kulture kombëtare në çdo portë ajrore europiane. Përtej biznesit, kjo kompani bart një mesazh: Shqipëria është pjesë e botës dhe ka identitetin e vet për ta treguar.
Investimi në njerëz
Rreth 300 punonjës të rinj shqiptarë janë trajnuar falë kësaj kompanie, shumë prej tyre sot punojnë edhe në linjat më të mëdha ndërkombëtare. “Air Albania” nuk është thjesht një shoqëri tregtare; është një shkollë dhe një trampolinë për aviacionin shqiptar.
Ekonomia dhe pyetjet e hapura
Një kompani kombëtare sjell qindra-mijëra transaksione në bankat vendase, gjeneron punësim dhe kontribuon në ekonominë e brendshme. Si shembull, në Serbi ekziston një kompani ajrore 100% shtetërore me xhiro prej 700 milionë eurosh dhe me 52% të tregut. Pyetja shtrohet vetvetiu: sa shumë do të përfitonte ekonomia shqiptare nëse “Air Albania” arrinte shifra të tilla?
Problemet dhe realiteti
Sigurisht, “Air Albania” nuk është e përsosur. Ka përballuar vonesa, defekte teknike dhe kritika, ashtu si çdo kompani tjetër ajrore. Por një vlerësim i drejtë nuk mund të bazohet vetëm te çmimi i biletës. Disa euro më shumë shpesh përkthehen në shërbim, cilësi dhe siguri.
Rreziku i varësisë nga të huajt
Aktualisht mbi 80% e tregut të aviacionit në Shqipëri kontrollohet nga dy kompani të huaja low-cost. Është një mundësi e madhe për udhëtime të lira, por edhe një rrezik. Nëse nesër këto kompani vendosin të zhvendosin flotën e tyre diku tjetër, Shqipëria mbetet e pambrojtur. Në raste emergjencash kombëtare – si fatkeqësi natyrore, luftëra apo nevoja për riatdhesime – kush do të mendojë për Shqipërinë në radhë të parë, nëse jo një kompani shqiptare?
Një e ardhme që duhet vendosur sot
“Air Albania” nuk është thjesht një transportues ajror. Ajo është një provë se Shqipëria mund të ketë një zë në qiellin europian. Nëse do të vazhdojë të jetë e fortë dhe e qëndrueshme, kjo varet nga zgjedhjet që bëhen sot: mbështetje ekonomike, politika të qarta dhe mbi të gjitha, ndërgjegjësim se një linjë ajrore kombëtare është identitet, siguri dhe dinjitet kombëtar. r.e
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/
















