Ndotja nga fabrika në Fushë Arrëz është një histori e vjetër që nis në fakt që me fillimin e funksionimit të fabrikës në vitet ‘80. Shpesh teknologji të varfra, mungesa e ndjeshmërisë ndaj mjedisit dhe rendja drejt përfitimit ekonomik ka bërë që në kohën e komunizmit, mjedisi të ishte tabu kur bëhej fjalë për përfitime me mallra të eksportit sic ishte edhe bakri dhe produktet e tij.
Por në Fushë Arrëz ndryshe nga disa zona të tjera ku minereali i varfër i bakrit dhe mungesa e rentabilitetit të pasurimit të tij coi në mbylljen e disa fabrikave të tilla si në Golaj, Reps etj, në Fsuhë Arrëz fabrika ka punuar prej kohësh duke mos reshtuar së krijuara skorie dhe gjithë produktet e saj që agresojnë mjedisin përreth e përmes lumit, ndotja përhapet në një sipërfaqe të gjerë të zonës së Fushë Arrëzit e kryesisht në fshatrat e Gjegjanit.
Ndotja krijohet nga aciditeti i lartë në ujë krijuar nga piritet që përzihen në tretësirat e flotimit dhe më pas në ujërat që kullojnë nga dampa e derdhen në lumin Fan që qarkullon pas ndotjes një numër fshatrash të Fushë Arrëzit përfshirë edhe vetë qytetin e Fushë Arrëzit. Po ashtu ujërat që dalin nga fabrika përmbajnë metale të rënda të rrezikshme për gjallesat dhe bujqësinë të cilat përgjatë kohës sedimentohen në shtratin e lumit për të qarkulluar në kohë reshjesh apo vërshimesh të lumit.
Lumi Fan i Madh buron në fshatin Kryezi në njësinë adminstrative Qafë-Mali, gjarpëron në krah të qytetit të Fushë-Arrëzit dhe më tej në njësinë administrative Gjegjan derisa bashkohet me lumin Fan, degë e tij që vjen nga Klosi i Mirditës dhe më pas ujërat e tyre i bashkohen lumit Mat për tu derdhur në Adriatik në krahun verior të Lagunës së Patokut.
Fabrika e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrëz, Beralb sh.a. u gjobit në vitin 2020 për ndotje të mjedisit. Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ushtroi kontroll në fabrike ndërsa konstatoi se ajo shkarkonte ujërat e ndotura industriale në lumin Fan, duke sjellë si pasojë ndotjen e tij. Fabrikës iu vendos atë vit një gjobë 2 milionë lekë për shkeljen e kryer.
Situata nga ndotjet e fabrikës së pasurimit të bakrit është kthyer në një shqetësim për banorët e Fushë-Arrëzit. Ndotja nga mbetjet e fabrikës së bakrit “BerAlb”, është rast i përsëritur.
Në kuadër të një projekti mjedisor nga Green- Al, zbatuar nga qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (TIL), se bashku me 2 organizata të tjera, qendra ‘Fol’ dhe qendra për Zhvillim dhe Integrim, kryen pak javë më parë (qershor 2025) matjet në Fushë-Arrëz, qoftë të ujit, qoftë të tokës. Projekti i cili mbështetet nga qeveria suedeze, përfshin dhe zona të industrisë minerare në Has.
Momenti i marrjes së kampioneve në lumin Fan nga ekspertë kimistë të qTIL
Drejtori i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, Sami Nezaj shpjegon se matjet janë bërë në 4 pika, ku 2 prej tyre kanë rezultuar të ndotura, njëra është pika e ujërave që dalin direkt nga fabrika dhe pjesa tjetër rreth 4 km në drejtim të rrjedhës së lumit Fan, në fshatin Shpozë.
“Ndotja pati një impakt, qoftë në media dhe komunitet, cfarë bëri që të verifikonim nivelin e ndotjes aty ku kishte ndodhur, në Fushë Arrëz. Bëmë set analizash, analizë të dherave dhe ujërave që ishin të ndotura, por edhe ujërave që ndodhen në largësi nga pika e ndotjes si edhe të ujërave para se të futeshin në zonën e ndotur. Në fshatin Shpozë, kemi bërë analizën e llumit. Matjet janë bërë në 4 pika, 2 pika kanë rezultuar të ndotura, njëra është pika e ujërave që dalin direkt nga fabrika dhe pjesa tjetër rreth 4 km nga fabrika, në fshatin Shpozë, në lumë”, tha Nezaj.
Duke u ndalur në rastin e fabrikës së pasurimit të bakrit, rezultatet e matjeve janë shqetësuese, ndotje që lidhet drejtpërdrejt me aktivitetet industriale në zonë. Prania e hekurit në ujë në këtë zonë, u dokumentua 12 herë më i lartë se normat e BE-së, alumini disa herë më shumë.
Krahasimi i parametrave të kampionit të ujit që rrjedh nga dampa me kufijtë e VKM 379/2014
tab 2 Krahasimi i parametrave të kampionit të ujit që rrjedh nga dampa me kufijtë e VKM 379
Tab: Vlerësimi i ujërave që rrjedhin nga dampat e fabrikës
Prof. Dr. Sokol Abazi thekson se kjo është një ndotje e akumuluar ndër vite dhe se ekspozimi afatgjatë ndaj këtyre metaleve përbën rrezik serioz për shëndetin publik, pasi këto ujëra të ndotur mund të kontaminojnë edhe ujërat nëntokësorë.
“Nga rezultatet e marra, në dy prej pikave ujërat janë të ndotur. Analiza e llumit, për hekurin është 7 herë më i lartë se niveli i lejuar në Komitetin Evropian, alumini, plumbi, që janë metale të rënda dhe kanë efekt të madh në cilësoni e ujit. Nivelet janë të larta, metalet e rënda kanë impakt negativ në cilësinë e ujit, por edhe të gjallesës. Nivelet janë tejkaluar në ato norma që duhen. Ndotja janë akumuluar ndër vite, nuk është rastësore. Impakti i tyre në gjallesa është i madh, por ato ujëra sipërfaqësor nesër mund të kalojnë nëpër ambiente apo terrene që do të kontaminojnë edhe ujërat nëntokësor. Ato ujëra mund të përdoren edhe si ujëra të pijshëm, dhe kjo do ishte fatale”, shprehet Prof. Dr. Sokol Abazi.
Vlerësimi i kampionit të tokës (llumi – dalja e qytetit, Shpozë)
tab 1 Vlerësimi i kampionit të tokës
Tab: Vlerësimi i llumit ne shtratin e lumit Fan
Të dy u bëjnë thirrje institucioneve për reagim, duke theksuar se duhet të ketë kontrolle periodike dhe masa për reduktimin e ndotjes.
“Institucionet se kanë krye detyrën, të gjitha kompanitë minimumi paguajnë një taksë për ambientin dhe me pagesën e një tarife për ambientin ata mbyllen gjithçka. Kontrollet duhet të jenë periodike dhe pas çdo kontrolli duhet të ketë feedback dhe përmirësim ”, tha Nezaj.
“Duhet strategji që të gjitha këto hotspote të dresohen dhe të reduktohet impakti që kanë në mjedis. Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të pajiset me laboratorë të avancuar. Mesa di unë financimet dhe investimet që venë në atë laborator janë të limituara. Kapacitetet e shtet për të kontrolluar duhet të rriten se vetëm atëherë do mund të jemi më në alert”, u shpreh Prof. Dr. Sokol Abazi.
Ekspertët thanë se uji dhe toka sipër fabrikës, në drejtimin e kundërt të rrjedhës së Fanit, ishin të pastra, ndërsa ato në drejtim të rrjedhës, të ndotura, duke bërë të qartë, se burimi i ndotjes është fabrika e pasurimit të bakrit.
Fabrika është dhënë me koncesion që prej vitit 2001 dhe do të vazhdojë të operojë deri në vitin 2043, bazuar në kontratën koncesionare të lidhur me kompaninë Beralb Sh.a. Kjo shtesë kontrate i është bërë marrëveshjes fillestare të vitin 2017.
Sipas Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Drejtorisë së Mjedisit dhe Ujërave, aktiviteti i fabrikës është pezulluar që në vitin 2023 për shkak të ndotjes së konstatuar. Megjithatë, kompania ka paditur vendimin në gjykatë dhe ka përfituar masën e sigurimit të padisë, duke vijuar aktivitetin deri në përfundim të procesit gjyqësor. “Fabrika është pezulluar, por me sigurim padie mund të punojë derisa të ketë një vendim përfundimtar të gjykatës. Në këtë moment, ne nuk kemi më kompetenca për të ndërhyrë,” i tha Top Channel në maj të 2025 një nga inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Mjedisit.
Banorët e fshatrave që konsumojnë për bujqësi e përdorim të përditshëm ujin e lumit thonë se uji është i dëmshëm për bujqësi dhe gjallesat e zonës.
Ndërsa një banor që kishte kopshtin e tij ngjitur me dampat, tha se produktet e kopshtit nuk zhvillohen dhe nuk piqen kurrë, përfshirë dhe rrushin. Ai tregoi në gjendje gjysëm të tharë perimet në kopshtin e tij ndërsa ndodhej jo më shumë se 50 metra nga dampa më e afërt e fabrikës ku edhe era e piritit ishte gjithandej.
Ndue Zaja, banor i fshatit Gjegjan në Fushë-Arrëz i tha pak kohë më parë gazetarit Merxhan Daci se “Shumë gjallesa kanë ngordhur, si p.sh. bretkosat, peshqit, gjarprinjtë. Bagëtitë tona nuk e pijnë ujin e lumit. Ne nuk e vadisim dot tokën se bimët thahen”.
Në fakt banorët e fshatrave që lagen nga ky lumë si Shpoz, Gjegjan, Kavlinaj, Breg, Gojan, Shkozë prej afro 20 vitesh nuk e kanë përdorur gjerësisht ujin e lumit.
Por një vit më parë edhe me këmbënguljen e bashkisë së Fushë Arrëzit, fabrika përmirësoi procesin e filtrimit dhe flotimit duke ulur ndjeshëm ndotjen e ujërave që qarkullojnë gjatë procesit apo ato që clirohen nga dampat. Kanali ujitës që nis në Shpoz filloi të furnizonte me ujë tokat bujqësore dhe të ushqente nevojat e ndryshme të fshatarëve për përdorimin e tij.
Megjithatë rezultati është i pjesshëm dhe ndodh që proceset ekologjike në fabrikë të degradojnë dhe të ndodhin incidente si ai i muajit maj 2025, kur ujëra të ndotura u lëshuan në lum duke krijuar një situatë të rëndë mjedisore e cila pavarësisht ndërhyrjeve në fabrikë, akomodohet për një kohë të gjatë në shtratin e lumit dhe në linjat e përdorimit të ujit në fshatra.
Fshatarët ndërprenë sërish furnizmimin duke krijuar vështirësi për jetën e tyre të përditshme.
“Shtimi i vazhdueshëm dhe në sasi të madhe i bakrit, zakonisht nga aktivitetet industriale, mund të ndikojë në ndryshimin e raportit midis përbërësve të ndryshëm kimikë të ujit, rrjedhimisht ndikon edhe në prishjen e cilësisë së tij. Vetëm një numër i kufizuar llojesh mund të tolerojë këtë ndryshim, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë të ndjeshëm në aspektin ekologjik dhe mjedisor, të cilët mund të zhvendosen (nëse e kanë të mundur) në një pjesë tjetër të lumit, ose të ngordhin, siç ndodh në shumicën e rasteve”, tha për Faktoje, Sajmir Beqiraj, hidrobiolog, njëkohësisht profesor në Universitetin e Tiranës.
Sipas tij nëse lumi përdoret për ujë të pijshëm, ose është i lidhur me ujëra nëntokësorë që mund të shërbejnë si burime të ujit të pijshëm për banorët e zonës, ndikimi i ndotjes është i drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut. “Për sa i përket ndikimit në aspektin social-ekonomik, ndotja e përhapur me anë të ujit, krahas habitateve të egra natyrore, mund të dëmtojë edhe tokat bujqësore, bimët e kultivuara, drurët frutorë, bagëtitë dhe kafshët e tjera shtëpiake që përdorin ujin dhe habitatet e zonës”, citohet Beqiraj nga Faktoje.
Ndotja i ka shoqëruar banorët e zonës për shumë kohë aq sa edhe reagimi i tyre ka qënë i vazhdueshëm. Në vitin 2013, banorët protesuan tek fabrika ndër të tjera edhe për shkak të ndotjes së tokës, ujit, ajrit. Por reagimi i tyre është gjithmonë i zbehtë. Fabrika për shumë banorë të Fushë Arrëzit do të thotë punë dhe paga. Atje ka rreth 200 punëtorë të niveleve të ndryshme dhe shërben si burim për jetesën e përditshme për shumë familje në zonë, përfshirë edhe zonat që ndikohen nga ndotja.
Ndotja e lumit ka lënë larg edhe turistët e mundshëm, sidomos ata që janë të dhënë pas ngjitjes në male apo frekuentues të shtëpive malore dhe qetësisë absolute të natyrës. Fushe-Arrëzi është një qytezë e vogël që ndodhet mes pyjeve dhe ujrave. Ajo është zemra urbane në kurrizin e Munellës, një masiv me pyje pishe, ahu e lisi dhe me monumente natyrore si ujvara e Kryeziut apo liqeni artificial i Qafë-Mollës në luginën e Fanit. Qyteti nisi jetën e tij në vitet ‘50 si qendër e shfrytëzimit dhe përpunimit të lëndës drusore por sot është qendra ku përpunohen mineralet nga minierat e Tuçit dhe Munellës, cfarë i ka krijuar një ekosistem të ndjeshëm si rezultat i industrisë nxjerrëse (katalogu “Munella” i PPNEA).
Megjithatë në dalje të Fushë Arrësit, fare afër urës që lidh qytetin me lagjen Shpoz është hapur një restorant i ri “Mish n’tra” si një sfidë ndaj ndotjes industriale përmes produkteve të zonës e vecmas produkteve të pyllit shumë më tepër se sa produkteve të tokave bujqësore. I zoti i tij, Dionis Tuci, një i ri i sapokthyer nga emigrimi në Itali ka miksuar guzhinën veriore të Italisë me atë të veriut shqiptar duke ofruar në tryezë freskinë e produkteve të pyllit dhe përpunimin me teknikat e vjetra të malësorëve të mishit dhe nënprodukteve të tij, vecmas mishit të derrit.
Restoranti atipik në Fushë Arrëz,’Mish n’tra’ dhe pronari i tij Dionis Tuçi
Deri ku shkon ndotja
Studime të kohëve të fundit për fabrikën e pasurimit në Fushë-Arrëz dhe depozitatat e mbetjeve (tailings) e lidhin ndotjen e ujërave me proceset e acidifikimit nga piritet (acid mine drainage). Kur piritet nuk ndahen gjatë flotacionit dhe shkojnë bashkë me skoret, përmbajtja acide rritet dhe për pasojë çlirohen elementë toksikë. I njëjti hulumtim nënvizon se blloku Fushë Arrëz-Mirditë ka pasur deri në 25 miniera bakri dhe 3 fabrika pasurimi njëkohësisht, me miliona ton skorie në dampat pranë impianteve, një trashëgimi e madhe rreziku mjedisor.
Punime akademike mbi skoriet e Repsit tregojnë se “tailings” me përmbajtje të lartë sulfidesh prodhojnë pjesën më të madhe të aciditetit neto, edhe kur për nga volumi janë pakicë; ky konstatim shpjegon pse përbërja e mbetjeve (jo vetëm sasia) kushtëzon rrezikun. Ky është një paralajmërim i drejtpërdrejtë për çdo dampa aktive apo e braktisur në luginat e Fanit por edhe në zona të tjera të indsutrisë së bakrit si në Golaj, Vau i Dejës etj.
Në vitin 2021, revista shkencore Sustainability publikoi një studim ku u analizua impakti ambiental i mbetjeve minerare (tailings) në zonën e Fushë‑Arrëzit. Hulumtuesit, ndër të cilët përfshihej edhe Agim Sinojmeri nga Universiteti Politeknik i Tiranës, studiuan ndryshimin midis mbetjeve të pasura me pirit (për shkak të flotacionit të vetëm) dhe mbetjeve me pak pirit (për shkak të flotacionit të dyfishtë që përjashtonte piritin). Rezultatet treguan se uji që vinte në kontakt me tailings të pasura me pirit ishte më acid dhe përmbante më shumë metale të rënda sesa ai që rridhte nga tailings të varfra në pirit, duke sinjalizuar rrezikun mjedisor të procesit të shndërruar nga flotacioni i vetëm. Autorët sugjerojnë se ndarja e piritit përpara depozitimit mund të ulë ndjeshëm ndotjen dhe të kontribuojë në zhvillime më të qëndrueshme industriale.
Një studim i vitit 2018 për zonën e Rubikut dokumenton histori shumëvjeçare të hedhjes së mbetjeve metalmbajtëse që kanë sjellë përqendrim të metaleve të rënda në ujërat sipërfaqësorë. Burimet minerare dhe sistemet e dobëta të menaxhimit kanë lënë gjurmë të vazhdueshme në ujëra.
Në sedimentet e lumenjve Fan dhe Mat janë raportuar nga studime te ndryshme, prani metalesh (p.sh. Zn, Cu, Ni, Pb, As) prani e cila lidhet me veprimtari minerare në pellgun ujëmbledhës, duke theksuar rrezikun kumulativ të sedimenteve si rezervuar afatgjatë ndotësish.
Kjo përforcon edhe gjetjet e analizave të QTIL për tejkalime të konsiderueshme të pranisë së metaleve ë rënda në llumin e lumit Fan në dalje të qytetit të Fushë Arrëzit.
Gjetjet për alumin/hekur shumë mbi normë në kanalin e dampës dhe për metalet e rënda të akumuluara në llumin e daljes së qytetit përputhen me mekanizmin e acidifikimit nga piritet dhe lëshimin e elementëve toksikë nga dampa të pasura me sulfide, të dokumentuar nga studimet rreth zonës. Edhe kur uji në dalje të qytetit del brenda kufijve për As, Cd, Pb, Ni, Cr, Cu, sedimentet mund të jenë ende një “bankë” ndotësish që lëshon ngarkesë ndotëse në reshje.
Rastet Fushë-Arrëz–Reps–Rubik, ku kanë funksionuar ose funksionojnë impiante të pasurimit të bakrit, formojnë një rrjet ndotjeje në të njëjtën zonë minerare, ku cilësia e ujërave varet drejtpërdrejt nga mënyra si menaxhohen mbetjet ose skoriet (sidomos përmbajtja e piritit) dhe nga disiplinimi i derdhjeve.
Projekti GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024 – 2027”, financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

















