Juxhin Drazhi në pranga
Arrestohet në Spanjë 34-vjeçari shqiptar i kërkuar nga SPAK për trafik droge.
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted” dhe bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, policia spanjolle ka vënë në pranga një 34-vjeçar shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I arrestuari është identifikuar si Juxhin Drazhi, i cili pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë. Policia bën me dije se ndalimi u realizua pas një koordinimi të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre spanjolle.
Sipas njoftimit zyrtar, Drazhi kërkohej nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila në prill 2025 i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzat: trafikim i lëndëve narkotike në formën e veçantë të bashkëpunimit, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.
Operacioni “The Wanted” është pjesë e një fushate të gjerë të autoriteteve ligjzbatuese për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke forcuar bashkëpunimin mes policive të vendeve anëtare të Interpolit. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












