Rama gënjeu kur sulmoi gjyqtarin e Administratives. Balliu shpjegon vendimin

Shares

Gjyqtari i Administratives në Tiranë dhe më herët edhe në Lushnjë, Hazbi Balliu tha se ndryshe nga sa pretendonte kryeministri, vendimi i tij nuk hiqte konfiskimin mbi godinën, por pezullonte tjetërsimin e saj.

“Vendimi është një sigurim padie, përndryshe nga sa thotë kryeministri, nuk heq konfiskimin, thjesht u lejon pronarëve të kontestojnë në rrugë gjyqësore rastin, duke pezulluar ekzekutimin e vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara,” tha ai për BIRN.

Balliu shtoi më tej se nuk shqetësohej nga kritikat por tha se ishte prekur nga deklarata e kryeministrit që e cilësonte atë “të pacipë”.

“Ajo që më ka prekur është që më ka thënë ‘i pacipë’. Nuk e di ku kryeministri ka parë që unë jam sjellë si i pacipë? Nëse ka prova që unë jam i pacipë, duhet ta bëjë këtë të besueshme për publikun dhe të tregojë ku apo si,” shtoi ai.

Çështja bën fjalë për një hotel 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik, i ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit nga kompania RT Max në pronësinë e Thanas dhe Robert Biqikut e cila ishte në listën e godinave të konfiskuara me vendim të KKT-së, por ndryshe nga pallatet e tjera, kompanisë nuk iu dha e drejta e parablerjes edhe pse depozitoi 10% të vlerës së supozuar të ndërtimit në Ministrinë e Financave.

Në qershor të këtij viti, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara vendosi ndryshimin e destinacionit të godinës në zyra për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pasi godina ekzistuese që ndodhet në afërsi të Parkut të Liqenit ishte vlerësuar si godinë me rrisk si pasojë e tërmetit të vitit 2019.

Kompania RT Max u ankua në Gjykatë me një kërkesë për sigurim padie ndaj vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara.

Gjyqtari Hazbi Balliu është një magjistrat i ri, i diplomuar në vitin 2019 në Shkollën e Magjistraturës. Prej asaj kohe, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatat Administrative të Gjirokastrës, Lushnjes dhe së fundmi të Tiranës. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...