Kreu i PD, Sali Berisha ka bërë sot publike një letër që ministri i Jashtëm Igli Hasani u ka bërë vëzhguesve ndërkombëtarë me vërejtje në lidhje me raportin e tyre paraprak për zgjedhjet e 11 majit.
Berisha ka komentuar letrën të cilën e gjeni të plotë në fund të këtij lajmi.
“Toni, thotë ky ministër, që vetëm ministër nuk mund të quhet, dhe vendosja, pozicionimi, inkuadrimi i këtij seksioni të hapjes, pra i kësaj hapje të raportit, rrezikon të errësojë kontekstin e gjerë të përparimit, përfshi këtu përmirësimet e ndjeshme demokratike, siç është rritja e transparencës dhe avancimi me teknologjinë elektorale dhe konkretisht, dëgjojeni çfarë flet, futja me sukses e votimit jashtë vendit”.
Pra, procesi ekstrem e manipulimit të votës së diasporës, ai e quan të suksesshëm.
“Për më tepër, shkruan ministri i narkoshtetit, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i gjerë i burimeve të administratës, i mungon substancimi kësaj, veçanërisht në deklaratën paraprake”.
Dëgjojeni sa i verbër është ky njeri, se sa… nuk duhet të përdor epitetet që meriton.
Janë dhënë në kundërshtim flagrant me ligjin 1 miliard e 25 milionë euro për të blerë votën, të gjitha me vendime qeverie, të gjitha të ndaluara me ligj.
Ky është i fshirë nga çdo koncept.
Është një njeri pa nocionet më elementare të zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut.
Nuk i duket gjë këtij 1 miliard, në një kohë kur tjetri kundërshtar garon me 5 apo 10 milionë.
Këtij dhe Dumanit, për këtë dhe Troplinin, këto nuk ekzistojnë.
Nuk përbëjnë një pabarazi të tmerrshme që shndërrojnë zgjedhjet në farsë.
Organizimi i 4500 ngjarjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshi Giro d’Italia, nuk përbëjnë për Altin Troplinin dhe Igli Hasanin çështje të pabarazisë në garën elektorale.
Duhet të jesh i pacipë, duhet të jesh i verbër të vetëposhtërosh veten në këtë shkallë.
Po këto janë vendime qeveritare. Këto të gjitha.
Po punësimi i dhjetëra mijëra janë vendime zyrtare.
Po 138 licenca për 29 mijë hektarë plantacione kanabisi janë vendime zyrtare.
Dhe ky ka paturpësinë e një njeriu që dëshmon se është i zhveshur nga çdo parim qytetarie dhe shkruan në këtë mënyrë”, tha ndër të tjera Berisha.
LETRA E HASANIT PËR VËZHGUESIT/
Tiranë, 12 maj 2025
Për: Farah Karimi, Koordinatore Speciale dhe Udhëheqëse e Misionit Afatshkurtër të OSBE-së
Ambasador Lamberto Zannier, Shef i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR
Björn Söder, Shef i Delegacionit të AP të OSBE-së
Simone Billi, Shef i Delegacionit të AP të Këshillit të Europës
Michael Gahler, Shef i Delegacionit të PE
Më lejoni t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të sinqertë për Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025 në Shqipëri.
Në lidhje me Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake të publikuar më 12 maj 2025, dëshiroj të shpreh me respekt pritshmërinë tonë që këto raporte të pasqyrojnë në mënyrë të saktë realitetin e vëzhguar në terren gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Në këtë kuadër, më duhet të shpreh shqetësimin serioz lidhur me paragrafin hyrës të Deklaratës, i cili paraqet një pasqyrim ndjeshëm negativ dhe, sipas mendimit tonë, të paekuilibruar të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Toni dhe korniza e këtij paragrafi hyrës rrezikon të errësojë kontekstin më të gjerë të përparimeve të bëra, përfshirë përmirësimet demokratike si rritja e transparencës, avancimi i teknologjisë zgjedhore dhe, në mënyrë të veçantë, zbatimi me sukses i votimit nga jashtë vendit.
Për më tepër, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak. Për shembull, referenca në faqen 2 (paragrafi 4) për “faljen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve” nuk përfshin sqarimin e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në letrën e datës 8 maj 2025. KQZ-ja konfirmoi se projektvendimi i qeverisë për masat administrative të paekzekutuara nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.
Gjithashtu, përmendja në raport e “intimidimittë përhapur të votuesve” duket të bazohet kryesisht në akuza të pa verifikuara. Siç është bërë publikisht e ditur, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur një njësi të posaçme për zgjedhjet, për të hetuar të gjitha denoncimet e besueshme për intimidim të votuesve dhe parregullsi zgjedhore. Janë nisur disa hetime dhe janë kryer arrestime – tregues të qartë të përkushtimit institucional të Shqipërisë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar llogaridhënie.
Lidhur me përshkrimin e klimës elektorale si “shumë e polarizuar”, theksojmë se, pavarësisht mospajtimeve të forta, partia në pushtet nuk ka kundërshtuar zyrtarisht vendimet kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – përfshirë vonesën në publikimin e rezultateve të votimit elektronik dhe pezullimin e numërimit të votave nga Greqia, pas një kërkese nga opozita. Këto veprime pasqyrojnë një zgjedhje të qëllimshme për të ruajtur një klimë politike të qetë dhe konstruktive.
Në lidhje me vërejtjen se mjedisi mediatikmungon në raportim të pavarur dhe se shumica e mediave perceptohen të jenë në linjë me partinë në pushtet (faqe 3, paragrafi 2), dëshirojmë të rikujtojmë deklaratën e bërë nga Shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve gjatë konferencës për shtyp pas zgjedhjeve, duke sqaruar se “nuk duket të ketë autocensurë, siç ishte raportuar në Përfundimet Paraprake.” Ne besojmë se kjo dallim është thelbësor dhe duhet të reflektohet në raportin e shkruar.
Duke marrë parasysh këto konsiderata, i bëjmë thirrje me respekt Misionit dhe ODIHR-it që të sigurojnë një qasje më të balancuar dhe të bazuar në prova në vlerësimet e tyre. Është me rëndësi që gjetjet paraprake të mos hedhin dyshime të pajustifikuara mbi një proces zgjedhor që, siç pranohet edhe në vetë raportin, është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë profesionale dhe në përputhje me standardet demokratike.
Në fund, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen e thellë të autoriteteve shqiptare për rolin e rëndësishëm që luan misioni juaj në mbështetjen e zhvillimit demokratik në Shqipëri. Këtë reagim e ofrojmë në frymën e një angazhimi konstruktiv dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm.
Ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
IGLI HASANI
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












