Të gjithë drejtorët e Bashkisë së Durrësit, së bashku me kryetarët e njësive administrative, kanë paraqitur dorëheqjen, pas kërkesës së bërë nga Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite zyrtare më 8 korrik. Gjatë takimit me drejtues vendorë dhe deputetët e qarkut, Rama kërkoi largimin nga detyra të të gjithë drejtuesve që ndodhen aktualisht në varësi të bashkisë.
Për të vendosur se kush do të vijojë detyrën dhe kush do të largohet përfundimisht, është ngritur një komision vlerësimi i përbërë nga pesë deputetë të listës së mbyllur: Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, Loer Kume, Skënder Pashaj dhe Aurora Mara. Në këtë proces është përfshirë edhe kryetarja e bashkisë Emirjana Sako, e cila është gjithashtu drejtuese politike e qarkut.
Komisioni do të vlerësojë performancën e secilit drejtues dhe pritet të përfundojë punën brenda muajit korrik. Deri atëherë, çdo drejtues do të vijojë detyrën derisa të merret vendimi përfundimtar.
Në takim ishin të pranishëm drejtues të institucioneve në varësi të bashkisë, përfshirë drejtorin e Policisë Bashkiake Vasil Copa, drejtorin e Shërbimeve Ardian Ilazaj, drejtoreshën e Buxhetit Valbona Dako, drejtoreshën e Çështjeve Juridike Ani Rroshi dhe drejtoreshën e Burimeve Njerëzore Dhurata Gjoka.
Pas Bashkisë, në fazën e dytë të procesit pritet të kalojnë edhe drejtuesit rajonalë të institucioneve të varësisë. Ky proces ndjek të njëjtin model të ndjekur më herët në bashkitë e Vlorës dhe Fierit. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












