Zbardhet vendimi i Apelit për Erion Veliajn, pse e mbajtën më qeli ‘kryetarin’. Detaje tronditëse edhe nga përgjimet

Shares

Është zbardhur vendimi i gjyqtarit Engert Pëllumbi, me të cilin ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas gjyqtarit Pëllumbi, Veliaj paraqet një “rrezik të vazhdueshëm për pengimin e hetimeve”, pasi ai vijon të mbajë funksionin e kreut të Bashkisë Tiranë dhe ka akses të drejtpërdrejtë te vartësit, dokumentacioni zyrtar dhe mundësinë për të deformuar apo zhdukur prova. “Sjellja e tij në komunikimet e përgjuara tregon se vepron si një ‘shtet mbi shtetin’ dhe përdor median për të ushtruar presion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”, theksohet në vendim.

Gjykata thekson gjithashtu se rreziku për dëmtimin e provave është real dhe nuk mund të neutralizohet me izolim të pjesshëm. Veliaj, sipas vendimit, ka mundësi të ndalojë persona të japin dëshmi ose të ndryshojë përmbajtjen e tyre në dobi të vetes.

Në argumentet për lënien në burg të Veliajt, gjykata përmend edhe rrezikun e arratisjes. Gjyqtari Pëllumbi nënvizon se, pavarësisht se Veliaj është baba i një fëmije të mitur, ky fakt nuk e zbeh rrezikun e largimit nga drejtësia, për shkak të burimeve financiare, lëvizjeve të shumta jashtë vendit dhe dënimeve të rënda që përballon për akuzat.

Gjykata shprehet se ekziston edhe frika e përsëritjes së veprave penale, veçanërisht në fushën e pastrimit të parave, që dyshohet se janë rezultat i korrupsionit të kryer gjatë ushtrimit të detyrës. Referuar provave në dosje, kjo veprimtari dyshohet se është zhvilluar në mënyrë sistematike dhe në shuma të mëdha.

Gjykata vlerëson se për personin nën hetim Erion Veliaj ekziston edhe rreziku i recidivizmit në kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në arritjen e këtij përfundimi gjykata mban në konsideratë faktin se, referuar rrethanave të çështjes, ekzistojnë të dhëna që çojnë në konkluzionin se veprimtaria e pastrimit të produkteve të veprës penale të korrupsionit në rastin konkret është kryer për një kohë të gjatë dhe në shuma të konsiderueshme, sikurse u arsyetua më lart. Për këtë shkak, me qëllim shmangien e përgjegjësisë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, në bashkëpunim (nëntë herë), e parashikuar nga nenet 260-25 të Kodit Penal, është evidente që personi nën hetim do të përpiqet të fshehë origjinën e vërtetë të shumave të parave ose sendeve të luajtshme apo të paluajtshme…” thuhet në vendim.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e vendimit ka të bëjë me refuzimin e garancisë pasurore të ofruar nga Veliaj. Sipas gjykatës, vendosja e një shume parash si garanci për një zyrtar të lartë të akuzuar për përfitime të paligjshme është në thelb në kundërshtim me natyrën e veprave për të cilat ai po hetohet.

Një masë e tillë jo vetëm që, sikurse u theksua, nuk kënaq shkallën e nevojave të sigurimit, por në të njëjtën kohë nuk përputhet me natyrën e veprave që dyshohet të ketë kryer ky person nën hetim, të cilat lidhen pikërisht me përfitimin e parregullt gjatë ushtrimit të detyrës të shumave monetare e pasurive të tjera si dhe me fshehjen e burimit të këtyre përfitimeve. Pra, vendosja e një shume parash si garanci për lirinë e një zyrtari të lartë konsiderohet krejtësisht në kundërshtim me natyrën e veprave penale që synojnë pikërisht mbrojtjen e marrëdhënieve juridike të vendosura për të parandaluar marrjen prej zyrtarëve në fjalë të përfitimeve të parregullta dhe fshehjen më pas të origjinës së këtyre përfitimeve” argumenton në vendim gjyqtari Pëllumbi.

Gjykata ndalet edhe te përgjimet e realizuara brenda qelisë së burgut në Durrës, ku Veliaj, në një bisedë me bashkëshorten Ajola Xoxa më 7 mars në orën 23:22, flet hapur për pronësinë e vilës në Qerret – pronësi të cilën ai e kishte mohuar në mënyrë të vazhdueshme më herët. “Po pse, ça do të të ndalojë njeri të shkosh te shtëpia në Qerret, do të të ndalojë ajo Risena, aman…”, shprehet Veliaj gjatë bisedës së përgjuar.

Ky vendim i Apelit të GJKKO-së vjen si një konfirmim i masës së dhënë më 10 shkurt nga Shkalla e Parë. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...