Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim 9 ish-zyrtarët e përfshirë në fraksionin e ndarë të dosjes 5D, të akuzuar për shkelje në tendera publikë. Procesi ndaj tyre do të zhvillohet me procedurë të shkurtuar, duke u garantuar një ulje prej 1/3 të dënimit në rast të një vendimi fajësie.
Sipas SPAK, kompania “5D Konstruksion”, e zotëruar në mënyrë indirekte nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish-drejtorë në institucione të varësisë së Bashkisë Tiranë, ka përfituar tendera në mënyrë të paligjshme nga “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Hetimet zbuluan se në vitin 2020, Deborah Keçi, si drejtuese e “Klubit Sportiv Tirana”, në bashkëpunim me tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka krijuar avantazhe të padrejta për “5D Konstruksion” sh.p.k në një procedurë tenderimi.
Po ashtu, në vitin 2019, Eglantina Zere, si drejtuese e “Tirana Parking”, në bashkëpunim me katër persona të tjerë, ka favorizuar kompaninë V.A.S, të cilën SPAK e cilëson si të lidhur me 5D, për të fituar një tender rikonstruksioni.
Ndërkohë, fraksioni kryesor i dosjes, ku përfshihen ish-drejtorët Redi Molla, Arben Tushe dhe Mariglen Qato, si dhe administratorët e kompanisë, ndodhet ende në fazën e kërkesave paraprake. Edhe ata kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
Në lidhje me fraksionin e dytë të dosjes “5D”, SPAK ka marrë të pandehur 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, më konkretisht dy ish-drejtoreshat Deborah Keçi dhe Eglantina Zere, si dhe ish-zyrtarët Teuta Guri, Rejnaldo Gjerazi, Jetjon Mera, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati.
Të 9 të pandehurit akuzohen vetëm për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Dosja e parë që tashmë SPAK ka mbyllur hetimet dhe është gati ta çojë në gjykatë, përbëhet nga 7 të pandehur, të cilët janë veçuar, si: Redi Molla, me detyrë ish-Drejtor i Ujësjellësit Tiranë; Mariglen Qato, ish-drejtor në departamentin Mbështetës; Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashki; Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit; Julian Zanaj, Drejtor i Prokurimeve në Bashki; Albano Janku, Drejtor i Planifikimit të Burimeve Njerëzore në Bashki; Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion”. Akuzat që rëndojnë mbi ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës janë korrupsion pasiv dhe aktiv, refuzim për deklarim, shkelje të barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera. r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












