Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke i konsideruar ato si një kërcënim të hapur ndaj drejtësisë. Në një deklaratë të fortë, Shehaj theksoi se përballja mes drejtësisë dhe politikanëve të korruptuar ka arritur kulmin dhe qytetarët duhet të zgjedhin anën e tyre.
“Plasi lufta! Drejtësia nga një anë, të korruptuarit nga ana tjetër,” u shpreh ai, duke iu referuar një deklarate të Ramës, ku ky i fundit ironizoi hetimet përmes një fjale të koduar mbi telefonat e sekuestruar nga SPAK.
Sipas Shehajt, kjo është një përpjekje për të trembur dhe frenuar hetimet ndaj korrupsionit të nivelit të lartë. “Do të bëhen të gjithë bashkë, do t’i vërsulen drejtësisë. Ka ardhur momenti të vendosim me kë jemi!”
Deputeti opozitar e bëri të qartë se ky është një moment kyç për qytetarët shqiptarë: “Jemi me drejtësinë apo me të korruptuarit? Jemi me moralin apo me hajdutët që duan të mbajnë pushtetin?”
Shehaj theksoi se e ardhmja e vendit nuk mund të mbetet në duart e atyre që kanë ndërtuar karrierat e tyre përmes pazareve dhe korrupsionit, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen: “Pushteti është në duart tuaja. E vendosni ju me votën tuaj se kush do ta fitojë këtë betejë!”
Ky reagim vjen në një kohë kur tensionet mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë janë rritur pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












