Në një takim të ngrohtë e plot emocion me diasporën shqiptare në Belgjikë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, mbajti një fjalim të zjarrtë, ku falenderoi të pranishmit për mikpritjen dhe përkushtimin e tyre ndaj çështjes shqiptare. Ai përcolli gjithashtu përshëndetjet e liderit të PD-së, Sali Berisha, duke theksuar rolin e rëndësishëm të diasporës në sfidat që përballon vendi.
“Diaspora shqiptare është shpresa jonë për ndryshimin, për të kthyer Shqipërinë në rrugën e saj të natyrshme drejt Europës, një rrugë që sot është ndërprerë nga bandat dhe narkotrafiku i Edi Ramës,” tha Noka. Ai shtoi se gjendja në Shqipëri është emergjente dhe se shqiptarët kanë nevojë për një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një rrugë shprese dhe zhvillimi.
Sekretari i përgjithshëm i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin sistematik të institucioneve dhe për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. “Në vend të një qeverie që punon për qytetarët, Shqipëria ka një narkoqeveri që përfaqëson interesat e krimit të organizuar,” theksoi ai. Duke iu referuar premtimeve të pambajtura të Ramës, Noka kujtoi se vendi ka humbur mbi një milion qytetarë për shkak të politikave të dështuar ekonomike dhe sociale.
Ai kritikoi ashpër menaxhimin e sistemit shëndetësor, sigurisë publike dhe financave, duke e cilësuar qeverinë aktuale si “më të korruptuarën në historinë e Shqipërisë.” Sipas Nokës, Rama dhe qeveria e tij po përdorin buxhetin e shtetit për përfitime personale, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e keqqeverisjes.
Në fund të fjalimit, Noka bëri thirrje për bashkim dhe angazhim të diasporës në luftën për ndryshim. “Ju jeni zëri i Shqipërisë së lirë dhe të drejtë. Vetëm bashkë mund ta shpëtojmë vendin nga kjo katastrofë dhe t’i kthejmë shqiptarëve dinjitetin dhe shpresën,” përfundoi ai. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












