Dritëhijet ligjore tek vendimi i Komisionit të Ligjeve për të shkarkuar Presidentin

Dritëhijet ligjore tek vendimi i Komisionit të Ligjeve për të shkarkuar Presidentin

78
0
Shares

Në Shqipëri, komisioni parlamentar i ligjeve i propozoi sot parlamentit të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, “për shkelje të rënda të Kushtetutës”, para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve të 25 Prillit, Komisioni e miratoi sot me 14 vota pro dhe 1 kundër raportin, i cili pritet të shqyrtohet gjatë seancës së nesërme në parlament.

Vendimi u mor pa u zhvilluar një seancë dëgjimore me presidentin Meta, data për organizmin e së cilës u kthye në një përplasje mes palëve. Rregullorja e parlamentit përcakton në nenin 112, pika 2, se “Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.”

Të mërkurën, Komisioni i Ligjeve mori një letër nga institucioni i Presidencës, si përgjigje të një shkrese dërguar më parë ku njoftohej mbajtja e seancës së parë për vlerësimin e kërkesës së deputetëve socialist për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Letra e cila ngrinte pikëpyetje për arsyet e njoftimit të marrë nga Komisioni, dhe e konsideronte nismën për shkarkim “një përpjekje të dëshpëruar të një parlamenti ilegjitim”, ndërthurej me evidentimin e një sërë “faktesh ulëritëse…për krimet zgjedhore”, me të cilat, duhej, sipas presidentit, të merrej Komisioni i Ligjeve. Letra mbyllej me gatishmërinë e Kreut të Shtetit “për t`u takuar, diskutuar e për tu shprehur me Komisionin e Ligjeve” për sa ai kishte parashtruar, në datën 10 Maj.

Pavarësisht se shkresa e Presidentit nuk ishte një kërkesë eksplicite nga ana e tij për t’u shprehur në Komision, siç e parashikon rregullorja, ajo u interpretua si e tillë nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të cilët i lanë afat Kreut të Shtetit më pak se 24 orë, që të paraqitej të enjten në orën 11.00. Në përgjigjen që Komisioni mori sot nga Presidenca, kjo e fundit i referohej atij momenti të po të njejtit nen të Rregullores së Parlamentit, ku përcaktohej se Komisioni duhet t’i “lerë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve”, duke nënvizuar se “harku kohor prej më pak se 24 orësh, kurrësesi nuk mund të klasifikohet si “kohë e mjaftueshme”. Rregullorja e Kuvendit ju njeh të drejtën për të kryer një vlerësim dhe të hartoni një raport brenda një harku kohor prej (15) pesëmbedhjetë ditësh, afat i cili përfundon në datën 15 Maj 2021. Edhe për këtë arsye nuk keni pse të nxitoheni për ta realizuar këtë proces brenda një dite, duke shkelur çdo normë në fuqi…

Por kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, tha se “neni 112/2 i Rregullores së Kuvendit i jep, i njeh dhe i garanton të drejtën presidentit të dëgjohet në komisionin e ligjeve, si dhe detyrimin e komisionit të ligjeve mundësinë të shprehet në këtë komision. Ndërsa lidhur me kohën në dispozicion është në vlerësimin e komisionit të ligjeve për të përcaktuar datën dhe orën e mbledhjes se kur presidenti i Republikës të vijë të shprehet në këtë komision”. Presidenti, sipas tij, nuk mund të kishte gjë më të rëndësishme se sa një kërkesë për shkarkimin e tij, por me këtë shtyrje kohe, që kërkoi deri të hënën, synoi të tejkalohen afatet ligjore, u shpreh zoti Manja, ndërsa dhe të tjerë anëtarë socialist të Komisionit e cilësuan si një përpjekje të Kreut të Shtetit për të penguar ngritjen e Komisionit hetimor ndaj tij.

Në shkresën e tij presidenti në fakt shpjegonte se dita e sotme ishte e zënë me aktivitete të rëndësishme. “Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit”, thuhej në shkresën e Kabinetit të Presidentit ku bëheshin me dije takimet me ministren Federale për Çështjet Europiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë Karoline Edtstadler, dhe më pas me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Në mbrëmje zyra e Kreut të Shtetit publikoi dhe korrepondencën me ministrinë e Jashtme, përmes së cilës, që prej disa ditës ishte fiksuar takimi me ministren austriake në orën 11.15.

E gjithë kjo përplasje mes palëve, e ka zanafillën në nxitimin e socialistëve për të ngritur Komisionin hetimor brenda datës 9 maj, që përkon dhe me fillimin e katërmujorëshit të fundit të parlamentit, afat pas të cilit nuk mund të ngrihen komisione hetimore. Por në të njejtën kohë, deputetët janë të detyruar të respektojnë me përpikmëri edhe procedurat, sepse nëse parlamenti do të arrijë të sigurojë votat për shkarkimin e Kreut të Shtetit, vendimi i fundit i takon Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit, përveç vlefshmërisë së argumentave, do të vlerësojë edhe ecurinë e gjithë procesit, nëse ka qenë ose jo në përputhje me përcaktimet ligjore. Konflikti për datën, që pasoi me mungesën e një seance dëgjimore, mund të përbëjë një element i cili rrezikon të ngrejë pikëpyetje mbi një proces të rregullt dhe ligjor. VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY