Gjykata Administrative ndalon Erion Velinë të prishë pallatet e padëmtuara nga tërmeti...

Gjykata Administrative ndalon Erion Velinë të prishë pallatet e padëmtuara nga tërmeti në Kombinat

107
0
Shares

Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të premten pezullimin e çdo veprimi për prishjen e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kombinat, ndërkohë që në këtë zonë Kryeministri ka premtuar se do të shemben 23 ndërtesa të tilla.

Banorët e pallatin nr. 146, në rrugën “Sokrat Mosko” në lagjen Kombinat iu drejtuan gjykatës pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur prishjen e ndërtesës me argumentin se objekti ka dëmtime të konsiderueshme.

Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak në shtator të vitit 2020, por në gjykatë banorët prezantuan prova dhe ekspertë se vendimmarrja është marrë mbi fakte të pavërteta dhe të manipuluara nga Instituti i Ndërtimit. Dëmtimet reale janë vetëm të dorës së dytë, më së shumti dëmtime të suvasë. Madje, në aktin e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit pallati në fjalë është paraqitur vetëm gjysma e sipërfaqes reale, me qëllim për të nxjerrë një kosto të ulët rindërtimi që të justifikohet shembja e tij për rindërtim. Por, “rindërtimi” nuk thuhet se do bëhet në të njëjtin vend, duke rrezikuar që banorët të spostohen në një zonë më periferike të qytetit dhe kështu t’i hapet rrugë përdorimit të truallit sipas një plani të Bashkisë që nuk i përfshin më banorët aktualë.

Aktet e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit janë kontestuar nga banorët e prekur, por është hera e parë që gjykata vendosi pezullimin e vendimeve administrative për prishjen e ndërtesës deri në gjykimin e plotë të çështjes.

Manipulimi i akteve të ekspertimit

Pallati ku jeton F.D. në kombinatit është një prej 7905 objekte të vlerësuara në aktin e ekspertimit të hartuar nga Instituti i Ndërtimit, si i dëmtuar për shkak të tërmetit të ndodhur më 29 nëntor të vitit 2019. Por ky pallat nuk është shpallur i pabanueshëm. Në një situatë të ngjashme është edhe pallati tjetër, me numër 145, përbri. Aktualisht ky pallat është në gjendje të mirë strukturore dhe banorët jetojnë normalisht.

Ka mjaftuar një akt i përciptë ekspertimi nga Instituti i Ndërtimit që një vit më vonë Bashkia e Tiranës ta vendosë ndërtesën në listën e atyre objekteve që duhet të shkatërron në zonën e Kombinatit, që sipas Kryeministrit Edi Rama janë 23 objekte të tilla që do të shkatërrohen krejtësisht.

Pas vendimmarrjes së shembjes nga Këshilli Bashkiak Tiranë, Bashkia miratoi edhe lejen e ndërtimit, ndërkohë që banorët as që ishin në dijeni për këtë vendim, deri sa nisën të shfaqen fadromat në Kombinat.

Kryetari i Asamblesë së banorëve Edmond Çata iu drejtua avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule për të mësuar legjitimitetin e vendimeve, por ajo që u zbulua ndoshta përbën skandalin më të madh të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri. Akti i ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Bashkisë së Tiranës, ishte i manipuluar në fakte dhe në shifra.

Në kërkesën për sigurimin e padisë së dërguar në gjykatë paraqiten të gjitha provat të cilat vërtetojnë manipulimin e bërë në aktin e ekspertizës, të paktën për ndërtesën në rrugën “Sokrat Mosko” në Kombinat.

“Sipas ekspertëve të Institutit të Ndërtimit preventive i vlerës së punimeve të përforcimit të llogaritura në vend është 34.596.519 lekë. Theksojmë se kjo vlerë është nxjerrë duke pasur parasysh dëmtimet konkrete që kapësuar godina pas tërmetit. Ndërsa kur është bërë llogaritja totale e vlerës së rindërtimit të pallatit vetë akti i ekspertimit e ka nxjerrë koston 32.113 lekë/m2. Në vend ta shumëzonte me 2600 m2 e ka shumëzuar me 1230 m2, që nuk korrespondon me realitetin që po këta ekspertë pranojnë po vetë. Ndërsa sipas aktit privat të grupit me 3 inxhinierë të pajtuar nga vetë banorët, paraqitur gjykatës, janë paraqitur dy vlera alternative të kostos së riparimit, të cilat janë edhe më të ulëta nga ato të paraqitura nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit, ku njëra është 7.000.000 lekë ose 8% e vlerës së rindërtimit dhe e dyta është 17.500.000 lekë ose 21 % e vlerës së ndërtimit” – thuhet në kërkesën e sigurimit të padisë.

Banorët kanë ngritur gjithashtu edhe pretendimin që vendimmarrja e Bashkisë së Tiranës për prishjen e objektit në kombinat është marrë pa njoftuar banorët dhe pa u konsultuar me ta. Avokatët kanë sjellë si provë përgjigjen e Bashkisë Tiranë dërguar me email më 25.02.2021, ku vërtetohet se Këshilli Bashkiak nuk disponon asnjë listë të banorëve të pallatit për të cilin është marrë vendimi për shkatërrimin e objektit.

Mbi të gjitha, ekspertët e pajtuar nga vetë banorët, të cilët u paraqitën në gjykatë, bindën këtë të fundit që pallati realisht ka dëmtime të kategorive të lehta dhe nuk është aspak e vërtetë që ndërtesa ka dëme serioze. Për këto arsye gjykata vendosi pezullimin e vendimit të prishjes së objektit. Për avokaten Irena Dule ky vendim konsiderohet si hapi i parë në këtë betejë, për të mbrojtur të drejtat e banorëve kundrejt jo vetëm parregullsive të dukshme të Bashkisë Tiranë, por edhe mosbesimit të vetë banorëve që mund t’ia dilnin të fitonin ndonjë betejë kundër shtetit.

Procesi i rindërtimit të objekteve të shkatërruara nga tërmeti në Shqipëri po ecën jo vetëm me ritme të ngadalta por vendimet për prishjen e ndërtesave kanë ngjallur pakënaqësi te familjet e prekura. Deri më tani kanë ndodhur dhjetëra protesta të banorëve që kontestojnë procesin si në Shkozë, Kombinat, Vorë dhe Durrës.

Pothuajse një vit më parë, Shqipëria siguroi në konferencën e donatorëve të mbajtur në Bruksel nga Bashkimi Evropian mbi 1 miliardë euro zotim për fonde nga vende të ndryshme të botës. Nga këto fonde të premtuara, 295 milionë prej tyre ishin grante dhe 853 milionë premtime për kredi të buta, të cilat parashikonin mbështetje për projekte sociale, trajnime apo dhe pajisje të strukturave të emergjencave.respublica

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY