Fijet politike në Kosovë që bëjnë Presidente Vjosa Osmanin

Fijet politike në Kosovë që bëjnë Presidente Vjosa Osmanin

66
0
Shares

Brenda pak ditësh Vjosa Osmani do të marrë përgjigje nga Lidhja Demokratike e Kosovës nëse do ta mbështesin ose jo për presidente të vendit.

Kështu bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas një takimi që zhvilloi të mërkurën me Vjosa Osmanin, e që është kandidate për presidente, raporton radio Evropa e Lirë.

Abdixhiku e quajti pozitiv dhe konstruktiv takimin, duke thënë se subjektit të tij politik i duhet ende kohë për të marrë një vendim përfundimtar.

“Tani, ne kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm. Do të kemi nevojë për qartësime shtesë dhe do të kemi kohë për konsultime shtesë brenda partisë, dhe në momentin që përfundojnë këto dy procese, atëherë do ta kemi të qartë edhe vendimin përfundimtar. Takimi ka qenë konstruktiv dhe pozitiv”, tha Abdixhiku.

Më tej, Abdixhiku tha se është diskutuar për përmbajtjen e platformës të cilën Osmani synon ta zbatojë, nëse zgjidhet presidente e Kosovës.

“Kemi diskutuar platformën. Nuk kemi vërejtje sa i përket përmbajtjes së platformës”, tha Abdixhiku.

I pyetur nëse mund të ketë deputetë të LDK-së që votojnë kundër qëndrimit të partisë gjatë votimit të presidentit, Abdixhiku tha se kjo gjë nuk mund të ndodhë pasi deputetët do të respektojnë vendimin e partisë.

Gjatë së mërkurës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se shumë shpejt do të thirret seanca për të votuar presidentin e ri.

Ai u shpreh i bindur se Vjosa Osmani – e cila në zgjedhje garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje – e ka legjitimitetin e plotë për t’u votuar për presidente, pasi sipas tij, atë e ka legjitimuar populli duke ia dhënë më shumë se 300 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“….padyshim e sigurt, atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e Kuvendit të Republikës”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se zëvendësimi i deputetëve që janë emëruar në pozita qeveritare i hapë rrugë thirrjes së seancës për presidentin.

Mirëpo, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, porositi Lëvizjen Vetëvendosje që të mos thërrasë seancë pa gjetur konsensusin e nevojshëm mes aktorëve politikë.

“Seanca mund të thirret në momentin e parë që ka pajtueshmëri në mes të akterëve politikë dhe jo vetëm prej njërës palë. Ne jemi në proces të ndërtimit të kësaj pajtueshmërie. Në qoftë se arrijmë, atëherë do ta përcaktojmë edhe datën e seancës”, theksoi Abdixhiku.

Në një mbledhje të mbajtur të mërkurën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, miratoi propozimet për zëvendësimin e 13 deputetëve që janë pjesë e kabinetit qeveritar.

Për dallim prej LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani nuk mund të llogarisin në votat e as në prezencën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në seancën ku pritet të votohet për presidentin.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, tha për Radion Evropa e Lirë se Osmani është kandidate politike dhe se për president duhet dikush apolitik.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk e voton Vjosa Osmanin për presidente duke pasur parasysh se është puro politike dhe duke pasur parasysh se fushata e udhëhequr ka çuar vetëm një mesazh politik dhe presidenti duhet të apolitik. (PDK-ja) Nuk do ta votojë e as nuk do të bëjë kuorumin”, tha Reçica, subjekti i së cilit ka 19 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka tetë deputetë, është deklaruar vazhdimisht se nuk do të votojë e as nuk do ta bëjë kuorumin për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes së vendit.

Gjatë ditës, shumica deputetëve të grupit parlamentar të AAK-së nuk janë përgjigjur në interesimin e REL-it.

Pas votimit të qeverisë së re, shtetet e Qunt-it kanë qenë aktive në kërkesën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Quint-i ka thënë se “detyra e parë e institucioneve të reja të Kosovës është zgjedhja e presidentit”.

Në grupin e shteteve të Qunt-it janë: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 22 mars dhe në po të njëjtën ditë u votua qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria Kurti 2 mori besimin e 67 deputetëve. Për të votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të komuniteteve joserbe.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bije 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. REL

 

 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY