Kontratat koncesionare, Ledina Mandia: Kontratat të hartuara në favor të privatëve

Bisedë me Ledina Mandia, ish-avokate e Shtetit

Moszgjidhja e mosmarrëveshjeve me një fazë paraprake pajtimi përfundon në shumë raste me përplasje në gjykatat ndërkombëtare. Për Ledina Mandian, ish-avokate e Shtetit, kjo nuk është diçka që favorizon një vend kur kontratat hartohen në favor të privatëve. Ajo thekson se nuk janë të pakta rastet kur situatat provokohen për të dhënë këtë finale, ashtu sikurse ka raste kur investitorëve u preket investimi.

Mandia sqaron se ka një lloj arrogance viteve të fundit nga administrata përballë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me palët private dhe kjo çon në fatura të kripura për të cilat duhet bërë transparencë. Lidhur me çështjen e “Hydro S.R.L.”, për të cilën shteti ka kërkuar anulim, Mandia pohon se kostot mund të rriten edhe më tej, pasi paralelisht me mbrojtjen në këtë fazë të re janë angazhuar edhe studio ligjore që po pengojnë ekzekutimin e zyrave të përmbarimit nëpër Europë, pas kërkesës së investitorit italian.

 Numri i Arbitrazheve Ndërkombëtare me të cilat përballet Shqipëria viteve të fundit është në rritje. Pse kulmohet me këtë hap dhe a ka etapa apo mekanizma të negocimit apo gjetjes së një zgjidhjeje para arritjes në Arbitrazh? Pse nuk funksionojnë ato?

Numri i arbitrazheve ndërkombëtare rritet në momentin kur njëra nga palët nuk përmbush detyrimet sipas kontratës, zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën, ndërkohë që palët kanë dështuar paraprakisht të zgjidhin mosmarrëveshjen kontraktore me pajtim.

Shpeshherë, kontratat janë të hartuara në favor të palëve të tjera private. Nuk janë të pakta rastet kur kompanitë korruptojnë personat që ushtrojnë funksione publike për të marrë kontrata në favor të tyre. Ashtu, sikurse nuk janë të pakta rastet kur edhe provokohen situata për të çuar çështjen në arbitrazh dhe për të arritur një rezultat të kënaqshëm, duke pasur në dijeni kushtet e favorshme që ka pala private referuar kontratës.

Me fjalë të tjera, interesi i shtetit nuk është i mbrojtur siç duhet të ishte që nga momenti i negocimit të kontratës, lidhjes dhe zbatimit të saj dhe më tej, në procedurat e menaxhimit të mosmarrëveshjes mes palëve apo edhe më tej, përfaqësimit në procedurat e arbitrazhit, që në jo pak raste lë vend për dyshime, qoftë në kontraktimin e avokatëve apo përzgjedhjen e arbitrave.

Rastet vijnë në rritje edhe në kushtet kur mungon një kontratë, por jemi para rasteve të cenimit të investimit apo investitorit të huaj përmes heqjes së një licence apo veprimeve/mosveprimeve të tjera nga ana e autoriteteve shtetërore ndaj investimit apo investitorit të huaj.

Është e kuptueshme, që sjellja arrogante e autoriteteve, veprimet korruptive, të papërgjegjshme dhe jo-profesionale të personave që ushtrojnë funksione shtetërore të çojnë në përballjen në forumet gjyqësore apo jashtëgjyqësore, sikur në rastin e arbitrazhit ndërkombëtar tregtar apo të investimeve.

Kjo ka ndodhur dhe gjatë viteve të fundit me rastet e menaxhimit të mosmarrëveshjeve me investitorë vendas dhe të huaj, nga ana e autoriteteve shtetërore. Por duhen marrë në konsideratë dhe sa kontrata janë lidhur ndërkohë dhe përfshirjet në investime, që mund të lënë vend për një histori arbitrazhi.

Ndërkohë, uu i referoheni faturave të kripura në arbitrazhin ndërkombëtar, por duhet drejtuar vëmendja edhe në zgjidhjet gjyqësore të mosmarrëveshjeve me investitorë vendas dhe të huaj. Për këtë duhet të bëhet transparenca nga autoritetet shtetërore, pasi janë taksapaguesit shqiptarë që në fund do të paguajnë për këto fatura.

Ju pyesni pse kulmohet në arbitrazh?! Unë ju përgjigjem se kjo është një përgjigje nga ana e kontraktorëve/investitorëve karshi sjelljes së autoriteteve shtetërore, përmes përfaqësuesve të tyre për të cilën u shpreha më lart. Përveç kësaj, ekzistojnë edhe raste kur autoritetet shtetërore janë më komodë të përmbyllin mosmarrëveshjet përmes një vendimi arbitrazhi, i cili më pas është lehtësisht i ekzekutueshëm, dhe janë më të lehtësuar nga përgjegjësitë në rastet e auditimeve.

A ka metoda të tjera për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve para arbitrimit?! Kuptohet që para se palët arrijnë në arbitrazh, kanë mundësinë të zgjidhin mosmarrëveshjet me negocim, ndërmjetësim apo forma të tjera të gjykimit nga një ekspert në rastin e kontratave FIDIC. Po ashtu, edhe marrëveshjet bilaterale të investimeve apo traktate të tjera, të cilat shërbejnë si bazë ligjore në rastin e arbitrazhit ndërkombëtar, parashikojnë në të gjitha rastet një periudhë kohore të caktuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes përmes negocimit, apo edhe ndërmjetësimit para se palët të adresojnë përfundimisht çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.

A kanë funksionuar dhe a funksionojnë dhe pse nuk funksionojnë?! Këto metoda kanë funksionuar në disa raste në dijeninë time, por edhe në këtë rast, duhet të marrim në konsideratë analizën ligjore dhe ekonomike të bërë paraprakisht, prognozën dhe strategjinë e negocimit, e cila duhet ndërtuar me kujdes.

Në këtë fazë duhet pasur shumë kujdes, pasi negociata duhet ndërtuar veç në vlerësimin e interesave pasurore të shtetit dhe çdo vendim që merret duhet bazuar në vlerësime të sakta të bëra nga ekspertë të fushës, të cilët mbajnë përgjegjësitë e tyre për zgjidhjet e dhëna, ashtu sikur edhe personat që ushtrojnë funksione shtetërore dhe kanë të drejtën e vendimmarrjes. Nëse negocimi orientohet drejt pazareve, duke u justifikuar mbylljen e një arbitrazhi të nisur, atëherë është e kuptueshme që mund të përdoret për interesa personale, apo thënë më drejtë, në dëm të interesit shtetëror.

Në të tilla raste, pavarësisht certifikimit të marrëveshjes korruptive përmes çdo forme, organet e hetimit duhet të adresojnë çështjet në gjykim dhe të gjejnë personat përgjegjës, të cilët e kanë shkaktuar një situatë të tillë. Ashtu sikur edhe në rastin tjetër, kur kishin mundësi të ndërprisnin një mosmarrëveshje përmes arbitrazhit dhe parandalimin e një fature të kripur, të cilën duhet ta paguajnë shqiptarët.

Është e njohur marrëveshja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me kompaninë CEZ a.s. Pavarësisht se kishte një analizë ligjore dhe financiare, sipas të cilës R.SH. duhej të adresonte disa padi në arbitrazh kundër CEZ a.s., Qeveria vendosi të mbyllte me marrëveshje çështjen në arbitrazh, të iniciuar nga kompania çeke me një faturë financiare të kripur për shqiptarët, ndërkohë që njihej botërisht dështimi i asaj kompanie jo vetëm në Shqipëri, por dhe në shtete të tjera, si dhe dëmet që kishte sjellë dhe angazhimet e saj edhe në skemat korruptive të mbledhjes së borxhit të keq.

Në rastin konkret, pavarësisht raporteve të përgatitura nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe të paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë shumë shtrenjtë, rekomandimet e tyre për vazhdimin e procedurave të arbitrazhit dhe ngritjen e padive në emër të R.SH-së as nuk u morën në konsideratë. Gjithashtu, mungonte një strategji e negocimit, një analizë e bërë nga avokati i kontraktuar, i cili as që u përfshi në procedurat e negocimit.

Për të folur aktualisht, nuk mund të flas me siguri, por duke pasur në konsideratë dispozitën e negocimit dhe ndërmjetësimit në kontrata, apo edhe një detyrim të tillë, që zakonisht rrjedh nga marrëveshjet bilaterale, besoj se palët duhet ta kenë ezauruar këtë pjesë me apo sukses. Pse nuk funksionon negocimi në mosmarrëveshjet, për të cilat tashmë ka një faturë të kripur, apo edhe në raste të tjera përgjigjen duhet ta japin personat, të cilët kanë përfaqësuar interesat pasurore të shtetit në të tilla çështje.

Sa i takon Arbitrazhit ka një projektligj që pritet të miratohet duke plotësuar kornizën ligjore. Çfarë ndikimesh ka plotësimi me këtë element i pjesës ligjore në Shqipëri dhe si e gjykoni projektligjin që ende nuk ka kaluar hallkat e miratimit?

Në Shqipëri nuk ka një ligj për Arbitrazhin Ndërkombëtar dhe vendas. Shqipëria është palë në Konventën e Gjenevës dhe të Nju Jork të vitit 1958 dhe si rezultat i zbaton drejtpërdrejtë ato. Dispozitat në lidhje me arbitrazhin ndërkombëtar në Kodin e Procedurës Civile u shfuqizuan në vitin 2001, ndërsa dispozitat për arbitrazhin vendas janë shfuqizuar që në vitin 2013. Ligji për arbitrazhin ndërkombëtar apo vendas duhej të ishte miratuar me kohë dhe Shqipëria duhej të kishte rregulla në lidhje me arbitrazhin ndërkombëtar.

Nëse vendi i zgjedhur për arbitrazhin do të ishte Shqipëria edhe rregullat procedurale, tej atyre të zgjedhura nga palët, do të ishin ato të Shqipërisë, dhe krahas kësaj, palët do të zgjidhnin ligjin e aplikuar në lidhje me anulimin e vendimit të arbitrazhit. Për sa kohë nuk ka ligj për arbitrazhin ndërkombëtar, nuk ka dispozita që parashikojnë apo rregullojnë rastet në lidhje me ankimimin apo anulimin e një vendimi të arbitrazhit ndërkombëtar, në rastet kur vendi i arbitrazhit do të zgjidhej Shqipëria.

Kuptohet, që një ligj për arbitrazhin ndërkombëtar dhe vendas i jep zhvillim arbitrazhit, si një formë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Drafti i përgatitur ka një përqasje me rregullat e Ligjit Model UNCITRAL, por ka nevojë për përmirësime të tjera. Në dijeninë time, drafti i fundit nuk ka rregullime të detajuara në lidhje me arbitrazhin ndërkombëtar, por referon në Konventën e Gjenevës dhe Nju Jorkut sa i takon njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar.

Cila është procedura e mbrojtjes së një vendi në Arbitrazhe? A ka shteti kapacitetet dhe ekspertizën e nevojshme për këto përballje?

Avokatët e Shtetit pranë Avokaturës së Shtetit, në nivel qendror, kanë detyrimin të përfaqësojnë institucionet apo interesat pasurore të R.SH.-së në çështjet me juridiksion të huaj, përfshirë edhe arbitrazhin ndërkombëtar. Nëse është i nevojshëm kontraktimi i studiove ligjore apo avokatëve të huaj për përfaqësimin plotësisht apo pjesërisht, kjo vlerësohet nga Avokatura e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, si dhe nga autoriteti shtetëror përkatës palë në proces.

Mendoj se kjo vlerësohet rast pas rasti. Avokatura e Shtetit prezumohet të ketë një trupë avokatore profesionale që përfaqëson dhe mbron interesat pasurore të shtetit. Gjithashtu, prezumohet që ka një trupë profesionale që këshillon në draftimin, zbatimin, apo edhe procedurat e zgjidhjes së kontratës.

Në të tilla kushte, ekzistojnë kapacitetet profesionale të këshillojnë parandalimin e arbitrazheve të panevojshme, ashtu edhe në përfaqësimin në çështje, të cilat nuk kanë nevojë për një ekspertizë të një niveli më të lartë. Por, kontraktimi mund të jetë dhe – pjesërisht dhe jo plotësisht, pasi Avokatura ofron kapacitetet e saj në procesin e mbledhjes dhe vlerësimit të provave, analizës referuar legjislacionit të brendshëm etj.

E quaj të pavend që në shumë raste, të kontraktohet plotësisht çështja në studio ligjore të huaja, të cilat nënkontraktojnë studio ligjore shqiptare, që nuk i deklarojnë paraprakisht. Në shumë raste studiot ligjore të nën kontraktuara kanë qenë të lidhura me vetë personat, të cilët kanë qenë të përfshirë në procedurat e përzgjedhjes dhe kontraktimit të firmave ligjore të huaja. Kjo ka qenë dhe arsyeja, pse në procedura të konkurrimit nuk bëhet transparenca në lidhje me nënkontraktorët dhe mbahen sekrete dhe procedurat e përzgjedhjes së studiove ligjore.

Avokatura e Shtetit, në vetëm një muaj kërkoi tre studio ligjore ndërkombëtare për përballje në Arbitrazhe. Cilat janë kostot që shoqërojnë proceset kur asistimi apo mbrojtja bëhet nga studio të huaja?

Zakonisht kostot janë të larta në Arbitrazh Ndërkombëtar. Përveç avokatëve, do të paguash dëshmitarë ekspertë nëse nevojitet, shpenzime administrative etj. Faturat janë në varësi të marrëveshjes dhe kontraktimit me studiot ligjore. Nuk mund ta di, kur siç thashë më lart, ky informacion nuk bëhet transparent për qytetarët.

Me çfarë kam parë në shpenzimet për avokat në vendimet e publikuara, kostot janë tepër të larta, deri në 4 milionë euro dhe gjyqe të humbura. Në përvojën time, kemi kontraktuar 350 mijë euro, 500 mijë euro, apo edhe deri 1,2 milionë euro për çështje me vlera shumë të larta, të cilat kanë rezultuar të suksesshme për R.SH.-në dhe ku shpenzimet gjyqësore i janë ngarkuar palës humbëse në të shumtën e rasteve.

Sa gjasa ka që në çështjet e prishjes së kontratave, Arbitrazhet të përfundojnë me bilanc pozitiv për shtetin përballë biznesit. Në historikun e Shqipërisë, si qëndron raporti mes këtyre dy palëve kur janë përballur në gjykata?

Nëse kontratat do të jenë të draftuara me kujdes nën ekspertizën e profesionistëve dhe do të zbatohen korrekt, duke u konsultuar sërish me avokatët e shtetit që pretendohet të jenë niveli më i lartë i profesionistëve në rastet e mosmarrëveshjeve para zgjidhjes së kontratën dhe në procedurat e zgjidhjes së kontratës, atëherë nuk ka pse të mos ketë bilanc pozitiv për shtetin.

Në lidhje me historikun, nuk mund të shprehem për sa kohë nuk kam parë statistika në lidhje me çështjet e ngritura në arbitrazh dhe rezultatet e tyre. Mendoj se taksapaguesit shqiptarë kanë të drejtë të kenë informacion në lidhje me këtë, për sa kohë faturat e shpenzimeve në arbitrazh ndërkombëtar së bashku me kostot për pagat e zyrtarëve të shtetit të përfshirë në këtë proces, por edhe shpenzime të tjera paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Por dua të nënvizoj, një qeveri nuk është e suksesshme nëse gjatë qeverisjes së saj ka shumë çështje në arbitrazh, për më tepër kur këto janë dhe në disfavorin e saj. Qëllimi nuk janë mosmarrëveshjet, por investimet, zbatimi i kontratave me korrektësi, realizimi i punëve të kontraktuara, projekteve dhe veprave për qytetarët shqiptarë. Çdo qeveri duhet të jetë e qartë dhe transparente në këtë drejtim. Ndryshe, rekordet negative stepin çdo investim apo investitor për të ardhmen.

Një çështje e fundit e regjistruar në Arbitrazh është ajo për parkun fotovoltaik të Akërnisë. Qeveria shpalli fituese kompaninë me kushtet e paraqitura prej saj, por më pas u tërhoq duke refuzuar nënshkrimin e kontratës. Juridikisht, a është i drejtë qëndrimi i qeverisë duke u tërhequr nga kontrata që e kishte shpallur vetë fituese. Sa mundësi ka që të fitojmë përballë një situate të tillë?

Për këtë çështje kam marrë informacion nga faqe zyrtare e ICSID, që ka nisur procedurat në arbitrazh të investimeve, por nuk kam informacion më të zgjeruar. Nuk mund të jap mendime në lidhje me veprimet e qeverisë, për sa kohë nuk kam informacion dhe çështja është në gjykim. Si rezultat, nuk mund të bëj asnjë prognozë në lidhje me rezultatin e këtij arbitrazhi të investimeve.

Edhe “Durres Kurum Shipping”, që kishte një koncesion në Portin e Durrësit iu hoq ky i fundit nën argumentin se kishte vendosur tarifa te larta. Qeveria dhe kompania janë në Arbitrazh. A shihni rrethana lehtësuese që mund të favorizojnë Shqipërinë nga prishja e kontratës?

Për këtë çështje sërish kam marrë informacion nga faqe zyrtare e ICSID dhe jam e njohur me fazën në të cilën ndodhet procesi. Nuk kam informacion të detajuar në lidhje me kërkesat e adresuara në arbitrazh të investimeve, ndërkohë që jam në dijeni të zgjidhjes së kontratës. Ashtu sikurse në rastin tjetër nuk mund të shprehem dhe të bëj vlerësime apo prognozë për rezultatin ndërkohë që çështja është në gjykim.

Lidhur me çështjen “Hydro S.R.L.” kundër Shqipërisë, vendim që i ka dhënë të drejtë investitorit italian për një kompensim 107 milionë euro, qeveria ka kërkuar anulim të tij. Sa gjasa ka që çështjet të cilat marrin një vendim të formës së prerë, të anulohen me kërkesën e palës jo fituese? Për herë të fundit lidhur me këtë çështje, komiteti “ad-hoc” ka bërë vetëm një takim online për të dëgjuar palët?

Ky është një informacion i bërë publik nga pala gjyq-fituese, nëpërmjet vendimit të arbitrazhit të investimeve. Çështja është në proces për sa kohë pala shqiptare (humbëse) ka aplikuar për anulimin e vendimit të arbitrazhit. Referuar informacionit nga faqja zyrtare e ICSID, rezulton se R.SH. po përfaqësohet në procedurat e anulimit nga një studio ligjore e ndryshme nga ajo që e ka përfaqësuar në arbitrazh. Kjo është për t’u shënuar, pasi normalisht, çështjet në një fazë të tillë, vazhdojnë të përfaqësohen nga të njëjtat studio ligjore që kanë përgatitur dhe përfaqësuar rastin në arbitrazh të investimeve. Madje në rastin konkret, janë paguar rreth 4 milionë euro për një rezultat negativ.

Gjithashtu, është publike faza e procesit sa i takon paraqitjes së komenteve të palëve dhe një takimi online të palëve. Janë shumë të rralla rastet e anulimit të një vendimi të arbitrazhit të investimeve. Është hera e parë që Shqipëria humbet një gjyq në arbitrazh të investimeve referuar ICSID. Kanë qenë palët private (humbëse) që kanë adresuar kërkesa për anulim, por që janë rrëzuar, duke lënë në fuqi vendimet e arbitrazhit.

Nuk jam në dijeni të shkaqeve të paraqitura në emër të R.SH-së në këtë rast. Uroj që të jetë rast i suksesshëm dhe të mos jetë përdorur anulimi thjesht si një mekanizëm për të penguar dhe vonuar në kohë ekzekutimin e vendimit.

Në dijeninë time dhe të publikut, pala fituese ka filluar procedurat e ekzekutimit duke bllokuar llogari të R.SH.-së në disa shtete. Kjo gjë ka kosto, pasi përveç studios ligjore që po përfaqëson rastin në procedura të anulimit, janë kontraktuar dhe studio ligjore të tjera në Vjenë, Bruksel apo gjetkë sa u takon procedurave të kundërshtimit të veprimeve përmbarimore.

Do të ishte fatale, nëse faturës së arbitrazhit do t’i shtoheshin dhe shpenzime të tjera me kosto shumë të larta, në drejtim të ndjekjes së procedurave në anulim të vendimit apo edhe të procedurave të kundërshtimit të veprimeve përmbarimore.monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

Leni një përgjigje