
Spitali “Shefqet Ndroqi”, ka reaguar pas skandalit të denoncuar mbrëmjen e kaluar nga emisioni investigativ “Stop”, ku një sanitare i kishte marrë 8 milionë lekë një vajze për t’u shpëtuar të ëmën, e cila fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.
Sanitarja Tire Alldërvishi i kishte zhvatur 30-vjeçares lekët, duke i premtuar se do i shpëtonte të ëmën nga koronavirusi.
“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi’”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi”.
l.b /DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/