Rama-Manastirliu: Mund të ruajmë 250 mijë doza në -70 °C dhe deri në 7 milion në varësi të vaksinave

Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar kapacitetet e zinxhirit ftohës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Institutin e Shëndetit Publik. Manastirliu tha se vendi ynë zotëron kapacitetet e zinxhirit ftohës për secilën nga vaksinat që do të vijnë në Shqipëri.

“Jemi në Depon Farmaceutike të QSUT, ku tashmë janë instaluar edhe frigoriferët -70°C që i kemi patur, i kemi kualiduar dhe janë gati për të pritur serinë e vaksinave. Aktualisht vaksinat e Pfizer që kemi janë në Institutin e Shëndetit Publik. Edhe aty ruhen në kushte të standardeve ultra të ftohta -70 °C – -80 °C. Ndërkohë që këtu janë kapacitetet e tjera që ne kemi. Në tërësinë e këtyre kapaciteteve, kapacitetet aktuale për temperaturën -70 °C janë për 250 mijë doza vaksine, në mënyrë të menjëhershme, për vaksinën e Pfizer. Dhe sigurisht dhe për llojet e ndryshme të vaksinave. Për ato të Modernës nëse do të na vijë -20 °C, kemi kapacitetet për të pritur 950 mijë doza njëhkohësisht. Ndërsa përsa i përket kapaciteteve që kemi frigoriferike për vaksiant e llojeve të tjera, pra ato që kërkojnë 2-8 °C kemi kapacitet për të pritur 7 milion doza”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se kapacitete e zinxhirit ftohës sipas standardeve janë në disa institucione.

“Nuk është e vetmja depo që kemi, sepse kemi në Institutin e Shëndetit Publik ku aktualisht pritet rrjeti i vaksinave, gjithashtu dhe atë -80 °C që aktualisht sot janë të ruajtura vaksiant aktuale të Pfizer. Dhe gjithashtu dhe tek Agjensia e Barnave, investimi i qeverisë që ka përfunduar pak muaj më parë kemi kapacitete”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit, Kryeministri Rama tha:
“Praktikisht me atë depo që ishte këtu vaksinat ishin në dorë të Zotit. Kishit një magazinë kooperative që fusnit mollët, dardhat”, ishte komenti i kryeministrit Rama.
Ndërkohë që gjatë inspektimit të kapaciteteve të zinxhirit ftohës në Institutin e Shëndetit Publik, shefja e epidemiologjisë, Silva Bino, sqaroi se vaksinat përdoren brenda kohës së përcaktuar.
“Ne jemi përpjekur që çdo dozë ta përdorim brenda orarit që ajo ka sepse kur hollohet mund ta përdorësh brenda 5 orësh në temperaturë frigoriferike dhe 2 orë temperaturë ambienti”, tha Bino.

Sot është dita e tretë e vaksinimit kundër virusit COVID-19 në Shqipëri. Procesi vijon të kryhet sipas çdo rregulli dhe standardi të parashikuar, në ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në ditën e parë janë vaksinaur 50 personel shëndetësor, ndërkohë që në ditën e dytë janë vaksinuar 78 epidemiologë dhe personel shëndetësor.

Aktualisht po vaksinohen mjekë dhe infermierë të spitaleve COVID.

l.b /DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

Leni një përgjigje