Gjithçka nuk keni ditur për Mbretin Leka I, rrefyer nga Princi

30 nentori eshte peevjetori i ndarjes nga keta te Mbretit Leka I. Pribc Leka ka bërë një jetëshkrim te përmbledhu por plot me fakte që lexohen për herë të parë.

Nga Princ Leka

Sot po kujtoj jetën dhe veprën e babait tim. Bashkëngjitur po ndaj me ju një shkrim përmbledhes të jetës së Mbretit Leka:

Leka I – Mbret i Shqiptarëve

Moto: “Paqe, bashkim dhe vëllazërim”.

Lartmadhëria e Tij, Mbreti Leka i Shqiptarëve, lindi më 5 prill 1939 në Tiranë, në pallatin mbretëror. Ai ndërroi jetë më 30 nëntor 2011, në moshën 72-vjeçare, në Spitalin Nënë Tereza, në Tiranë.

Leka I ishte djali i Madhërisë së Tij, Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldine. Ai lindi më 5 prill 1939, vetëm dy ditë para pushtimit fashist të Shqipërisë, ditën e së Premtes së Zezë, më 7 prill 1939.

Lindja e trashëgimtarit të fronit u festua me ngazëllim të madh dhe Roja Mbretërore përshëndeti me 101 goditje me pushkë.

Princi Leka e filloi jetën në mërgim në vende të ndryshme. Pasi udhëtoi nëpër Europë, Familja Mbretërore u vendos në Angli, fillimisht në “Hotelin Ritz ” në Londër. Më pas u zhvendos për një periudhë të shkurtër në vitin 1941 në Askotin jugor në Bërkshir dhe më pas në vilën “ParmoorHouse”, në Parmor, pranë fshatit Frith në rrethin Bakingamshir.
Pas luftës Mbreti Zog, Mbretëresha Geraldine dhe Princ Leka u zhvendosën në Egjipt, ku jetuan nën mbrojtjen e Mbretit Faruk I.

Princ Leka u shkollua në “Parmoor House”. Në vitin 1946 ai vazhdoi studimet në “British Boys School”, ku qëndroi deri në vitin 1954. Në Aleksandri, Egjipt, ai vazhdoi studimet në “Victoria College” për të shkuar më pas në “Aiglon College” në qytezën Vijar Syr Olon të Zvicrës, ku edhe u diplomua në vitin 1956.
Në vitin 1958, pasi studioi dy vite në “Royal Military Academy Sandhurst” në Angli, ai u mandatua në postin “Toger i dytë” në Ushtrinë Britanike. Ai studioi gjithashtu ekonomik, shkenca politike dhe gjuhë orientale në Universitetin e Sorbonës në Francë deri në vitin 1961.
Ai fliste rrjedhshëm disa gjuhë, si shqip, frëngjisht, anglisht, spanjisht, gjermanisht dhe arabisht dhe italisht.

Princi Leka u bë zyrtarisht trashëgimtar i fronit dhe mori titullin “Princ i Kurorës” në 5 prill 1957, kur mbushi 18 vjeç. Princi Leka u kurorëzua Mbret pas vdekjes së babait të tij. Mbreti Zog vdiq në 9 prill 1961.

Betimi si Mbret i Shqiptarëve në përputhje me Kushtetutën Mbretërore të vitit 1928:
Princi i Kurorës, Leka I, bëri betimin si Mbret i Shqiptarëve në hotel “Bristol” në Paris, më 15 prill 1961. Ai u betua përpara qeverisë mbretërore në mërgim, ish-deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë dhe 70 delegatëve zyrtarë të zgjedhur si përfaqësues nga diaspora e Shqipërisë.
Asambleja Kombëtare u mblodh sipas neneve 51 dhe 55 të Kushtetutës Mbretërore të Shqipërisë të vitit 1928, ku u vendos se Princi i Kurorës do të bëhej Mbret i Shqiptarëve.

Madhëria e Tij bëri betimin në Bibël dhe Kuran përpara Asamblesë Kombëtare dhe personaliteteve të ftuara, si sovrani Leka I, Mbreti i Shqiptarëve.
Lufta e Fshehtë
Nga viti 1961 dhe në vazhdim, Mbreti Leka vazhdoi lëvizjen e rezistencës në mërgim. Ai gjithashtu mbajti aktive qeverinë mbretërore të Shqipërisë në mërgim, që u njoh ndërkombëtarisht me të gjitha privilegjet përkatëse, deri në kthimin përfundimtar të Familjes Mbretërore në Shqipëri në vitin 2002.
Më 1962, Familja Mbretërore u zhvendos nga Franca në Spanjë, Madrid, asokohe nën udhëheqjen e Gjeneralit Francisko Franko. Mbreti Leka krijoi miqësi me Mbretin Juan Carlos të Spanjës dhe më pas me Shahun e Iranit, Muhamed Reza Pahlavi.

Në fillim të vitit 1960 ai kërkoi mbështetjen e kumbarit të tij, Mbretit Faisal bin Abdul Azizi Al Saud të Arabisë Saudite. Mbreti Faisal e ndihmoi që të bënte karrierë si tregtar i lëndëve të para. Gjatë dy dekadave të tjera, Mbreti Leka do të krijonte një sërë sipërmarrjesh të suksesshme në Lindjen e Mesme dhe Lindjen e Largët, duke hapur zyra në Madrid, Londër dhe Hong Kong. Me paratë e fituara, Mbreti Leka kërkoi mbështetje për çlirimin e Shqipërisë dhe mblodhi mbështetësit e tij.

Në verë dhe në vjeshtë 1967, Madhëria e Tij vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbreti Leka bëri homazhe në varrin e Imzot Fan Nolit dhe të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Faik Konicës. Ai u takua me udhëheqësit e shoqatës “Vatra”, krerët e Partisë “Legaliteti” dhe të Frontit Kombëtar, i njohur ndryshe si “Balli Kombëtar”. Kjo vizitë ishte fillimi i një fushate në mbarë botën për të mobilizuar dhe bashkuar shqiptarët kundër diktaturës komuniste.

Në vitin 1966-1967, ai vajti me detyrë operative si vëzhgues i Tajvanit në Vietnam. Më pas ai udhëtoi për në Tajlandë dhe me mbështetjen e ushtrisë tajlandeze rekrutoi ushtarë nga Tajlanda dhe Birmania, për të stërvitur vullnetarë shqiptarë në taktika guerile.

Mbreti Leka u takua dhe krijoi miqësi me Guvernatorin e Kalifornisë Ronald Regan, i cili më vonë do të bëhej President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1967 i dhuroi guvernatorit një elefant bebe, si simbol i Partisë Republikanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo dhuratë e pazakontë do të bënte bujë në shtypin e kohës.

Në fund të viteve 1960, përpjekja e Mbretit Leka për të ngritur një kamp stërvitor në Libi për Ushtrinë Çlirimtare të Shqipërisë dështoi, për shkak të grushtit të shtetit të shtatorit 1969 dhe rënies së Mbretit Idris bin Muhammadal-Mahdi as-Senussi.

Në vitin 1975, Mbreti Leka dërgoi një memorandum në Konferencën e Helsinkit, duke sjellë në vëmendje sovranitetin e Shqipërisë. Në qershor 1977, Mbreti Leka dha një mesazh të drejtpërdrejtë në konferencën e sigurisë në Beograd, duke thënë: “Nuk do të ketë kurrë paqe dhe mirëkuptim në Ballkan, nëse nuk njihet integriteti territorial shqiptar i Kosovës dhe i Çamërisë”. Gjatë kësaj kohe, rezistenca e Mbretit Leka, propaganda dhe operacionet ushtarake që zhvilloheshin në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni u intensifikuan.

Ishte pikërisht për këtë arsye, që në vitin 1979, Familja Mbretërore u detyrua të largohej nga Europa dhe të shkonte në Rodezi. Mbreti Leka dhe Familja Mbretërore gjatë rrugës për në Rodezi ranë peng i qeverisë së Gabonit, e cila i mbajti me shpresën për të marrë haraç nga qeveria komuniste. Presidenti Omar Bongo e lëshoi Familjen Mbretërore dhe anëtarët e Oborrit Mbretëror, pasi mësoi, nëpërmjet ndërhyrjes së Ministrit të Jashtëm të Rodezisë, Pieter Kenyon Fleming-Voltelyn Vander Byl, se Mbreti Leka ishte një Mbret mysliman dhe kjo do tu krijonte probleme me botën arabe.
Familja Mbretërore jetoi në një fermë në periferi të Hararit gjatë luftës në Rodezi. Pas “Marrëveshjes Lankaster”, Familja Mbretërore u këshillua që të shkonte në Afrikën e Jugut, pasi mësuan se Presidenti i ri, Robert Mugabe, ishte mbështetës i Regjimit të Tiranës.

Klima politike në Afrikën e Jugut filloi të ndryshojë me fillimin e Luftës së Kosovës në vitin 1999, pasi Afrika e Jugut mbështeti hapur qeverinë serbe të Slobodan Milosheviçit. Mbreti Leka po përgatitej të merrte pjesë në negociatat e Rambujesë kur, në mëngjesin e 5 shkurtit 1999, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Afrikës së Jugut njoftoi Familjen Mbretërore se u ishte hequr imuniteti diplomatik. Të njëjtën ditë, policia e Afrikës së Jugut arrestoi Mbretin dhe anëtarë të stafit të tij, si edhe sekuestroi koleksionin mbretëror të armëve. Ndërsa ndodhej në burg Leka I u sëmur rëndë dhe u shtrua në spital. Familjes nuk iu dha asnjë shpjegim mbi çfarë e shkaktoi këtë ndryshim drastik të shëndetit. Të gjitha dyshimet çonin në një helmim të qëllimshëm. Mbreti Leka nuk e mori kurrë veten. Brenda tre muajsh, të gjitha akuzat e policisë u rrëzuan nga autoritetet dhe me urdhër të gjykatës koleksioni i armëve u kthye në kompleksin mbretëror në Brodekërs, pranë Johanesburgut.

Konferenca e Madridit (1975) ishte një veprim i suksesshëm për të bashkuar komunitetin politik dhe jo politik nën sloganin “Kombi mbi të gjitha” dhe për pasojë, të krijohej një front shqiptar ndërkombëtar kundër regjimit komunist.
Konferenca kishte për synim që të gjendej një zgjidhje politike dhe ushtarako-diplomatike për t’i dhënë fund komunizmit dhe për të bashkuar kombin shqiptar.
Konferenca aplikoi një pozicion të panegociueshëm mbi sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe përkrahu filozofinë e vazhdimit të rezistencës.
Mbreti Leka garantoi aktmarrëveshjen e unifikimit dhe koordinimit të aktiviteteve politike dhe diplomatike të diasporës shqiptare, nëpërmjet miratimit nga Këshilli i Përkohshëm, duke sjellë krijimin e Ushtrisë Kombetare për Çlirimin e Shqipërisë Ethnike. Ushtria Çlirimtare e Shqipërisë Ethnike do të luajë një rol qendror në zhvillimin e operacioneve kundër diktaturës komuniste në Shqipëri.

Më 8 tetor 1975, Mbreti Leka u martua me Susan Cullen Ward në një ceremoni civile në bashkinë e Biarricës, në Francë, në prani të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar. Franca u zgjodh për shkak të ngjashmërive juridike me ligjet e monarkisë shqiptare, pasi të dyja bazoheshin në kodin civil të Napoleonit.
Më 10 tetor u zhvillua një ceremoni e madhe përpara klerit në Toledo, Spanjë. Klerët myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe anglikanë bekuan të sapomartuarit. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues nga familje të ndryshme mbretërore dhe komuniteti shqiptar.

Rikthimi i Mbretit dhe referendumi:
Mbreti Leka u kthye për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993, por u lejua të qëndronte në vend për vetëm 24 orë, para se të njoftohej nga Shërbimi Informativ Kombëtar i Shqipërisë, SHIK-u, se duhej të largohej. Në fillim të viteve ‘90, Ministri i Oborrit Mbretëror, Abedin Mulosmanaj dhe anëtarë të Oborrit Mbretëror udhëtuan nëpër të gjithë vendin. Nëna Mbretëreshë Geraldine dhe Mbretëresha Susan do të dërgonin asistencë mjekësore në vend.
Madhëria e Tij u rikthye më 12 prill 1997, pas 58 vitesh në mërgim. Ai u mirëprit nga rreth 10 000 mbështetës në aeroportin e Rinasit. Mbreti përshëndeti popullin me frazën “Paqe, bashkim dhe vëllazëri”.

Shqipëria hyri në një periudhë të zgjatur të anarkisë pas rënies së skemave piramidale. Shteti kishte rënë, bashkë me drejtësinë dhe rendin. Mbreti Leka ishte i vetmi lider, që ishte i lirë të vizitonte qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë pa pasur paragjykime, ndërsa liderët e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë mund të lëviznin vetëm në zona që i kishin bastione elektorale.

Takimet e organizuara nga Mbreti Leka thithën pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Në Burrel kishte mbi 15 000 pjesëmarrës, në Burgajet mbi 12 500, në Tiranë 20 000, në Vlorë 10 000, në Korçë 12 500, në Lushnjë 10 000 dhe në Shkodër u arrit një rekord prej 60 000 personash.

Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare më 29 qershor 1997 u zhvillua paralelisht edhe një referendum mbi formën e sistemit mes Mbretërisë dhe Republikës.

Sondazhet paraprake, rezultatet e para dhe rezultatet e qëndrave të numërimit të votave, të gjitha jepnin një fitore të Mbretërisë Kushtetuese, me një luhatshmëri të përgjithshme të votave mes 55% dhe 75% në favor. Kjo nxiti disa media ndërkombëtare të shpallin fitoren në favor të Mbretërisë. Këto rezultate të hershme u konfirmuan gjithashtu nga vëzhguesit ndërkombëtar në zona të ndryshme të vendit para se fletët e votimit të dërgoheshin në Tiranë.
Katërmbëdhjetë ditë më pas, në Komisionin Qendror Zgjedhor u votua kundër Mbretërisë në raportin 8 me 6 dhe shpallën fitoren e Republikës (vendimi nr. 1355, datë 13/07/1997). Ky vendim i diskutueshëm dhe i njëanshëm ishte në kundërshtim me ligjin elektoral, sipas të cilit duhen 2/3 e shumicës së Komisionit Qendror Zgjedhor, si dhe kishte parregullsi të tjera. Treqind mijë vota të mbretërorëve ishin zhdukur.
Sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së, 1 423 209 persona votuan, nga të cilët 450 478 në favor të Mbretërisë, ku 61 630 vota të mbretërorëve ishin shpallur të pavlefshme.

Oborri Mbretëror dhe Partia “Legaliteti” e dërguan vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese. Paneli përbëhej nga 9 gjyqtarë nga të cilët 5 votuan kundër Mbretërisë, 4 në favor të Mbretërisë Kushtetuese, ndërsa një gjyqtar nuk ishte i pranishëm. Vendimi (nr. 44, datë 27/08/1997 V-44/97) ishte shumë i politizuar. Kryegjyqtari, Rustem Gjata, votoi në favor të Mbretërisë.
Në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese u pranua se kishte shumë abuzime në procesin e numërimit të votave kundër Mbretërisë, përfshirë edhe ushtrimin e forcës dhe të dhunës kundër zyrtarëve elektoralë. Në këtë vendim përmendet edhe një shembull nga referendumi i zhvilluar në qytetin e Lushnjës, që ishte humbur krejtësisht, si edhe votat pro Mbretërisë në qytete të tjera, që ishin shpallur të pavlefshme ose ishin humbur, për shkak të proçedurave burokratike. Sipas vendimit përfundimtar të gjykatës, u pranua që numri i votave të rritej vetëm me 6% në favor, për një total prej 39,25%, që nuk do të kishte efekt në rezultatin përfundimtar.

Disa muaj pas referendumit, vota pro Mbretërisë u gjetën nga media dhe publiku të hedhura nëpër lumenj dhe kosha plehrash.

Mbreti Leka vendosi të largohet nga vendi, për të parandaluar rritjen e presionit politik dhe të tensioneve publike, që do të ndikonin negativisht në situatën e vendit dhe do të fusnin Shqipërinë në një luftë civile të drejtuar nga interesat e disa entiteteve politike.

Dr. Sali Berisha, i cili ishte President në kohën e referendumit, pranoi publikisht se “referendumi ishte zhvilluar nën kontekstin e rebelimit komunist dhe, për pasojë, nuk mund të cilësohet si një çështje e mbyllur. Parimi stalinist “nuk ka rëndësi kush voton, por rëndësi ka kush numëron” u aplikua në atë referendum. Fakti që ka rëndësi është se shqiptarët votuan në masë për Mbretin e tyre…”

Një nga prioritetet kryesore të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, ka qenë kthimi i Familjes Mbretërore në atdhe. Momentii parë, shumë i rëndësishëm, i këtij procesi, ishte hartimi dhe firmosja e një rezolute në 04.06.1998 nga kryetarët e të gjitha partive (të djathta dhe qendrës së djathtë) opozitare parlamentare dhe joparlamentare, ku ndër të tjera kërkojnë: “…i bëjmë thirrje Mbretit Leka I për t’u kthyer në atdhe, pasi edhe procesi gjyqësor i ngritur ndaj tij është një farsë politike e koalicionit të majtë”.

Ndërkohë vjen dhe momenti më i mirë për ta realizuar kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe. Në vitet 2001-2005, Partia “Lëvizja e Legalitetit” ishte në pikun e fuqisë së saj politike dhe me njëkredibilitet të madh në elektorat, jo thjeshtë seishte parti parlamentare, por edhe për shkak të qendrimeve të mbajtura dhe kompaktësisë së grupit parlamentar.

Me nismën e grupitparlamentartë PLL, në pranverën e vitit 2002, filloi përgatitja e infrastrukturës së duhur institucionale për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe.

Pas një lobimi të fuqishëm me drejtuesit e partive parlamentare, u arrit një marrëveshje politike kukryetarët e 9 grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, më 17 qershor 2002, firmosën një dokument të përbashkët, kundër të tjera shkruhej: ”Duke respektuar Familjen Mbretërore Shqiptare, jemi të bindur se respektojmë themelimin e shtetit modern shqiptar nga Mbreti Zog I. Me kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe, merr fund një padrejtësi e shkaktuar nga pushtimi fashist dhe diktatura komuniste”.

Deklarata e grupeve parlamentare u shoqërua me kërkesën e 74 deputetëve firmëtarë (nga 140 që kishte Kuvendi), ku kërkohej: “Ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të mbështetur në vlerësimin që kemi për historinë e Shtetit Shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike, si dhe në zhvillimet e sotme demokratike, paraqesim kërkesën tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore Shqiptare të vijnë e të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri”.
Më 28 qershor 2002, ditë e premte, në ora 11.15, ulet në Rinas avioni “Boeing727” i kompanisë “Million Air”, që transportoi nga aeroporti “Lanceria” i Johanesburgut, Familjen Mbretërore Shqiptare të përbërë nga: Nëna Mbretëreshë Geraldinë, Mbreti Leka I, Mbretëresha Suzan, Princi trashëgimtar i kurorës Leka II dhe Kontesha Virxhinia (motra e Nënës Mbretëreshë Geraldinë). Me flamuj kombëtarë dhe të Legalitetit, me pankarta në duar, me kostume të larmishme kombëtare, nën muzikën e orkestrës frymore dhe asaj popullore, me këngë e valle, të pranishmit festonin dhe i uronin mirëseardhjen Familjes Mbretërore në atdhe.

Mbreti Leka, sapo zbriti në Rinas u shpreh për mediat e shumta: “Dua të falënderoj popullin shqiptar, shtetin shqiptar që na dha këtë rast me u kthye në atdheun tonë”.
Karvani i gjatë i makinave të simpatizantëve të mbretërisë shoqëroi nga aeroporti “Nënë Tereza” e deri në Tiranë, pjesëtarët e Familjes Mbretërore, që përshëndeteshin nga qytetarët e shumtë të vendosur përgjatë gjithë rrugës. Ekzaltimi arriti kulmin kur Familja Mbretërore mbërriti në Vilën Nr. 4 dhe pjesëtarët e familjes zbritën nga makinat për t’u akomoduar në këtë rezidencë, që ishte fill pas Hotel “Rogner”, 100 metra larg selisë së qeverisë shqiptare dhe një ndër më modernet ndërtesa në kryeqytet.
Kështu, pas 63 vitesh mërgimi të detyruar nëpër vende të ndryshme të botës, Familja Mbretërore shqiptare u kthye përfundimisht.

Mbreti Leka u përfshi në aktivitetet e kombit dhe kundërshtoi fuqishëm të gjitha aktet e korrupsionit dhe të keqqeverisjes në Shqipëri dhe në Kosovë. Ai punoi fuqishëm për të garantuar mirëqenien dhe lirinë e kombit shqiptar.

Mbreti Leka besonte se Shqipëria duhej të qëndronte si një urë mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai ishte një mbështetës i fuqishëm i unitetit kombëtar shqiptar.
Në vitin 2005 Mbreti Leka u bë lideri shpirtëror i “Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar”, një koalicion i gjerë partish politike, që morën pjesë në zgjedhjet kombëtare të të njëjtit vit. Fatkeqësisht, shëndeti i dobësuar e detyroi që t’u japë fund aktiviteteve politike në vitet në vijim.

Mbreti Leka ndërroi jetë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë më 30 nëntor 2011. Qeveria shqiptare e shpalli këtë ditë, Ditë Zie Kombëtare, dhe urdhëroi që të gjithë flamujt e institucioneve të ulen në gjysmë shtizë. Homazhet shtetërore u zhvilluan në Parlamentin e Shqipërisë, në Tiranë, ku morën pjesë personalitete shqiptare dhe të huaja, si dhe publiku i gjerë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. LulzimBasha, mbajti një panegjirik përpara godinës së Parlamentit. Ceremonia u zhvillua sipas traditës së Mbretërisë shqiptare, nga të katërt klerikët fetarë (mysliman, katolik, bektashi dhe ortodoks shqiptar), së bashku me nderimet ushtarake.

Ai fillimisht u varros pranë bashkëshortes dhe nënës së tij në varrezat e Sharrës në Tiranë. Një vit më vonë, Mbreti Leka u vendos të prehet në paqe në Mauzoleun Mbretëror në kodrat e liqenit.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

Leni një përgjigje