Qeveria hap tenderin për koncesionin 4 miliardë euro të rrugës Milot-Fier

Ndaje

Qeveria shqiptare ka bërë thirrje për operatorë ekonomikë që duhet të jenë të interesuar të investojnë afro 1.2 miliardë euro për të realizuar të ardhura të vlerësuara prej 4 miliardë eurosh për 35 vitet e ardhshme, në atë që nëse realizohet, do të bëhet koncesioni më i madh i dhënë ndonjëherë nga Shqipëria.

Tenderi për atë që qeveria e ka prezantuar si Autostrada Milot – Fier, pritet të hapet brenda pak ditësh ndërsa palët e interesuara kanë afat deri në 29 shtator të këtij viti për të përgatitur dokumentet dhe ofertën për investimin që qeveria e vlerëson në 1.19 miliardë euro.

Dokumentet e tenderit sugjerojnë se investitori do të jetë në gjendje të arkëtojë 4 miliardë euro përgjatë 35 viteve të kontratës koncesionare duke arkëtuar një tarifë bazë prej 7.5 eurosh për 100 kilometra, bazuar kjo në supozimin se në këtë rrugë do të qarkullojnë mesatarisht 30 mijë makina në ditë. Vlerësimi i dhënë nga qeveria në faqen 80 të dokumentit të tenderit tregon se në vitin e parë supozohet që të ardhurat të jenë 60 milionë euro ndërsa në vitin e fundit të koncesionit, në vitin 2055, të ardhurat supozohet se do të arrijnë në 187 milionë euro. Në total, vlerësimi i qeverisë është që të ardhurat e pritshme të koncesionarit nga viti 2024 deri në vitin 2055 do të jenë afro 4.1 miliardë euro shifër kjo nga e cila, koncesionari mund t’i ofrojë një pjesë të tyre shtetit. Në dokument shkruhet:

“Në rast se Ofertuesi konsideron se te ardhurat e parashikuara te projektit jane te kënaqshëm, ai mund të përcaktojë shpërblimin (përqindjen) e nivelit fillestar, mbi të cilin, ai do t’i kthejë një pjesë të përfitimit të tij shtesë shtetit.”

Thumanë-Kashar-Luz i Vogël

Autostrada që qeveria ka në plan të japë me koncesion është 112 kilometra e gjatë nga të cilat, 56 kilometra janë ekzistuese ndërsa të 1.2 miliardë eurot supozohet se do të duhet të përdoren për të ndërtuar 53 kilometra autostradë në segmentet Thumanë-Kashar-Kavajë. Dokumentet përcaktojnë autostradën e re si me dy korsi në secilin drejtim dhe me korsi emergjence, por në dokumente nuk saktësohet nëse këto autostrada do të kenë apo jo rrugë dytësore.

Pavarësisht emrit të madh, koncesioni i shpallur nga qeveria ka të bëjë me ndërtimin e dy segmenteve bazë, Thumanë-Kashar dhe Kashar-Luz i Vogël, të cilat do të ndërtohen në tokë të hapur pa lidhje me rrugët ekzistuese ndërsa në segmente të rëndësishme si Kavajë-Fier, koncesioni do të marrë përsipër të realizojë vetëm disa përmirësime. Në këtë kuadër, kostoja e parashikuar e investimit prej 1.19 miliardë eurosh sugjeron se çdo kilometër autostradë e re do të kushtojë afro 22 milionë euro për kilometër, deri më sot rruga më e kushtueshme në historinë e Shqipërisë.

Qeveria aktuale ka bërë përpjekje të tilla për të dhënë me koncesion këto rrugë edhe më parë. Dy vjet më parë qeveria “Rama” dha me koncesion të pakërkuar 21 kilometra autostradë nga Thumana  në Kashar për kompaninë Gener 2 për një kosto të përgjithshme prej 435 milionë eurosh. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi tërheqjen e shtetit nga kjo kontratë në janar 2020 pa shpjeguar arsye konkrete të mosrealizimit të saj.

Sipas dokumentit të tenderit, punimet për ndërtimin e autostradës do të vijojnë deri në vitin 2025 ndërsa kontrata do të nënshkruhet para fundit të këtij viti. Koncesionari pritet të fillojë të arkëtojë të ardhura duke filluar që nga viti 2024. Dokumenti parashikon që qeveria merr përsipër të garantojë 121 milionë euro të ardhura për koncesionarin deri në vitin 2020 në rast se trafiku në rrugë nuk mjafton për të justifikuar investimin por pjesa tjetër e investimit do të duhet të bëhet nga sipërmarrësi privat.

Opozita politike në Shqipëri akuzoi menjëherë kryeministrin Edi Rama se ka një plan tjetër vjedhjeje pas këtij koncesioni dhe se fituesi është i paracaktuar. Kryeministri hodhi poshtë një sugjerim të tillë. Në çdo rast, kompanitë e interesuara do të kenë afërsisht 90 ditë kohë për të planifikuar një investim me vlerë mbi 1 miliardë euro dhe për të hyrë në një kontratë koncesionare 35 vjeçare në një kohë kur bota po përjeton krizën e koronavirusit të ri./Reporter.al

loading...
Loading...

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Leni një përgjigje