Ish kryeministri Meksi publikon Karten Nderkombetare te Restaurimit

Ish kryeministri Meksi publikon Karten Nderkombetare te Restaurimit

189
0
Shares

Ish kryeministri Aleksander Meksi ka publikuar karten Nderkombetare te Restaurimit, nje dokument baze qe referohet ne te gjitha ligjet qe lidhen me trashegimine kulturore dhe historike te vendeve.

Meksi nderkohe eshte me profesion arkitekt dhe ka punuar shume vite ne kerkimet e trashegimise shqiptare.

Karta ndërkombëtare e Restaurimit
(Karta e Venecies- 31 maj 1964)
Përkufizime
Neni 1. Nocioni i monumentit historik përfshin një krijim arkitektonik të veçuar, gjithashtu dhe ansamblet qytetare dhe fshatare që bartin dëshmi të një qytetërimi të veçantë, të një zhvillimi të shënuar ose të një ngjarjeje historike. Ai shtrihet jo vetëm mbi krijimet e mëdha por gjithashtu dhe mbi veprat modeste që kanë fituar me kohë një vlerë kulturore.
Neni 2. Konservimi dhe restaurimi i monumenteve formon një disiplinë që i bën thirrje të gjithë shkencave dhe teknikave që mund të kontribuojnë për studimin dhe ruajtjen e trashëgimisë monumentale.
Qëllimi
Neni 3. Konservimi dhe restaurimi i monumenteve ka për qëllim të ruajë si veprën e artit ashtu edhe dëshminë e historisë.
Konservimi
Neni 4. Konservimi i monumenteve detyron së pari vazhdimësinë e mirëmbajtjes së tyre.
Neni 5. Konservimi i monumenteve është gjithmonë i favorizuar nga destinimi i tyre për një funksion të dobishëm për shoqërinë, një destinim i tillë është pra i dëshirueshëm por ai nuk duhet të ndryshojë kompozimin ose dekorin e ndërtesës. Vetëm në këta kufij mund të konceptohen dhe mund te autorizohen përshtatjet e kërkuara nga ndryshimi i funksionit.
Neni 6. Konservimi i një monumenti duhet të marrë parasysh dhe ambientin përreth. Kur ky ambient është tradicionalisht i lidhur me monumentin, ai duhet ruajtur dhe nuk duhen lejuar ndërtimet e reja, prishjet dhe përshtatjet që mund të ndryshojnë raportet e volumeve dhe të ngjyrave.
Neni 7. Monumenti është i pandarë nga historia dëshmitar i së cilës është, si dhe nga vendi ku ai ngrihet. Si pasojë, zhvendosjet tërësore ose pjesore të një monumenti nuk mund të lejohen veçse kur ruajtja e monumentit e kërkon, ose kur kjo justifikohet nga arsye të një interesi vërtet të madh kombëtar apo ndërkombëtar.
Neni 8. Elementet e skulpturës, të pikturës ose të dekoracionit që janë pjesë përbërëse të monumentit nuk mund të shkëputen prej tij veçse kur kjo masë është e vetmja mundësi për të siguruar konservimin e tyre.
Restaurimi
Neni 9. Restaurimi është një veprim me karakter të jashtëzakonshëm. Ai ka për qëllim të ruajë dhe të nxjerrë në pah vlerat estetike dhe historike të monumentit dhe bazohet mbi respektin e substancës së vjetër dhe të dokumentit autentik. Ai ndalon aty ky fillon hamendësimi. Çdo punim plotësimi i vështruar si i domosdoshëm për arsye estetike ose teknike duhet të dallojë nga kompozimi arkitekturor dhe do bartë vulën e kohës sonë. Restaurimi do të paraprihet dhe do të shoqërohet gjithmonë nga një studim arkeologjik dhe historik i monumentit.
Neni 10. Kur teknikat tradicionale janë të papërshtatshme, konsolidimi i një monumenti mund të sigurohet duke kërkuar ndihmën e gjithë teknikave moderne të konservimit dhe të ndërtimit, efikasiteti i të cilave është vërtetuar nga të dhënat shkencore dhe garantuar nga përvoja.
Neni 11. Kontributet e vlefshme të gjithë epokave për ndërtimin e një monumenti duhet të respektohen, duke mos qenë njësimi i stilit një qëllim për t’u arritur gjatë një restaurimi. Kur një ndërtim bashkëmbart shumë faza ndërtimi, nxjerrja në shesh e një faze paraardhëse nuk justifikohet veçse jashtëzakonisht dhe me kusht që elementet e hequra të mos paraqesin veçse pak interes, që kompozimi i nxjerrë në dritë të përbëjë një dëshmi të një vlere të lartë historike arkeologjike ose estetike dhe që gjendja e konservimit të saj të konsiderohet e mjaftueshme. Gjykimi mbi vlerën e elementeve në shqyrtim dhe vendimi mbi veprimet për t’u ndërmarrë, nuk mund të varet vetëm nga autori i projektit.
Neni 12. Elementet e destinuara për të zëvendësuar pjesët e munguara duhet të integrohen harmonikisht me tërësinë, gjithmonë duke u dalluar nga pjesët origjinale me qëllim që restaurimi të mos falsifikojë dokumentin e artit ose të historisë.
Neni 13. Shtesat nuk mund të lejohen veçse në masën në të cilën ato respektojnë të gjitha pjesët interesante të godinës, kuadrin e saj tradicional, drejtpeshimin e kompozicionit të saj dhe raportet e saj me ambientin rrethues.
Ansamblet (Sitet)
Neni 14. Sitet e monumenteve duhet të bëhen objekti i një kujdesi të posaçëm për të ruajtur tërësinë e tyre, për të siguruar gjendjen e tyre të mirë dhe për t’i paraqitur (këto site) në një mënyrë të përshtatshme. Punimet e konservimit dhe restaurimit që kryhen në to duhet të frymëzohen nga parimet e shprehura në nenet paraardhëse.
Gërmimet
Neni 15. Punimet e gërmimit duhet të kryhen në përputhje me normat shkencore dhe me “rekomandimet e parimet ndërkombëtare që zbatohen në fushën e gërmimeve arkeologjike”, adoptuar nga UNESCO në vitin 1956. Duhet të merren masat e nevojshme që synojnë në garantimin e ruajtjes së vazhdueshme të rrënojave, si të elementeve arkitektonike ashtu dhe të objekteve të zbuluara. Përveç kësaj do të merren të gjithë iniciativat për të lehtësuar të kuptuarit e monumentit të nxjerrë në dritë pa çnatyruar kurrë domethënien e tij. Çdo punim rindërtimi duhet të përjashtohet apriori, vetëm Anastiloza mund të kihet parasysh, domethënë rikompozimi (rikthimi në vendin e origjinës) i pjesëve ekzistuese por të dëmtuara. Elementet e reja duhet të jenë gjithmonë të dallueshme e do të përfaqësojnë minimumin e domosdoshëm për të siguruar kushtet e konservimit të monumentit, e për të rimëkëmbur vazhdimësinë e formave të tij.
Dokumentimi dhe Publikimi
Neni 16. Punimet e konservimit, restaurimit dhe gërmimet do të shoqërohen gjithmonë nga mbajtja e një dokumentacioni të përpiktë në formë raportesh analitike dhe kritike të ilustruara me vizatime dhe fotografime. Të gjitha fazat e punimeve të pastrimit, konsolidimit, risistemimit dhe integrimit, si dhe elementet teknike e formale të zbuluar gjatë punimeve do të dokumentohen. Ky dokumentacion duhet të dorëzohet në arkivat e institucioneve publike dhe duhet të vihet në dispozicion të kërkuesve. Të gjitha këto veprimtari rekomandohen që të publikohen.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY