Falja e kamatëvonesave, OSHEE sqaron sa abonentë përfitojnë dhe cilat janë kategoritë

Ndaje

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka sqaruar skemën se si përfitohet falja e kamatëvonesave dhe kategoritë që përfitojnë, ndërkohë që abonentët e tjerë duhet të paguajnë çdo muaj faturat e tyre të konsumit të energjisë elektrike.

Në kuadër të planit të hartuar nga qeveria për zbutjen e efektit negativ që krijon përballimi i emergjencës mjekësore të shkaktuar nga Covid-19, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vënë në zbatim paketat lehtësuese për klientët debitorë.

Masat lehtësuese përfshijnë borxhet e vjetra të akumuluara dhe nuk kanë të bëjnë me detyrimin e abonentëve për të paguar faturën e rregullt të konsumit mujor të energjisë i cili mbetet i njëjtë.

Ndërkaq, nga vendimi për faljen e kamatëvonesave përfitojnë në total 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Shuma totale e falur e kamatvonesave arrin në 15,8 miliard lek ose mbi 135 milion USD.

Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU Sh.A), pjesë e OSHEE Group, sqaron median dhe opinionin publik për sa vijon:

1. Pagesa e faturës mujore

Çdo konsumator i energjisë elektrike, familjar apo biznes, duhet të paguajë rregullisht dhe brenda afatit faturën e konsumit mujor. Kjo është e vetmja mënyrë se si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të garantojë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e furnizimit me energji.

Stafi i OSHEE në qendrat e Kujdesit ndaj Klientit punon me turne, çdo ditë nga ora 06:00 deri në 13:00, me përjashtim të ditës së dielë.

Për të shmangur rradhët dhe kontaktet e shpeshta, çdo abonent mund të shfrytëzojë kanalet alternative për pagesën e faturës mujore të energjisë: Sportelet e Postës Shqiptare; bankat e nivelit të dytë; pikat e transfertave të parave dhe kudo ku është e vendosur logo OSHEE – Këtu paguhet fatura e energjisë elektrike. Abonentët mund të shfrytëzojnë edhe hapësirat online përmes faqes zyrtare të OSHEE, portalit qeveritar E-Albania dhe aplikacionet Banking Mobile.

2. Skema e faljes së kamatave për abonentët debitor

Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesa e OSHEE Group, ka hartuar paketat specifike përmes të cilave abonentët debitore do të mund të përfitojnë falje të kamatvonesave.

a) Kategoria e parë e përfituesve

Rezultojnë 90,194 abonentë, prej të cilëve 88,518 janë familjarë dhe pjesa tjetër subjekte biznesi, që aktualisht kanë një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara, krahas pagesës së faturës mujore.

Për këta abonentë, OSHEE ka vendosur të zbresë plotësisht vlerën e kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019. Shuma totale e falur për këtë kategori kap vlerën e 46 milion USD. Pjesa kryesore e kësaj shume, rreth 41 milion USD ka si përfitues abonentët familjarë ndërsa pjesa e mbetur konsumatorët e regjistruar si biznes.

Për të gjithë këta 90,194 mijë abonentë, OSHEE do të riskedulojë menjëherë aktmarrëveshjet aktuale duke u kryer zbritjen e kamatëvonesës së akumuluar deri në 31 Dhjetor 2019 dhe tanimë të falur.

Klientët familjar të cilët paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste mujore 2500, 2800 apo 4200 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 2000 lekë/muaj.

Kategoria e familjeve në nevojë, pensionistëve dhe të papunëve që paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste prej 1200 ose 1800 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 1000 lekë/muaj.
Abonentët biznes të cilëve u falet kamatvonesa e krijuar deri më 31 Dhjetor 2019, do të paguajnë tashmë këstet mujore të shlyerjes vetë të vlerës së principalit.

Afati për faljen e kamatëvonesës dhe riskedulimin e aktmarrëveshjeve të kësaj kategorie abonentësh është brenda 30 Prill 2020.

b) Kategoria e dytë e përfituesve

Sipas të dhënave të sistemit, rezultojnë 137,374 mijë abonentë debitorë (familjarë dhe biznese) të cilët nuk kanë një aktmarrëveshje të nënshkruar me kompaninë për shlyerjen e detyrimit të mbartur.

Këtyre abonentëve do tu ofrohet mundësia të jenë gjithashtu përfitues të faljes së kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019.

Për të përfituar faljen e kësaj vlere të kamatës, brenda datës 30 Qershor 2020 (nëse nuk ka reduktime të mëtejshme të orareve të qarkullimit), ata duhet të lidhin një aktmarrëveshje me kompaninë dhe të dakordësohen për të paguar me këste vetëm principalin e akumuluar deri në fund të vitit 2019.

Shuma totale e pritshme për tu falur për këtë kategori konsumatorësh arrin në mbi 89 milion USD.

/DRONI.al/

loading...
Loading...

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Leni një përgjigje