ANALIZA/Epidemiologu shpjegon vdekshmërinë dhe cilat mosha po sëmuren më shumë në Shqipëri,...

ANALIZA/Epidemiologu shpjegon vdekshmërinë dhe cilat mosha po sëmuren më shumë në Shqipëri, disa gabime që bëjmë

232
0
Shares

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Italia, Shqipëria dhe COVID-19: dy shtete fqinje por të ndryshme”*

Konsiderata Epidemiologjike Klinike mbi COVID-19.

Miqtë e mi, në vijim të diskutimeve dhe debateve që kanë kapluar aktualisht hapësirën fizike, psikologjike dhe virtuale të gjithsekujt, po ju ofroj këndvështrimin personal të bazuar mbi analizimin e shifrave demografike dhe epidemiologjike të publikuara deri më tani.

Italia, fqinji ynë dhe partneri ekonomik i parë i Shqipërisë numëron numrin më të lartë të të infektuarve me COVID-19 ndërmjet shteteve jashtë Kinës.

A duhet të presë edhe Shqipëria një skenar të tillë?
Por, përpara se të mbërrijmë te përgjigja, le të sqarojmë dy gabime të rëndomta.

GABIMI 1:
NUK DUHET TË NGATËRROHEN ME NJËRI-TJETRIN TERMAT raporti i vdekshmërisë së rasteve (case fatality rate – CFR) dhe raporti i vdekshmërisë në popullatë (mortality rate), pasi gazetarët, popullata e përgjithshme dhe shumica e personelit shëndetësor nuk njeh ndryshimin ndërmjet tyre.
Shkurtimisht,
CFR ose raporti i vdekshmerisë së rasteve llogaritet si numri i vdekjeve me COVID-19 pjesëtuar me numrin total të rasteve të konfirmuara me COVID-19 (nëpërmjet testit). Ndërsa raporti i vdekshmërisë në popullatë llogaritet si numri i vdekjeve me COVID-19 pjesëtuar me numrin total të të infektuarve me COVID-19 (shumica dërrmuese me COVID-19 nuk e kanë bërë testin dhe nuk e dinë që janë të infektuar.

Shembull: Në Francë janë gjetur 4469 raste me test pozitiv dhe ka pasur 91 vdekje. Pra, CFR = 91/4469 = 2.03% (Coronavirus disease 2019 Situation Report – 55, OBSH). Por, testi është bërë vetëm në rastet me dyshim të fortë ose në rastet spitalore më të rënda. Si shembull, nëse për çdo 1 person që ka kryer testin ka edhe 2 persona të tjerë që nuk e kanë kryer testin sepse nuk kanë asnjë simptomë por që do të dilnin pozitiv po ta kryenin, atëherë raporti i vdekshmërisë në popullatë do të ishte 3-fish më i ulët, pra 2.03/3=0.7%.
Në këtë analizë, do të mbështetem mbi CFR pasi ajo mund të matet më lehtë, por nuk është vlera e vërtetë e impaktit mbi popullatë.

Gabimi 2
NUK DUHET TË NGATËRROHET KORRELACIONI ME SHKAKËSINË. Pra, një person mund të vdesë me infarkt miokardi dhe të jetë pozitiv me COVID-19. Në këtë rast, shkaku i vdekjes është infarkti dhe jo koronavirusi. Pra, kjo është vdekje ME koronavirus dhe jo vdekje NGA koronavirusi. Shkakësinë e vdekjes mund ta caktojnë vetëm mjekët që ndjekin rastin, por standardi i artë është dhe mbetet autopsia post-mortem.

Për të sqaruar këto dy shifra të mësipërme nevojiten studime serologjike të bazuara mbi popullatë, të cilat nuk mund të kryhen dot në këto momente. Ndoshta në Kinë mund të fillojnë muajin që vjen, ne Evropë jo më parë se muaji qershor-korrik.
Rikthehemi te modelet e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në ITALI dhe çfarë mund të presim në SHQIPËRI.

E DHËNË:
Aktualisht vdekjet e rasteve (CFR) janë 6.8% në Itali, 2.03% në Francë, 1.2% në Hollandë, 0.9% në Korenë e Jugut, 0.88% në Greqi dhe 0.2% në Gjermani.

A na shërben si model ITALIA? A duhet të shohim një model më GLOBAL?
Le të analizojmë së bashku të dhënat që kemi deri më sot.

Dimë se parashikuesit e vdekshmërisë në rastet me COVID-19 janë mosha dhe sëmundjet e tjera shoqëruese (problemet kardiake dhe pulmonare, hipertensioni, diabeti, etj.), të cilat nga ana e tyre shtohen me moshën.

Pyetjet bazë që duhen shtuar janë:

Pyetja 1:
Në këto shtete cilat mosha po sëmuren më shumë?

Në Figurën nr. 1 shihet menjëherë që ka një dallim të qartë në moshat e prekura ndërmjet Italisë dhe Koresë së Jugut. Në Itali, shumica dërrmuese e rasteve janë mosha më të vjetra dhe si rrjedhojë peshojnë më shumë mbi sistemet shëndetësore spitalore duke u shoqëruar edhe me vdekshmëri më të lartë. Si rrjedhojë, vdekshmëria e rasteve nuk mund të krahasohet ndërmjet këtyre dy vende për vetë natyrën e moshave të ndryshme të prekura.

Pyetja 2:
Kush është modeli më i saktë i sëmundshmërisë, modeli i Italisë apo modeli i Koresë së Jugut?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje mjafton të kombinojmë të dhënat e moshës së popullatës së përgjithshme me të dhënat e shpërndarjes së popullatës së sëmurë sipas moshës. në të dy vendet.

Siç duket qartë, në Korenë e Jugut (Figura nr. 2) modeli i shpërndarjes së sëmundshmërisë ndjek në mënyrë harmonike modelin e moshës së popullatës së përgjithshme. Ndërkohë, në Itali (Figura nr. 3) këto dy modele nuk janë aspak harmonike, me prevalencë të qartë më të lartë në moshën më të lartë.

Kjo vjen si rrjedhojë edhe e mënyrës së testimeve për COVID-19. Në Korenë e Jugut testimet janë kryer në formatin e bazuar mbi popullatë, pra po testohen të gjithë, procedurë e cila është shumë e saktë nga ana epidemiologjike dhe mjekësore pasi po diagnostikohen edhe raste pozitive por krejtësisht asimptomatike. Nga ana tjetër, në Itali testimet janë kryer kryesisht në individë që shfaqnin shenja dhe/ose simptoma ose kur dyshimi ishte shumë i lartë, si rrjedhojë rastet që dilnin pozitive ishin njëkohësisht edhe rastet më të rënda nga pikëpamja e prognozës.

Pyetja 3:
Çfarë mund të përllogaritet në Shqipëri?

Në Shqipëri aktualisht nuk ka ende shifra të mjaftueshme për të përcaktuar një model, si rrjedhojë duhet të bazohemi mbi përllogaritjet. Megjithatë, metodologjia e kryerjes së testimeve përngjan shumë me metodologjinë italiane. Patjetër është metodologji shumë më kosto-efikase, por me problematikën e mbivlerësimit të tepërt të vdekshmërisë, e cila, KUJDES ❌❌❌, është CFR dhe jo vdekshmëri në popullatë.

Praktikisht, sipas raportimit më të fundit në OBSH, deri sot 15 mars 2020, ora 10:00, në Shqipëri janë gjetur 38 individë teste pozitive dhe ka pasur 1 vdekje (me shumë sëmundje shoqëruese), pra CFR = 1/38 = 2.63%.
Ref: (Coronavirus disease 2019 Situation Report – 55, Data as reported by national authorities by 10 AM CET 15 March 2020) https://www.who.int/…/situ…/20200315-sitrep-55-covid-19.pdf…

Me të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila me shumë përgjegjësi, po informon në mënyrë transparente rast pas rasti dhe deklaron 51 raste pozitive, CFR = 1/51 = 1.96% (përditësuar më 15 mars 2020, ora 21:30, nuk janë reflektuar në raportin e mësipërm të orës 10:00 të OBSH).

A është kjo pritshmëria për Shqipërinë?
A duhet të jetë më e lartë apo më e ulët vdekshmëria realisht?

Figura nr. 4 tregon shpërndarjen e moshës së popullatës shqiptare në krahasim me Korenë e Jugut dhe me Italinë. Të dhënat janë marrë nga United Nations World Population Prospects 2019
https://population.un.org/wpp/Download/Standard/Population/

Qartësisht shpërndarja e moshës së popullatës së Shqipërisë është e ngjashme, madje pak më e re, në krahasim me Korenë e Jugut dhe shumë më e re në krahasim me Italinë.
Si rrjedhojë, nëse marrin në konsideratë të dhënat e mësipërme dhe duke futur në model shpërndarjen e moshës, vdekshmëria në popullatën e infektuar me virusin e COVID-19 përllogaritet të jetë ≤0.9%.

Kujdes:
Kjo analizë bazohet vetëm mbi të dhënat e publikuara deri tani në kanalet zyrtare. Në të nuk merren në konsideratë diferencat gjenetike, sezonalitetin, pozicionin gjeografik, stilet e jetës dhe sistemet e ndryshme shëndetësore, të cilat mund të jenë të rëndësishme në përllogaritjen përfundimtare.

Si përfundim, miqtë e mi mos hyni në panik, vdekshmëria reale e infektimit është më e ulët se ajo që po raportohet aktualisht dhe studimet më të hollësishme do të na japin vlerën e saktë, por që bazuar mbi popullatën tonë do të jenë më pak se 0.9% e të infektuarëve!

FORCA SHQIPTARË! FORCA MIQ!

*Titulli në facebookun e Dr. Shk. Ilir Alimehmeti, Epidemiolog Klinik, Fakulteti i Mjekësisë, UMT

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY