Mafia malazese, 37 te vdekur mes familjeve rivale

Mafia malazese, 37 te vdekur mes familjeve rivale

227
0
Shares
Kotor, bokokotorski zaliv, Crna Gora. (BETAPHOTO/EMIL VAS/EV)

Nga BIRN

Kur Scepan Roganovic u ekzekutua në qytezën bregdetare të Herceg Novit më 13 Shkurt, ai u bë i treti nga familja e tij që humbi jetën në një luftë bandash që duket se nisi saktësisht pesë vjet më parë dhe që lidhet me trafikun e drogës.

Konflikti mes bandave Kavac dhe Skaljari ka shkaktuar së paku 37 të vdekur që nga 20 Shkurti i vitit 2015 dhe autoritetet duken të pashpresa për ta ndalur gjakderdhjen.

Krimi i organizuar ka rrënjë të thella në Malin e Zi, një ish-republikë jugosllave me rreth 630 mijë banorë që për shumë vite ka shërbyer si pikë tranziti për trafik cigaresh dhe droge.

Roganovic, anëtar i bandës së Kavacit, ishte 36 vjeç kur vdiq. I ati i tij, Niko, ishte 66 vjeç kur u ekzekutua para shtëpisë së vet në Herceg Novi në Korrik 2017.

Vladimir Roganovic, një kushëri, u vra në moshën 32 vjeçare në një restorant në Vienë në Dhjetor 2018 ndërsa edhe Serbia ka qenë fushëbetejë për vrasje të tjera. Policia ka bërë shumë pak përpara në identifikimin e autorëve dhe në parandalimin e gjakderdhjes.

“Nëse strukturat shtetërore të sigurisë mendojnë se këto konflikte mund të izolohen në një zonë të caktuar, e kanë gabim,” thotë deputeti opozitar Predrag Bulatovic, anëtar i Këshillit të Sigurisë në Parlamentin e Malit të Zi.

Rivaliteti mes lagjeve ndërkombëtarizohet

Qyteti i Kotorit në Malin e Zi. Foto: Ëikimedia Commons/Geotiger18

Bandat e Kavaçit dhe Skaljarit e kanë marrë emrin nga dy lagje të qytetit të Kotorrit, një vendbanim mesjetar i rrethuar me mure me një popullsi prej 20 mijë banorësh në gjirin me të njëjtin emër në Malin e Zi.

Një vendbanim i renditur si trashëgimi botërore nga UNECSO dhe një destinacion turistik shumë popullor, Kotori doli në titujt e lajmeve një dekadë më parë kur u zbulua se trafikanti famëkeq i drogës Darko Saric, i burgosur në Beograd më 2015 për trafik kokaine nga Amerika Latine, kishte filluar të investonte shuma të mëdha parash në qytezë, kryesisht në turizëm.

Lufta mes  Kavacëve dhe Skaljarëve filloi më 20 Shkurt 2015 kur anëtari i dyshuar i Skaljarëve Goran Radoman vdiq pasi u qëllua më breshëri në garazhdin e tij në lagjen Beograd i Ri në Beograd.

Raportimet mediatike e lidhën vrasjen e Radomanit me zhdukjen e një sasie prej 300 kilogramësh kokainë nga një apartament në qytetin e Valencias në Spanjë në vitin 2014.

Katër muaj pas vrasjes së Radomanit, trupi i Goran Duricit, një bashkëpunëtor i afërm i udhëheqësit të Skaljarëve Jovica Vukotic, u nxorr nga lumi Danub në qytetin e Novi Sadit në veri të Serbisë; shtatë ditë më vonë, anëtari i Skaljarëve Ivan Lopicic u vra në atentat jashtë shtëpisë së vet në Kotor.

Vrasjet, nga njerëz me maska apo me bomba në makina, vijuan. Në një rast, një anëtar i Skaljarëve Dalibor Djuric u ekzekutua me snajper më 22 Shtator 2016 ndërsa po ngrinte pesha në oborrin e burgut Spuz pranë Podgoricës.

Bojana Jovanovic, zëvendëskryeredaktori i Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrusionit, KRIK, me bazë në Beograd, tha se nuk kishte shenja që të sugjeronin se lufta do të mbarojë shpejt.

“Të gjitha grupet kriminale kanë marrë anë me njërën prej bandave,” tha Jovanovic. “Konflikti është shumë më i madh nga sa duket dhe shumë më i përhapur.”

“Festë e përgjakshme” në Athinë

Vrasjet e lidhura me këtë luftë janë shënuar në Malin e Zi, Serbi, Austri dhe Greqi. Më 19 Janar 2020, dy anëtarë të Skaljarëve Stevan Stamatovic dhe Igor Dedovic u vranë në një taverrnë në Athinë.

Media vendëse raportoi se katër persona të armatosur dhe me maska hynë në tavernë për të kryer ekzekutimin në një veprim që dukej si prej profesionistësh.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic reagoi pas vrasjeve duke argumentuar se vendi i tij kishte marrë masa për të ndaluar luftën e bandave. “Ajo festë e përgjakshme që ndodhi në Athinë mund të kishte ndodhur në Beograd,” tha ai.

Dy vjet më parë, në Prill 2018, ministri i Brendshëm i Serbisë Nebojsa Stefanovic tha se Serbia nuk do të lejonte të bëhej një fushëbetejë në luftën mes bandave malazeze të drogës dhe kërcënoi se do të shpallte të padëshirueshëm çdokënd që dyshohej se përbënte rrezik për sigurinë.

Në Shkurt të këtij viti, Vukotic, udhëheqësi i Skaljarëve, u ekstradua në Malin e Zi pasi mbylli një dënim 15 mujor në Serbi për përdorim pasaporte false.

Ai ishte i kërkuar në Malin e Zi për tentativë vrasje. Ndërsa vitin e kaluar, Slobodan Kascelan, udhëqeqës i klanit Kavac, u arrestua në Pragë dhe u ekstradua në Malin e Zi, ku pritet të dalë në gjyq për akuzën e krijimit të organizatës kriminale.

Gjithsesi Bulatovic thotë se vendi duhet të bëjë më shumë. “Është e qartë që institucionet kanë dështuar ndërsa grupimet e krimit të organizuar janë bërë më të fuqishme,” i tha ai BIRN. “Edhe pesë vjet pas fillimit të luftës institucionet kanë dështuar të kontrollojnë klanet edhe në kushtet kur këto të fundit operojnë nga një qytezë e vogël.”

Viktima rastësore

Dhuna mes bandave ka vrarë edhe një numër njerëzish që duket se nuk kishin lidhje me asnjë prej klaneve. Më 17 Prill 2015, Sasa Markovic, një ish deputet i opozitës, u ekzekutua në derën e shtëpisë së vet në Budva, ndërsa media raportonte se shënjestra mund të kishte qenë bamirësi i tij Goran Djurickovic, një anëtar i klanit Skaljari.

Ivan Nedovic, një tjetër person që ngjan si viktimë rastësore, vdiq kur persona të paidentifikuar u përpoqën të vrisnin Minja Sakovic, një prej Skaljarëve, në Podgoricë në Shtator 2017.

Gjashtë muaj më vonë, kur vëllai i Sakovic, Milos, u ekzekutua në mes të ditës në Podgoricë, një plumb qorr vrau 42 vjeçarin Radivoje Jovanovic, ndërsa ky i fundit po shijonte një kafe me të dashurën në një lokal.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY