Prokurorja e Durresit, ONM kerkoi shkarkimin se vonoi arrestimin e drejtorit

Ndaje

Nga Vladimir Karaj

Vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i kërkuan Komisionerit Publik që të apelojë çështjen ndaj drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, ndërsa arsyetohet se ajo duhej të shkarkohej për mangësi në deklarimin e pasurisë dhe probleme të profesionalizmit.

Ankimimi bazohet kryesisht mbi veprimet dhe mosveprimet e Jellës në çështjen ndaj Liridon Pulës, drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës dhe në ato për një gjyqtare të Gjykatës së Apelit Tiranë, që ishte trasferuar për kompetencë në Durrës. ONM shprehet se Jella vonoi arrestimin e Pulës duke ndërhyrë në veprimet e prokurorit të çështjes, ndërsa nuk ndërmori asnjë veprim në çështjen që përfshinte gjyqtaren, duke lejuar prokurorinë të pezullonte hetimet në pritje të një vendimi në apel.  “Në të dy rastet, subjekti ka vënë në lëvizje mekanizma procedurialë më qëllim mbrojtjen e keqbërësve të dyshuar, një prej të cilëve një zyrtar publik,” thuhet në rekomandimin e ONM-së.

KPK në vendimin e zbardhur për konfirmimin e prokurores, arsyetoi se për shkak të legjislacionit në fuqi, Jella nuk mbante përgjegjësi për veprimet e prokurorëve që kontrolloheshin nga gjykata. Sipas trupës së kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Etleda Çiftja, “mosveprimi në dy raste” nuk mund ta bënte Jellën të papërshtatshme. Megjithatë, duke iu referuar çështjeve të ngritura nga ONM, KPK transferoi dy prej tyre për procedim disiplinor dhe një prej rasteve që të merrej parasysh në vlerësimin profesional të Jellës.

Për shkak të këtyre rekomandimeve nga KPK që sipas ligjit nuk mund të ankimohen,  ONM kërkon që apelimi të bëhet me prioritet, për të mos lejuar që “organi kompetent” të marrë në shqyrtim dosjen dhe ajo të dalë nga juridiksioni i rivlerësimit. ONM shprehet në rekomandim se kjo do të cënonte procesin, ndërsa arsyeton se kufizimi për të mosapeluar këtë pjesë të vendimit duhej të binte vetëm mbi subjektin e rivlerësimit.  Vëzhguesit kërkojnë që apeli të bëhet për të tre kriteret e rivlerësimit.

Komisioneri Publik i cili njoftoi marrjen e rekomandimit, bëri me dije se po shqyrtonte si vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi Jellën në detyrë, ashtu edhe rekomandimin e ONM, për të dalë në një vendim.

Prokurorja e Durrësit iu nënshtrua dy herë hetimit nga KPK. Në vendimin e zbardhur bie në sy se ndaj saj pati dhjetra denoncime, një pjesë në portale online dhe të tjera anonime drejt institucioneve të rivlerësimit. KPK në vendim shprehet se u provua që denoncimet “në asnjë rast nuk i referohen shkeljeve konkrete të bëra nga subjekti i rivlerësimit në dosjet penale të hetuara prej saj”.

Vetë Jella u mbrojt gjatë seancës dëgjimore dhe në përgjigjet për KPK dhe ONM duke deklaruar se nuk kishte kontroll mbi veprimet e prokurorëve dhe se në rastin e Pulës, vonesa kishte pasur si arsye mbrojtjen e një hetim paralel po mbi ASHK-në e Durrësit dhe koordinimin e punës. Jella dhe KPK në arsyetim marrin parasysh edhe rrëzimin e masës së sigurisë ndaj Pulës në Gjykatën e Apelit në Durrës.

Dosjet e Kadastrës

Përplasja brenda prokurorisë së Durrësit, që u bë e qartë gjatë shqyrtimit të çështjes ndaj Jellës në KPK, lidhet me hetimet për një sërë çështjesh të dyshuara për abuzim me pronat në bregdet.

Hetimi i ONM-së dhe një sërë ngjarjesh, përfshi atentatin ndaj prokurorit Ndoja, në të cilin ky i fundit u plagos dhe humbi jetën shoferi i tij, ndërsa ishte në makinë me një të proceduar për rrahjen e një biznesmeni libanez që kërkonte të investonte në bregdet dhe grabitja e dosjeve të hetimeve mbi pronat në zyrën e prokurorit Afrim Shehu, duket se lidhen me njëra-tjetrën dhe se janë kthyer në burim përplasjeje brenda prokurorisë.

Po ashtu del se në të njëjtën kohë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Kadastrës ka pasur një sërë hetimesh paralele, por për çështje të ndryshme, të ndjekura kryesisht nga prokurët Arjan Ndoja dhe Afrim Shehu.

Aktivisht në këtë përplasje është përfshirë qeveria, e cila mori në mbrojtje zyrtarin e saj Liridon Pula dhe sulmoi prokurorin Arjan Ndoja. Pa iu adresuar në emër, Rama e bëri Ndojën simbol të lëvizjes së njohur si  “AntiKÇK” (Kap ça të kapësh). Mbi këtë argument, qeveria miratoi të mërkurën një sërë ndryshimesh ligjore kontraverse që i japin pushtet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kërkojë pezullim me urgjencë të prokurorit apo gjyqtarit.

Qëndrimi i ONM-së në këtë çështje, i cili u bë i qartë gjatë seancës dëgjimore, ka të bëjë sipas rekomandimit me faktin se Jella ka mbajtur qëndrime të ndryshme në dy çështje, prej të cilave duket se favorizoheshin të dyshuarit. “Ju duhet të sqaroni se pse ishit aktive në një rast (hetimet për Pulën) dhe pse fshiheni pas kompetencave në rastin tjetër (hetimet për gjyqtaren)”, tha Jacobs gjatë seancës Jellës, ndërsa shtoi se i krijohej përshtypja që në të dy rastet përfitonin të dyshuarit.

Jacobs paraqiti bashkëlidhur vendimit të KPK një mendim në pakice, i cili kundërshtonte përfundimet e arritura nga Komisioni, duke i cilësuar ato të pasakta dhe duke argumentuar se Jella duhej të ishte shkarkuar.

Rekomandimi i ONM për Komisionerin Publik i referohet kryesisht këtij dokumenti në të cilin bashkëlidhen edhe vendimi i Gjykatës së Durrësit për të caktuar masën e sigurisë së “arrestit me burg” për Liridon Pulën dhe gjetjet e e Jacobs pas një vizite në Prokurorinë e Durrësit në tetor të vitit që shkoi.

Rekomandimi vë në dukje se në rastin e Pulës, Jella kishte vonuar pa një shkak të përligjur arrestimin. Sipas rekomandimit, çështja i ishte paraqitur Jellës të enjten, por ajo e kishte firmosur kërkesën për ta dërguar në gjykatë për masë sigurie të hënën. Sipas rekomandimit pretendimi i Jellës se kishte thirrur një mbledhje të prokurorëve për të koordinuar punën dhe për të mos cënuar hetimin paralel që po ndiqej nga Shehu, nuk provohet pasi nuk ka asnjë dokument të mbledhjes.

Po ashtu në rekomandim vihet në dukje se pretendimet e Jellës në udhëzimin  për Ndojën, që çështja ndaj Pulës kishte nevojë për hetime të tjera, u rrëzuan me masën e sigurisë së vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. “Kjo është shfaqe e një sjellje minimalisht neglizhuese, në mos të vullnetshme, në menaxhimin e punës së saj si drejtuese, ashtu siç del edhe nga mungesa e një sistemi efikas shorti në periudhën e gushtit 2019,” thuhet në konkluzionet e rekomandimit të ONM-së, duke iu referuar këtij rasti.

KPK në vendim nuk i ka gjetur shkarkuese veprimet e Jellës në këtë rast. Përndryshe nga ONM që i referohet masës në Gjykatën e Shkallës së Parë, Komisioni mori parasysh vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës e cila ndryshoi masën e sigurisë ndaj Pulës në “detyrim paraqitjeje”, duke mos i cilësuar të mjaftueshme provat për ta mbajtur atë në qeli.

Po ashtu, KPK ka marrë parasysh mbrojtjen e Jellës dhe ka cilësuar të provuar përpjekjet për një mbledhje, nisur nga një relacion i përgatitur prej drejtuesit të seksionit kundër krimit ekonomik dhe mesazhet nga sekretaria e prokurorisë për prokurorin Ndoja. Jella në mbrojtjen e saj vë po ashtu në dukje se Ndoja nuk ishte prokuror i seksionit kundër krimit ekonomik dhe se kishte qenë drejtuesi i këtij seksioni që e kishte vënë në dijeni për përplasjen e mundshme mes dy dosjeve.

Ajo pretendon edhe se kërkesa për arrestimi i kishte ardhur në fund të orarit zyrtar dhe se ajo kishte qenë ndërkohë e ngarkuar me detyrimin për t’iu përgjigjur pyetësorëve të dërguar nga KPK. Jella pretendon se për këtë arsye, kjo kërkesë i është lënë drejtuesit të seksionit për krimin ekonomik dhe se ka qenë ky i fundit që ka konstatuar përplasjen.

Jella po ashtu paraqiti si mbrojtje faktin se përtej udhëzimit të saj në këtë rast, Ndoja kishte vijuar i pavarur procedurën, që çoi në arrestimin e Pulës dhe masën e sigurisë ndaj tij.  KPK arsyetoi ngjashëm. “Në vlerësim të rezultateve të hetimit në raport me kompetencat ligjore të drejtuesve, trupi gjykues arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka zbatuar ligjin brenda kompetencave të saj si drejtuese”, thuhet në vendim.

Në tërësi KPK vendosi se problemet e konstatuara në këtë çështje mund të përdoreshin në vlerësimin profesional të Jellës dhe ia dërgoi ato Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Nga veprimi në mosveprim

ONM nga ana e saj e sheh si të pasaktë këtë arsyetim. Në rekomandim vihet në dukje se dy çështjet, ajo e sipërpërmendur mbi ASHK-në në të cilën Jella merr veprime aktive dhe ajo ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Tiranës për të cilën nuk është ndërmarrë asnjë veprim, dëshmonin “pabarazi në shqyrtimin e çështjeve”.

“Për më tepër, subjekti jo vetëm shkaktoi pabarazi në veprimet me çështjet që ishin në kompetencë të Zyrës së Prokurorisë Durrës, por të paktën në dy raste, ajo kontribuoi me veprime dhe mosveprime, me vullnet apo prej neglizhencës, për të mbrojtur keqbërës, një prej të cilëve ishte zyrtarë publik”, thuhet në rekomandim për ankimin e vendimit të Komisionit.

Kjo pabarazi iu vu në dukej Jellës disa herë gjatë seancës dëgjimore nga Jacobs, i cili këmbënguli që ajo të mos fshihej pas mungesës së kompetencave. Sa i përket kësaj çështje, ONM thotë në rekomandim se Jella jo vetëm nuk ndërhyri me një udhëzim për të thelluar hetimet, por kishte lejuar ngrirjen e tyre nga prokurori edhe pse kishte një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës që rekomandonte hetime shtesë.

Çështje që ishte denoncuar fillimisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, përfundoi në Durrës për kompetencë pas Krimet e Rënda pretenduan se nuk kishte të dhëna për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj gjyqtares.

Jella u mbrojt me këtë qëndrim, duke arsyetuar në seancë dëgjimore dhe në përgjigjet për KPK dhe ONM, se hetimet ndaj gjyqtarëve bëheshin në atë kohë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe vendimi i moskompetencës nënkuptonte se nuk kishte prova për këtë akuzë.

Por ONM këmbëngul se në këtë rast ka neglizhencë. Sipas rekomandimit hetimet u çuan për t’u pushuar në gjykatë edhe pse nuk u kryen veprime hetimore të tjera. Jella, e cila sipas ONM ka qenë në dijeni sepse i ka kthyer një përgjigje gjyqtares në fjalë se ndaj saj nuk kishte procedim penal, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim. Ky mos angazhim vazhdoi edhe pasi prokuori i çështjes kishte vendosur të apelonte kundër vendimit të Gjykatës së Durrësit që urdhëronte kryerjen e hetimeve.

“Mungesa e kontrollit që duhej të ishte ushtruar nga subjekti i rivlerësimit, znj. Anita Jella, mbi kryerjen e duhur të veprimeve përkatëse të procedimit, në lidhje me dyshimet për korrupsion në ngarkim të një anëtareje të gjyqësorit, është tepër shqetësuese – specifikisht, mungesa e mbikëqyrjes mbi mosregjistrimin e emrit të shtetases Z. S., dhe mosfillimi i hetimit (ose edhe mundësia për vlerësimin nëse duhej të ishin filluar hetimet)”, citohet vëzhguesi Theo Jacobs në vendimin e KPK-së për Jellën.

Jella u mbrojt duke referuar se ajo nuk kishte qenë në punë në momentin e mbërritjes së kësaj dosjeje dhe se vendimet ishin marrë fillimisht nga zëvendës drejtuesi, por edhe se Kushtetuta nuk i lejonte asaj të ndërhynte në vendimarrjen e prokurorit dhe se udhëzimet nuk ishin detyruese.

Nga ana e saj, KPK e cila e ka referuar edhe këtë çështje për vlerësim profesional në KLP, merr parasysh se përtej vendimit të Gjykatës së Faktit në Durrës që i kërkonte prokurorisë hetime të tjera dhe një vendimmarrje të qartë mbi akuzat ndaj gjyqtares, duhej pritur vendimi i Apelit. KPK thotë se pa vendimin e formës së prerë nuk mund të thuhej nëse ishin kryer apo jo si duhet procedurat.

Çështja Isaku dhe hetimet për drogën

ONM i lidh dy rastet e mësipërme me një të tretë të ndodhur në gush 2019 dhe të denoncuar publikisht në disa portale, si një përpjekje e Jellës për të shpëtuar një tjetër funksionar publik nga hetimi.

Megjithëse vendimi është i anonimizuar, për shkak se çështje përfshin ish-zyrtarë publikë dhe ka pasur vëmendje në media, rezulton se bëhet fjalë për një urdhër arresti ndaj ish-drejtuesit të ALUIZNIT në atë kohë, zëvendësdrejtor i ASHK, Arben Isaku.

Isaku, ndaj të cilit tashmë ka hetime për “shpërdorim detyre” për legalizim ndërtesash që u dëmtuan nga tërmeti, u shpall në kërkim në gusht “për falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se firmosi legalizimin e një godine që nuk i përmbushte kushtet.

Denoncimi publik në portalin Pamfleti,  thoshte se Jella kishte pushuar këtë çështje dhe se ia kishte hequr atë padrejtësisht prokurorit Sokol Nishani, duke ia kaluar dipas denoncuesve prokurorit Ndriçim Troplini.

Denoncimi nuk është gjetur i saktë nga KPK, pasi ka rezultuar se prokurori Nishani kishte kërkuar të tërhiqej nga çështja që e kishte ndjekur si i gatshëm për shkak se nuk ishte në seksionin e tij dhe Troplini e kishte marrë dosjen pasi kishte ndjekur masën e sigurisë në gjykatë po ashtu si prokuror i gatshëm. Po ashtu, çështja nuk është pushuar dhe hetimet ndaj Isakut dhe të tjerëve vijojnë.

Edhe  ONM nuk gjen probleme në sjelljen e Jellës, e cila nuk ka qenë e pranishme në procedurat që kanë ndodhur në datat 9 deri më 28 gusht 2019. Por vëzhguesit vënë në dukje se mënyra se si ishte ndarë puna e prokurorëve të gatshëm në këtë periudhë ishte problematike dhe mund të cënonte hetimet.

Sipas ONM-së, ndarja e gatishmërisë kishte krijuar një situatë kur denoncimi i marrë nga prokurori i gatshëm Arjan Ndoja më 9 gusht i cili kishte kryer disa veprime proceduriale përfshi lëshimin e urdhër ndalimeve , por nuk kishte regjistruar procedimin penal. Çështja i  kishte kaluar të nesërmen prokurorit tjetër të gatshëm i asaj dite, Sokol Nishani, i cili ka kryer veprime të tjera hetimore, ka rregjistruar procedimin penal dhe ka kërkuar vlerësimin e masës së sigurisë në gjykatë. Ndalimi i disa prej të shpallurve në kërkim më 28 gusht ka përfshirë në dosje prokurorin Ndriçim Troplini, i cili po ashtu ka qenë i gatshëm dhe ka shkuar në gjykatë për të përfaqësuar prokurorinë mbi këto ndalime.

Jella thotë se çështja vijoi të ndiqet nga Troplini, pasi ky i fundit ishte prokuror i seksionit kundër krimit ekonomik dhe po ashtu ishte përfshirë në çështje dhe kishte kryer veprime mbi të. Për ONM kjo mënyrë e të funksionuarit të gatishmërisë mund të dëmtonte hetimet dhe duhej parë e lidhur me dy rastet e mësipërme. KPK nuk ka gjetur probleme në këtë rast.

Vëzhguesit ndërkohë kërkojnë që hetimet mbi profesionalizmit në Apel të zgjerohen edhe te një hetim i vetë Jellës në vitin 2014 ndaj një të dyshuari për shpërndarje narkotikësh. Edhe KPK pranoi se në këtë rast nuk ishin kryer të gjitha veprimet hetimore, por e cilësoi të pamjaftueshëm për shkarkim dhe e referoi për hetim disiplinor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Jella pretendoi se për shkak se lënda e kapur nuk kishte qenë narkotik, por paracetamol e kafetinë nuk mund të vazhdonte hetimet për këtë çështje.

Rekomandimi mbi pasurinë

Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se ndaj Jellës dhe bashkëshortit të saj, po ashtu prokuror janë bërë disa dhjetra denoncime, përfshi edhe një sërë artikujsh në portale online në të cilat ajo akuzohet për lidhje me krimin.

Megjithatë, KPK thotë se pas verifikimit të këtyre denoncimeve nuk u gjetën në asnjë rast shkelje të vetë Jellës. Një pjesë e mirë e denoncimeve, sipas Komisionit rezultuan false, për shkak se nuk u referoheshin fakteve, ndërsa në të tjerë nuk u gjetën indicie për hetime apo nuk u gjetën shkelje.

Komisioni thotë se Jella dhe bashkëshorti bashkëpunuan gjatë procesit, që përfshiu hetimin e këtij të fundit mbi pasjen e një emri tjetër në vitet 98-2000. Hetimet sipas KPK e rrëzuan denoncimin. ONM po ashtu nuk vë në dukje probleme në këtë pjesë të hetimeve të komisionit.

Megjithatë, ashtu si për profesionalizmin ONM ka gjetur probleme edhe në deklarimin e pasurive të Jellës. Vëzhguesit kërkojnë që në ankim të hetohet mosdeklarimi prej saj i përdorimit të apartamentit të kunatit për disa vite dhe po ashtu deklarimi i paqartë mbi pagesën e këstit të parë, prej 2.5 milion lekësh për një apartament të blerë në Durrës.

ONM vë në dukje se përdorimi i banesës së kunatit nuk ishte deklaruar asnjëherë. KPK nga ana e saj ka marrë të mirëqena deklarimet e Jellës se apartamenti ishte deklaruar si adresë në deklaratat vjetore të pasurisë. Por sipas ONM-së, kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe se kjo adresë mund t’i përkiste edhe apartamenteve të tjera në atë pallat.

Ndërkohë sipas vëzhguesve, deklarimi vjetor për pagesën e këstit të parë kishte një diferencë prej 300 mijë lekësh me deklarimin në veting. Në deklarimin vjetor ishte deklaruar pagim kësti prej 2.2 milion lekësh, ndërsa në deklaratën veting shuma ishte 2.5 milion lekë. Jella pretendoi se diferenca kishte të bënte me shpenzim për të bërë të jetueshëm apartamentin e kunatit dhe se kjo ishte deklaruar si një shpenzim i tërë në veting. Ajo tha se burim kishin qenë kursimet e deklaruara deri në vitin 2011.

KPK i ka gjetur të mjaftueshme këtë deklarime, por ONM pretendon se kjo rrjedhë ngjarjesh është e paqartë dhe se nuk ka dokumente provuese për pagesën. ONM thotë se Jella ka deklaruar për KPK në një moment se diferenca ishte 450 mijë lekë, duke e bërë edhe më të paqartë deklarimin e saj.

Hetimet për pasurinë e Jellës përfshinë edhe nje denoncim publik, sipas të cilit apartamenti i deklaruar ishte më i madh. Nga vendimi rezulton se KPK fillimisht kërkoi të vizitonte apartamentin, gjë për të cilën Jella u shpreh e gatshme, por kjo vizitë nuk duket se është bërë. KPK kërkoi më pas foto, që Jella i depozitoi. KPK thotë se fotografitë e apartamentit dhe pallatit provonin deklarimet e prokurores dhe rrëzonin denoncimin. Hetimet mbi pasuritë e personave të lidhur rezultuan pa probleme.

loading...
Loading...

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Leni një përgjigje