SPECIALE/ Masakrat ne kampin e Vlocishtit ku komandant ishte vellai i Rita...

SPECIALE/ Masakrat ne kampin e Vlocishtit ku komandant ishte vellai i Rita Markos

714
0
Shares

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe tepër tragjike të burgosurve politikë që vuajtën dënimet në kampin e tmerrshëm të Vloçishtit në rrethin e Korçës, ku humbën jetën rreth 73 të dënuar politikë, pasi ai ishte një nga kampet më të tmerrshëm që u hapën në regjimin komunist të Enver Hoxhës, ku nga trajtimi ç’njerëzor që u bëhej të burgosurve në atë kamp, shumë prej tyre nuk duronin dot dhe kalonin në vetëvrasje, duke shkuar me koshiencë të plotë drejt vdekjes?! Një prej tyre vrapoi duke u hedhur në telat me gjemba, ishte dhe Virtut Gjylbegu nga Shkodra, i biri i Hamit Gjylbegut, një prej antikomunistëve më të betuar që nuk pranoi asnjëherë të merrte pjesë në votime…?!

Afër gjysëm shekulli të sundimit komunist në Shqipëri, pothuaj në të gjithë vendin ishin ngritur kampe dhe burgje ku vuajtën dënimet me dhjetra mijra vetë, të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur si kundërshtarë politikë apo “armiq të popullit”. Në ato burgje dhe kampe të punës së detyruar, të dënuarit politikë shqiptarë e të huaj u trajtuan me kushte nga më çnjerzorët, që nuk krahasohen dot as me kampet e shfarosjes në masë që kishin ngritur nazistët gjermanë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Një nga këto kampe ka qenë edhe ai i Vloçishtit në rrethin e Korçës, i cili u hap në vitin 1948 dhe ku humbën jetën rreth 73 të burgosur, të vdekur nga uria, kushtet çnjerzore apo të vrarë nga policët e rojet e atij burgu. Një nga ish-të burgosurit e Vloçishtit ka qenë dhe Abdyl Hakan Banushi, me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës, cili para shumë vitesh në një intervistë që i kemi marrë, na rrëfente mbi tmerret e atij kampi. Kush është Avdyl Banushi, cila ishte e kaluara e tij dhe si u gjend ai pas hekurave dhe u dërgua për të vuajtur dënimin në atë kamp?

Kush është Abdyl Banushi?

Abdyl Banushi u lind në vitin 1928 në fshatin Golem të Gjirokastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Gjatë viteve të luftës ai u vendos në qytetin e Durrësit për të ndjekur mësimet në gjimnazin e qytetit bregdetar dhe aty u lidh me Lëvizjen Antifashiste. Pas vitit 1943 ai u lidh me rininë e Ballit Kombëtar dhe mori pjesë aktive në disa demostrata që u organizuan asokohe nga rinia nacionaliste e Durrësit, ku dhe ra në sy të autoriteteve fashiste italiane të cilët e futën në listat e atyre që do internoheshin. Pas kapitullimit të Italisë, ato lista ranë në duart e gjermanëve, të cilët në vitin 1944 e arrestuan Abdylin dhe së bashku me dhjetra të tjerë i internuan në kampet e shfarosjes që nazistët kishin hapur nëpër Europë. Në vitin 1945-së, Banushi mundi që të lirohet nga ato kampe me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe nga Gjermania ai mbërriti në Itali e më pas u kthye në Shqipëri, ku ai u arrestua duke u akuzuar si agjent i anglo-amerikanëve. Shkak për arrestimin e tij, u bë një letër të cilën atij ia kishte dhënë në kampin e Rexhio-Emiljas, ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, për t’ua çuar njerëzve të tij në Tiranë. Pas kësaj Abdyli u dënua me 20 vite burg dhe mundi që të lirohet vetëm në vitin 1961, pasi kishte vuajtur 16 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Pas daljes nga burgu atë e internuan në qytetin e Fierit, ku e arrestuan përsëri vetëm pas pak ditësh. Abdyli mundi që të arratisej nga Dega e Brendëshme e Fierit dhe pas kësaj edhe nga Shqipëria dhe u vendos në SHBA. Në vitin 1974, ai erdhi përsëri në Shqipëri me një mision dhe i tradhëtuar nga një person që ishte bashkë me të, ra në duart e Sigurimit të Shtetit diku në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe pas kësaj, u dënua edhe 15 vite të tjera burg, duke u liruar më 17 mars të vitit 1991, me të dënuarit e fundit politik që dolën në atë kohë, pasi kishte vuajtur 31 vite në burgjet e skëterrës komuniste.

Kujtimet e Avdyl Banushit për kampin e Vloçishtit

“Kampi i Vloçishtit u hap në vitin 1947 afër fshatit me të njëjtin emër pasi u mbyll kampi i Maliqit, ai përbëhej nga tre kazerma të mëdha të ruajtura nga ushtarë me mitrolozë dhe automatik. Ne ishim 500 të dënuarit e parë që shkuam në atë kamp (në ato kohë komandohej nga Tasi Marko) ku punonim rreth 12 orë në ditë në ngricat e dimrit (temperatura arrinte shpesh herë deri minus 18 gradë) duke hapur kanale bonifikuese dhe ushqimi ishte vetëm 700 gram bukë në ditë me një lëng uji që quhej supë. Asokohe në Kampin e Vloçishit, terrori dhe frika nisën të bëheshin gjëra të zakonëshme dhe fare normale e shumë nga të burgosurit mendonin se si të arratiseshin apo të vrisnin veten. Në një prej atyre ditëve u arratisën shtatë vuajtës të këtij kampi, të cilët mundën të zhdukeshin nëpër kallamishte pa i vënë re njeri. Ikja e tyre u mësua vetëm në darkë kur na numëruan dhe si dënim për atë që kishte ndodhur, ne na lanë gjithë natën jashtë. Ndaj të gdhirë na dhanë nga një lugë me supë dhe na nisën për në punë. Po atë ditë një i burgosur tjetër vdiq në kanalin me ujë. Kur e panë shokët e tjerë trupin e tij të pajetë, nisën që të bërtisnin dhe e lanë punën. Kur u mësua vdekja e tij, u njoftua komandanti i kampit, Tasi Marko, i cili erdhi menjëherë aty dhe bëri thirrje që të rifillonte puna menjëherë, por atë ditë askush nuk pranoi të punonte. Tasi Marko u largua dhe më pas u kthye përsëri së bashku me një grup civilësh të Ndërrmarrrjes së Bonifikimit dhe iu drejtua grupit rebel që kishte organizuar ndërprerjen e punës, duke u thënë: “Dëgjoni, ne e pamë gjendjen në vënd dhe i burgosuri duhet të ketë qenë i sëmurë. Por megjithatë ka mjekë që do të bëjnë ekspertizën. Nuk është për faj të askujt, prandaj duhet të vazhdoni punën se për ndryshe do të marrim masa të rrepta. Ky është kamp i punës së detyruar dhe nuk është kamp pushimi”. Në atë çast, një klerik katolik shkodran, doli një hap përpara dhe tha: “Ne më mirë preferojmë vdekjen, se kjo është jetë qeni”. Tasi Marko nënqeshi dhe tha: “Vazhdoni, vazhdoni” Kleriku shkodran iu përgjigj: “Zoti komandant, unë kaq kisha, në ras se nuk na keni kuptuar, aq më keq për ju”. Atë ditë nuk u mor asnjë masë ndëshkimore, por sa erdhi dreka dhe mbërritën kazanat e supës, të burgosurit morën racionet e tyre dhe nisën të hanin gjithë uri. Edhe pas dreke asnjë nuk pranoi të hante dhe ne qëndruam të gjithë në bankinën e kanalit. Ndërkohë që ishim aty, nga një truproje që ishte fare pranë, u dëgjua një krismë e vetme automatiku. Plumbi kishte goditur njërin prej të burgosurve, një burrë të moshuar afër të shtatëdhjetave, i cili ishte njëri nga organizatorët e revoltës dhe punonte në brigadën e katërt. Pas kësaj, komandanti, Tasi Marko, urdhëroi të ndërpriteshin punimet dhe të ktheheshim të gjithë në kamp para kohe. Ne pasi morëm me vete dy viktimat e asaj dite, u kthyem dhe u mbyllëm në kapanone duke refuzuar që të merrnim ushqimin e darkës”, kujton Abdyl Banushi, dy nga vrasjet e shumta që ndodhnin në atë kamp të tmershëm.

Dramat njerzore që ndodhnin në kampin e tmershëm të Vloçishtit

Sipas rrëfimeve të Abdyl Banushit, ish-të burgosurit në Kampin e Vloçishtit, asokohe në atë kamp përveç vrasjeve dhe vdekjeve të shumta, një nga tmerret që u shkurtonte jetën të burgosurve, ishte dhe uria. Lidhur me këtë ai kujton: “Mungesa e ushqimit në atë kamp shpesh herë shkaktonte skena makabre sa njeriu kafshërohej duke dalë jashtë natyrës njerzore. Nuk e harroj kurrë se si vërsuleshin të dënuarit fushës, kush e kush të rrëmbente më parë ndonjë lëkurë bostani të cilën e kishin flakur punonjësit e lirë të bonifikimit që punonin atje. Aty ndodhin përleshje të vërteta. Të burgosurit i fshihnin në trup rrepat e shkulura të panxharit dhe mezi prisnin rastin që t’i hanin fshehurazi.. Nuk e harroj kurrë se si luhej kumar për të fituar një copë bukë apo një rrepkë panxhari më shumë. Shesh herë zaret bëheshin me tul buke sa një thua, i cili pas lojës dhe ai përfundonte në stomak nga ai që fitonte lojën”, kujton Abdyl ato drama njerzore që ndodhnin në kampin e tmershëm të Vloçishtit.

Vrasja e Virtut Gjylbegut

Asokohe në Kampin e Vloçishtit kanë ndodhur dhe shumë vetëvrasje nga të burgosurit që nuk i rezistonin dot kushteve të tmerrshme që ishin aty. Lidhur me këtë, Abdyl dëshmonte: “Dramat shokuse që pësonin të burgosurit në atë kamp, shpesh herë bëheshin shkak për vetvrasje dhe unë nuk mund ta harroj kurrë atë çka ndodhi me shokun tim të prangave, Virtut Gjylbegun nga Shkodra. Një natë përpara se të flinim, nga që ai mu duk shumë i dëshpëruar, unë e pyeta se çfarë i kishte ndodhur. Ai mu përgjigj: “Abdyl, a ja vlen të jetosh në këto kushte të tmershme”? Për t’i ngritur kurajon, unë iu drejtova duke i thënë se ia vlente dhe jeta duhej jetuar ashtu si të na vinte. Pas kësaj ai më ra shpatullave dhe më tha: “Nuk e prisja këtë përgjigjie nga një njeri me kulturë”, dhe u largua duke më thënë natën e mirë. Po atë natë rreth orës dy pas mesnate, tre policët e kapanonit tone, Hito Hitaj, Ali Gana dhe Skënder Toskallari, dhanë alarmin duke bërtitur se një i burgosur po vraponte fushës së kampit në drejtim të zonës së ndaluar atje ku ishin telat me gjemba të rrethimit të jashtëm. Ndërkohë nga alarmi që u bë, roja që ishte aty pranë hapi zjarr me mitroloz dhe viktima i asaj nate ishte shoku im Virtut Gjylbegu. Të nesërmen erdhi një komision nga Korça për të verifikuar ngjarjen”, kujton Abdyl, mbi vrasjen e shokut të tij që mbeti i varur në telat me gjemba të kampit në Vloçishtit.

Protesta e profesorit P. SH.

Por krahas atyre të burgosurve që mundën t’i përballonin vuajtjet e shumta të atij kampi, kishte dhe nga ata që nuk mundën tu rezistonin dot atyre tmerreve. Për një nga këta të burgosur, Abdyl kujtonte: “Një të djelë komandanti i kampit, Tasi Marko, hyri në shesh me uniformë parade. Zakonisht të djelave ai mbante fjalime por atë ditë shumë nga të burgosurit e rrethuan dhe filluan që t’i ankoheshin për kushtet e vështira dhe gjendjen e rëndë shëndetësore në të cilën ndodheshin, duke i kërkuar që Drejtoria e Kampit t’i lejonte familjet që tu sillnin cigare ushqime dhe rroba. Në kohën që unë po prisja me zemër të ngrirë reagimin e Tasi Markos, ai buzëqeshi lehtë dhe me një ngrohtësi të paparë ndonjëherë, tha se do ta shihte atë problem. Në atë kohë një i burgosur ja dha vrapit e mori drejtimin nga shpura e ushtarakëve që shoqëronin komandantin e burgut dhe duke çarë me forcë një grup të dënuarish i doli përpara me krahë hapur Tasi Markos e i tha: “Ju lutem zoti komandant më dëgjoni dhe mua. Unë jetoj në kushte të tmershme dhe nuk duroj dot, ju lutem”. Komandanti u vrazhdësua në fytyrë dhe i tha: Kush jeni ju? I burgosuri iu përgjigj: Unë jam Profesori P. Sh. dhe kam qenë me Luftën Nac-Çl qysh në vitin 1941. Në Shkodër kam punuar bashkë me shokët e mi Sadik Boci, Sadik Bekteshi, Adil Çarçani, Sulë Baholli, Qemal Gavoçi etj. Po s’më besuat mund të pyesni sejcilin prej tyre. Unë jam duke vuajtur kot në burg zotëri, jam duke vuajtur gabimet e vëllait tim me grupin e deputetëve. Unë jam i pafajshëm zoti komandant, prandaj ju lutem më dërgoni në burgun e Durrësit, se këtu jam duke vdekur”. Pas gjithë atyre lutjeve, komandanti Tasi Marko krejt i bezdisur ia kthehu: Ti nuk je më i mirë se këta të tjerët, të punosh dhe të realizosh normën se je i ri. Derisa je i dënuar me punë të detyruar kështu do të bësh, se ndryshe ka dhe më keq. Pas kësaj profesori sa s’filloi të qante dhe bërtiste: “Po vdes, po vdes”. Komandanti duke ikur ia ktheu: “Një armik më pak”. Por në atë kohë, profesori bëri një lëvizje dhe ra në gjunjë para komandantit, i cili i hodhi një vështrim nga sipër dhe i tha: “Përderisa ti je nga ata burra që i bie në gjunjë armikut tënd, unë do të kthej në burgun nga ke ardhur, pra në Durrës”. Dhe në atë kohë ai iu drejtua toger Qaniut që të përpilonte fletë-transferimin e profesorit. Në atë kohë shumë nga të burgosurit u ndjenë keq dhe dy prej tyre Sh. Çelkupa dhe E. Podgorica, që ishin dënuar me nga 20 vite burg politik dhe kishin armiqësi me profesorin, donin të dilnin nga rreshti dhe ta bështynin në sy, por i mbajta unë. Por atë që nuk e bënë dot ata të dy, e bëri një tjetër njeri i cili i preu rrugën profesorit që po kthehej kokë ulur në drejtim të kazermave dhe i tha: “Ju zoti profesor, me përuljen tuaj të turpëshme keni fyer gjithë nacionalizmin shqiptar”! Profesori ngriti kokën dhe pa se i burgosuri që po i fliste ishte intelektuali E.Ç. Profesori u transferua vërtet në burgun e Durrësit dhe pas disa kohësh mësova se ishte arratisur nga Shqipëria.

Dështimi i arratisjes…

Gjatë asaj kohe që të burgosurit vuanin dënimin në kampin e Vloçishtit, duke parë kushtet tepër të vështira në të cilat ndodheshin, disa prej tyre tentuan që të arratiseshin. Po a ja arritën ata dot qëllimit? Lidhur me këtë Abdyl Banushi kujtonte: “Shumë të burgosur nga që nuk i duronin kushtet e vështira të kampit të Vloçishtit, mendonin ditë e natë se si të arratiseshin që andej. Por duke parë se shumë nga të burgosurit që kishin tentuar të arratiseshin, kishin mbetur të vrarë në rrethimin e telave me gjëmba nga ushtarët të cilët i qëllonin dhe i bënin shoshë, një grup të burgosurish vendosën që të bënin një tunel, e me anë të cilit të dilnin jashtë kampit. Për këtë ata u mblodhën dhe caktuan tre grupe punë me nga pesë vetë (unë nuk bëja pjesë në asnjë prej atyre grupeve), të cilët do të punonin deri natën vonë. Tuneli do të hapej duke shfrytëzuar vrimën nga derdheshin ujrat e zeza. Pas afro një muaj, teksa katër punëtorë ishin duke punuar, ata e kuptuan se po i afroheshin sipërfaqes së tokës, sepse gryka e tunelit kishte dalë në fund të shkallëve të truprojes së ushtarit. Ndërsa ata e panë se po i afroheshin daljes së shumëpritur dhe era e lirisë ishte fare pranë, njëri prej tyre u tha që të ktheheshin dhe të lajmëronin shokët. Teksa ata po ktheheshin, një masë e madhe dheu u shëmb dhe u fundos në brendësinë e tunelit të vogël. Njëri nga të burgosurit i frikësuar nga ajo që po ndodhte kërceu jashtë. Ndërkohë nga zhurma që po ndodhte nën kullën e rojes, ushtari i shërbimit u tmerrua dhe iku me vrap duke dalë në një arë me misër që ishte fare pranë rrethimit. Kur doli i burgosuri i dytë nga vrima, roja zuri të bërtiste duke thënë se po dilnin njerëz nga dheu. Ndërkohë pas të dytit, doli dhe një tjetër i burgosur dhe të tre ja dhanë vrapit në arën me misër duke ecur me zikzake për tu ruajtur nga breshëritë e automatikut të ushtarit që filloi t’i qëllonte. Të tre ata mundën të arratiseshin, kurse i katërti u bllokua në tunel nga ushtarët e tjerë që erdhën menjëherë në atë vend”, kujtonte në rrëfimin e tij Abdyl Banushi, mbi dështimin e tentativës së arratisejes nga kampi i temrrshëm i Vloçishtit, ku sipas dëshmive të tij, vdiqën nga uria e kushtet çnjerzore, apo u vranë nga ushtarët dhe policët, rreth 73 të burgosur./Memorie.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY