ANALIZA/ Pasojat fatale të “çentralizmit demokratik”

ANALIZA/ Pasojat fatale të “çentralizmit demokratik”

35
0
Shares

Nga Artan Fuga

Studjues të njohur të modeleve sociale dhe politike kanë analizuar edhe sistemin e centralizuar që ishte karakteristikë e shoqërive që vetëquheshin socialiste. Ishte fjala për atë që kishte marrë emrin : “centralizëm demokratik”, sepse pretendonte që realizonte dhe një sistem të centralizuar, por edhe demokratik!!!

Autorë si Karl Popper, si Hayek, etj., kanë shpjeguar se këto shoqëri të centralizuara jo vetëm nuk mund të jenë afatgjatë demokratike, por janë edhe të dështuara dhe rrëzohen, shkojnë e vidhisen rrugëve të historisë, pikërisht në sajë të centralizmit të tyre.

Këta autorë të mëdhenj kanë argumentuar që sado i zoti, i mencur, apo humanist të jetë personi në majë të këtij sistemi të centralizuar, gradualisht ai bëhet viktima e sistemit që ka ngritur vetë dhe medoemos shkon drejt katastrofës së tij dhe të shoqërisë.

Eshtë si një makinë pa frena që merr të tatëpjetën. Drejtuesi i saj sado i zoti të jetë sa më shumë makina shkon tëposhtë aq më pak e kontrollon atë, përkundrazi bëhet skllav i saj. Këto janë zbulime të përbotshme shkencore që nuk ka ngelur që dikush nga Shqipëria e vockël t’i kundërshtojë, t’i hedhë poshtë, apo t’i vendosi në dyshim.

Aktualisht sistemi politik i Shqipërisë i ngjan një “centralizmi demokratik” ala socialist sadoqë demokracia është sinonim i decentralizimit. Të gjitha pushtetet janë mbledhur në pak duar, deputetët votohen në listë, veprojnë në grup dhe drejtohen nga qeveria dhe partia, institucionet janë të centralizuara politikisht.

Një shoqëri piramidale sikurse e kam shpjeguar te libri im i fundit SHOQERIA PIRAMIDALE.

Cilat janë argumentet që përdorin të interesuarit për t’a mbrojtur dhe justifikuar centralizmin “demokratik”?

Pak a shumë janë tre të tillë.

I pari na thotë që “centralizmi demokratik” është i mirë meqë ai na mbron nga populizmi dhe se në një shoqëri demokratike nëse vendimmarrja decentralizohet, mund të krijohet kaos dhe me një fjalë nuk e merr vesh i pari të dytin.

Po t’a shohim këtë argument krejt fallco dhe t’a ballafaqojmë me faktet do të shohim se sikurse argumenton Hayek, Popper, etj., do të na dali krejt e kundërta. Centralizmi “demokratik” si piramidë vendimmarrëse krijon kaos, amulli, anarki. Duket si paradoks por ja që askush nuk e vendos në dyshim që centralizmi, piramidalizimi i vendimmarrjes dhe anarkia sociale shkojnë së bashku. Janë shokë të ngushtë, janë miq.

Shihni vitin që kaloi. Sa kohë, mund, sa dëme, sa shumë e dëmtuam imazhin e vendit, me protesta të dhunëshme, me gaz lotësjellës, me ulurima, përplasje në rrugë! Një kaos social i paparë pikërisht për shkak të një centralizimi të tejskajshëm në vendimmarrje që pati si pasojë largimin e opozitës nga parlamenti dhe të gjitha pasoja e tjera të ardhura prej këndej.

Sistemi i centralizuar prodhon anarki dhe rrëmujë, kaos dhe padituri sepse njëshi në krye të gjithë sistemit nuk mund të dijë më shumë sesa njohuritë e tij të kufizuara.

Të tjerët poshtë tij, deputetë, nëpunës, ministra, këshilltarë, nuk bëjnë tjetër veçse përsërisin me fjalë atë që shohin si dëshira në sytë e tij. Askush nuk guxon të kundërshtojë numrin një të sistemit piramidal. Të gjithë mendojnë me kokën e shefit, kurse koka e shefit pretendon më kot që të mundet t’i japi zgjidhje të gjitha probleme të panumurta që i ka centralizuar në duart e tij.

Argumenti i dytë në mbrojtje të “centralizmit demokratik” është se gjoja ai me anë të listave të mbyllura na pengoka që individë të pasur të blejnë votat e elektoratit dhe t’a manipulojnë atë. Në këtë mënyrë, pretendohet që lista e mbyllura të kandidatëve që caktohen nga kryetarët e partive, na mbrojnë nga demagogët, nga ata që trafikojnë pasuri dhe mjete financiare.

Edhe ky argument është një budallallik me brirë nëse i drejtohemi përvojës të këtyre viteve.

Deputetët e caktuar nga kryetari mund të mos jenë të gjithë trafikantë, por dihet që nuk janë deputetë si individë. Ata nuk kanë treguar asnjë pavarësi nga dëshirat e kryetarit dhe nuk kanë asnjë inisciativë. Duke na mbrojtur nga deputetët e këqinj, në fakt na kanë lënë pa deputetë të vërtetë.

Këta individë që vetëm deputetë nuk janë, janë në fakt deputetë të këqinj, jo si individë, por si pjestarë të një sistemi të centralizuar.

Deputetë jo trafikantë!!! Sa na kanë dalê të lidhur me vepra kriminale nga deputetët dhe nga kryetarët e bashkive sot!!!

Ndërkaq edhe opozita e pa shumë mirë se çfarë kandidatësh për deputet kishte caktuar nga ata që sot i bëjnë fresk qeverisjes.

Argumenti i tretë pro qeverisjes të centralizuar është se gjoja duke e mbajtur vendimmarrjen në pak duar Shqipëria nuk ka rrezik të shpërqendrohet, por ruan orientimin properëndimor për integrimin europian. Një ose disa vetë kontrollohen më mirë nga aletatët perëndimorë sesa qindra e mijra persona që marrin pjesë në vendimmarrje!!!

Edhe kjo na doli një gënjeshtër me brirë!!! Faktet vërtetojnë që një njeri i vetëm në vendimmarrje e pëson më lehtë presionin nga forca jo europiane dhe joperëndimore. Në vend të shohim drejt Brukselit, Strasburgut apo Berlinit, shohim pastaj drejt Shkupit dhe Beogradit duke u mbyllur brenda një Ballkani – viktimë e nacionalizmave të mëdha e të pashoqe.

Po ashtu centralizmi “demokratik” shpartallon nëpunësinë, administratën, që del jashtë kontrollit, sistemin e drejtësisë, të mediave, dhe kështu nuk arrin të plotësojë standartet e integrimit europian.

Shoqëria piramidale nuk e kryen dot integrimin europian. Ajo hidhet sa nga Gadishulli i Ballkanit, drejt ngushticës të Bosforit, i afrohet dhe i largohet sipas konjukturave Portës të Branderburgut, fyen deri presidentin e aleatit tonë kryesor gjeostrategjik, sulmon shtete dinjitoze si Holanda, etj., si edhe kërkon të aventurojë duke u futur pa ja kërkuar njeri në mes të konflikteve të mëdha botërore t’a zemë si ai midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Kushdo që përpiqet ende nga Shqipëria e vockël të kundërshtojë tezën e madhe të shkencës botërore sipas së cilës centralizmi prodhon të gjitha këto disfunksione gabon.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY