ANALIZA/ Tre shpërthime të mëdha të rrezikshme dhe me dëme afatgjata

Ndaje

Nga Artan Fuga

Tre shpërthime të mëdha të rrezikshme dhe me dëme afatgjata ndodhën në Shqipëri në vitin 2019!

Përtej nostalgjisë për ditët e këtij viti që kaloi dhe gëzimit të një fillimi të ri kalendarik, nuk mund të mos kapen në mënyrë të matshme tre shpërthime të mëdha që na tronditën kolektivisht!

Ishin të pritshme, të akumuluara, nuk dihej se kur do të na godisnin, por fatkeqe gjithsesi!

Shpërthimi i parë, kishte të bënte me kolapsin e institucioneve të pushtetit pas daljes të opozitës nga Kuvendi i Shqipërisë.

Atëkohë kam thënë me vete se nuk dihej nëse do të sillte rezultate pozitive apo negative për vendin, por tani jam i sigurtë që gjë të mirë nuk solli, por ndërkohë mirë bëri që doli!

Kot të qendrohej në një Kuvend ku opozitës që prej vitit 2008 i janë hequr të gjitha mundësitë e veprimit politik dhe i ka mbetur vetëm lehja te mikrofoni. Ishte kthyer Kuvendi në një program tv humori tragjik ku shqiptarët ndiqnin si spektakël hallin e tyre dhe kundronin të keqen që pllakoste si lojë fjalësh, si gulçima dufesh pa shije, si mungesë kulture dhe niveli intelektual. Si gajasje pa lezet të dehurish!

Të mirë nuk sollin, por mirë bëri! E keqja u xhvesh lakuriq që ta shihte i madh e i vogël.

Nuk di çfarë thonë konsitucionalistët shërbëtorë dhe të paaftë që vetëm juristë nuk janë, por i madh e i vogël e di që shteti shqiptar u trondit nga themelet dhe mbetet një ngrehinë e mënjanuar 45 gradë ashtu si godinat e epura nga dridhjet e tokës atë ditë nëntori. Pa Kuvend, pa zgjedhje, pa pushtet lokal, drejtuar si nga komitete shpëtimi publik, Shqipëria sot është më e çakorduar në legjitimitetin e pushtetit si të tillë, si nocion i kulluar juridik, sesa nën pushtetin perandorak ku ishte sulltani sidoqoftë, as si nën totalitarizëm kur ishte sekretari i parë gjithsesi, as si nën monarki ku ishte mbreti sidoqë i vetshpallur, as si nën pushtim se ishte rregjenca! Tani ka rënë Kuvendi!

Na ka zënë brenda Kuvendi!

Asnjë ligj nuk ka më legjitimitet. Asnjë!
Shpërthim i paralajmëruar sakohë Kuvendi është një arenë grupimesh ku asnjë individ prej tyre nuk di sa vota ka marrë nga populli, grupime që drejtohen nga partitë, të cilat janë sidoqoftë organizime në mos private së paku vullnetare.

Shpërthimi i dytë lidhet me atë që nuk u pranuam nga BE të hapeshin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Tre dekada e humbën trenin e integrimit europian. Sepse proceset e mëdha nuk presin. Ose kapen dhe bashkohesh me to në kohën e duhur ose mbetesh larg, qullur në shi, te një stacion fshati i braktisur, sepse historia ka bërë tutje.

Kot qajmë! Asnjë kusht nuk kishim plotësuar. Madje mund të dyshosh se e gjithë kriza e shtetit e vitit 19 ishte qershia mbi tortë e mosintegrimit. Nuk pengohet dot askush të mendojë : Bllokimi i procesit të integrimit u bë për shkak edhe të krizës së shtetit shqiptar, apo kriza politike e shtetit shqiptar u çua në atë pikë për t’a bllokuar procesin e integrimit !!!

Jemi në ato raste kur shkaku dhe pasoja ngatërrohen lehtësisht me njeri tjetrin.

Shkaku ishte shkak apo shkaku ishte pasojë?
Pasoja ishte pasojë apo pasoja ishte vetë shkaku?

Ishte një tronditje e pritshme! Procesi i integrimit kishte bërë paraprakisht hapa përgatitore që kaloheshin lehtë e lehtë sepse rëndësi ka pasur të fitohej kohë që Shqipëria të mbahej nën kontroll, dhe jo të integrohej Shqipëria ende e papërgatitur. Mirëpo në vitin 19, e ndodhur te pragu i integrimit, Europa sëpaku shprehu atë që elitat politike të saj mendonin: Duke u integruar Shqipëria, më shumë ato humbisnin apo fitonin ?! Se çfarë humbisnin dhe se çfarë fitonin unë nuk do t’i them sot, por dihet se llogaritë prej tyre janë bërë saktë!

Të keqen në 19 e pësuam ne që ishim nisur për disa dekada të shkonim në hapësirën Shengen dhe na propozojnë aty në një kthinë të historisë, si mënjanë, t’a zëvendësojmë me “minishengenin ballkanik”. Pra të integrohemi me Serbinë! Në këtë rast, askush nuk na garanton nëse bëjmë një hap drejt Europës apo i shmangemi përfundimisht asaj duke u rifutur përsëri nën minishengenin jugosllav! Si vështirë veç Mesisë dhe jo ndonjë profeti fallco ta dijë se ku po shkojmë!

Por, kjo tronditje tekto-politike është apokaliptike. Kanë ndryshuar vendin vetë polet e Planetit. Perëndimi është bërë Lindje dhe Lindja është bërë Përëndim!

Po na zë brenda edhe minishengeni!

Shpërthimi i tretë është tërmeti.

Me të vrarë të dukshëm në çati të rëna.

I paralajmëruar në shkatërrimet e veta. Një urbanizim kriminal që pasi i mblodhi shqiptarët në nja dhjetë lagje qytetesh, i hipi nëpër kulla dhjetëkatshe, ndërtuar atje ku brezat e parë, të meçur, nuk ndërtonin veçse qerpiç, ose i konsideronin si zona kënetore, i futi në çark.

Qyteti na ka zënë brenda!
Kulla na ka zënë brenda!

Ik viti 2019!

Mos ardhsh më kurrë!
Të plastë koka!
Ta rruajtshin mjekrën e bardhë fallco ujqit e pyllit!
Drerët që tërhiqnin slitën me të cilën erdhe u bëfshin lanet!
Në dreq vafshin dhuratat me helm që na solle një vit më parë duke hyrë si hajdut nga oxhaku i shtëpisë!

Na izolove ti,
na vrave ti,
na le pa të drejtën e votës ti!
Dhe na kërkon të themi edhe : Gëzuar! Ashtu si për forcë zakoni!

Ik Viti i Vjetër 2019!

Boll më!

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

Leni një përgjigje