Interpretimi kontravers i ligjit nga KED për Artur Metanin në krye të ILD

Ndaje

Nga Vladimir Karaj

Më 23 dhjetor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përmbylli procesin e gjatë të vlerësimit të kandidatëve për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe i sugjeroi Kuvendit zgjedhjen e Avokatit të Shtetit, Artur Metani –si i renditur i pari në listë.

Metani ndiqet në listë nga prokurori Sokol Stojani dhe menjëherë pas tij juristja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Joana Asimi (Sorraj). Kuvendi, i cili e merr listën brenda dhjetorit, do duhet të zgjedhë me shumicë të cilësuar një prej këtyre tre kandidaturave në seancën e radhës.

Renditja në krye e Metanit ka shkaktuar megjithatë polemika për shkak të pozicionit të tij si këshilltar juridik në Presidencë përgjatë viteve 2002-2012 –një pozicion që konsiderohet politik dhe sipas disa prej anëtarëve të Këshillit i ndalon kandidatët për t’u zgjedhur në institucionet e reja të drejtësisë.

Vendimi nxiti akuza nga Partia Demokratike, e cila e cilësoi atë anti-kushtetues dhe si vendimarrje që ndihmonte kryeministrin Rama për të kapur drejtësinë.

“KED nën drejtimin e dyshes besnike Edi Rama Dvorani – Arta Marku, e gatshme për të plotësuar urdhrat e shefit të tyre Kryeministër, misioni i të cilit është të kapë çdo qelizë të organeve të reja të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Sekretarit të PD-së për Çështjet Ligjore Çlirim Gjata në gusht të këtij viti, menjëherë pas lejimit të kandidimit të Metanit.

Vendimi i zbardhur i KED për të lejuar Metanin të kandidojë tregon se edhe vetë Këshilli nuk ishte unanim.  Pesë anëtarë, përfshi kryetarin e KED Ardian Dvorani, anëtaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, anëtarët Fatjona Memçaj, Fatri Islamaj dhe Eriol Roshi, arsyetuan se pozicioni që Metani kishte pasur në administratën publike nuk ishte politik.

Ndryshe nga ç’pretendoi PD, ish-kryeprokurorja Arta Marku dhe gjyqtarja Margarita Buhali në pakicë arsyetuan se Metanit i ndalohej kandidimi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një nga institucionet e reja më të rëndësishme të sistemit të ri. Inspektori do të  ketë në dorë hetimin e abuzimeve nga gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha shkallëve. Po ashtu, do të hetojë dhe ndjekë procedimet disiplinore edhe ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke qenë kështu kontrolluesi i të gjithë sistemit.

Inspektori i Lartë pritet gjithashtu të marrë në dorë një mori referimesh disiplinore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të mbetura deri tani pezull për një pjesë të magjistratëve që kanë kaluar vetingun. Pikërisht për shkak të rolit kontrollues që i është dhënë mbi sistemin, kriteret për zgjedhjen e ILD-së mbanin parasysh edhe faktin që ai nuk duhej të kishte mbajtur funksione politike.

Interpretime teleologjike

Sipas nenit 147/d të Kushtetutës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 9-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Artur Metani u emërua një vit më parë nga qeveria në postin e Avokatit të Shtetit. Megjithatë, ishte pozicioni i tij si këshilltar juridik në kabinetet e presidentëve Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi që shkaktoi debat në KED.

Presidenti i Republikës përmes një shkrese dhe dy anëtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Marku dhe Margarita Buhali dolën në konkluzionin se pozicioni i mbajtur nga Metani bën pjesë në listën e funksioneve politike në administratën publike.

“Pozicioni i punës që ka ushtruar z.Metani si pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës rregullohet nga dispozitat ligjore neni 30 i ligjit 8549/1999 dhe nenet 8 dhe 14 të ligjit 8095/1996 që konsiderohet si funksionar publik,” thuhej në shkresën që mbërriti në KED nga Presidenca.

Megjithatë, shumica në KED e mbështetur në arsyetim nga Avokati i Popullit dhe bazuar kryesisht në mbrojtjen që Metani i bëri vetes, mori përsipër sipas vendimit të arsyetuar të gjejë nëse posti i Presidentit të Republikës ishte apo jo politik.

Metani vetë solli në favor të tij përpos arsyetimit të mësipërm edhe mendime nga Komisioni i Venecias mbi rolin e Presidentit si arbitër. Po ashtu duke iu referuar kushtetutës ai pretendon se presidenti nuk zgjidhet apo emërohet politikisht dhe nuk ka një mandat politik në ushtrimin e kompetencave të tij.

Metani citohet në vendim të shprehet se Presidentit të Republikës i ndalohet “çdo veprimtari politike” dhe se posti i anëtarit të kabinetit të tij nuk mund të barazohej me anëtarët e kabineteve të institucioneve të tjera. Ai po ashtu ka sjellë në favor të vetes edhe faktin që ka punuar për tre presidentë të ndryshëm, të votuar nga shumica të ndryshme parlamentare.

Shumica në KED i ka rimarrë këto argumente dhe është bazuar kryesisht në to në vendimin e lejimit të kandidimit. Në vendim, shumica shprehet se do të analizonte Kushtetutën dhe jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese “dhe përmes metodës së interpretimit teleologjik”, për të vendosur nëse pozicioni i këshilltarit pranë Presidentit ishte funksion politik apo jo.

Ngjashmërisht me Metanit ata argumentuan se Kushtetuta i jepte Presidentit rolin e arbitrit dhe moderatorit të pushteteve. Nisur prej kësaj dhe prej faktit se në Kushtetutë Presidentit i ndalohen funksione “të karakterit politik/partiak”, shumica argumentoi se funksioni i këshilltarit dhe punonjësit në kabinetin e presidentit nuk mund të ishte politik, pasi ai duhej të zbatonte të njëjtat detyrime si institucioni.

“Në vijim të këtij arsyetimi, Këshilli thekson se kompetencat kushtetuese dhe roli i Presidentit të Republikës Parlamentare, janë të tilla që punësimi pranë këtij institucioni, nuk mund të konsiderohen të natyrës politike/partiake,” thuhet në vendim.

Shumica konsideroi edhe faktin që Metani kishte punuar për tre presidentë të ndryshëm, por pa shpjeguar si kjo ndikonte në vendim.

Pakica nuk e ka marrë në konsideratë interpretimin teleologjik të shumicës. Në mendimin e tyre, Buhali dhe Marku shprehen se ligji i ndalonte specifikisht kandidimin Metanit dhe kjo nuk kishte të bënte me rolin kushtetues të institucionit ku ai kishte punuar.

Duke iu referuar ndalimeve të ngjashme për kandidatët që duan të zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese, ata që aplikojnë për vendet në KLP e KLGJ dhe të tjera pakica shprehet se “Këto parashikime ligjore nuk lënë hapësirë për interpretim të ndryshëm të togfjalëshit “funksione politike në administratën publike”. Pakica thotë se qëllimi i ligjvënësit në këtë rast është “shmangia e çdo lloj perceptimi për ndikim të drejtpërdrejtë apo indirekt të politikës mbi sistemin e drejtësisë”.

Leximi i ndryshëm i ligjit

Nga vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duket qartë se palët janë ndarë në mënyrën se si kanë vendosur të lexojnë ligjin.

Në ligjin 84/2016 (Për rivlerësimin kalimtarë të magjistratëve) dhe 96/2016 ( Për statusin e gjyqtarëve) togfjalëshi “funksion politik” është i përkthyer qartë: “Do të thotë që nuk ka qenë deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ose ministrit që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit”.

Por në ligjin 115/2016, për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në të cilin rregullohet edhe roli i ILD-së, përkufizimet specifike mungojnë. Shumica në KED ka arsyetuar se përkufizimi i “Nuk ka ushtruar funksione politike”, në ligjin 84/2016, nuk ka vlerë përtej këtij ligji.

Sipas tyre, fakti që ligjvënësi nuk ka bërë një përkufizim të prerë ashtu si në ligjin për “Rivlerësimin kalimtar të magjistratëve”, do të thotë se nuk e ka pasur këtë qëllim.

“Këshilli vlerëson se për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë nuk mund të kërkohet të bëhet referim në ndonjë kusht pengues që parashikojnë ligje të tjera, por vetëm në kushtet e kriteret e përcaktuara në ligjin e posaçëm,” thuhet në vendim.

Por sipas dy anëtareve në pakicë, ishin një mori ligjesh që skualifikonin Metanin nga gara, përfshi ato që rregullonin administratën publike dhe që e trajtonin postin e këshilltarit në kabinetin e presidentit si pozicion politik.

Buhali dhe Marku referojnë se një mori nenesh në Kushtetutë dhe në ligje të ngjashme që ndalonin kandidimin e personave që kishin mbajtur poste politike në pozicione të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, kishin të gjitha të njëjtin qëllim. “Është e qartë që ky kusht ndalues ka të njëjtin kuptim në çdo rast të kandidimit në pozicionet e cituara në dispozitat e mësipërme të Kushtetutës,” thuhet në arsyetimin e tyre.

Pakica argumenton ndër të tjera se mungesa e përkufizimeve në ligjin 115/2016 është bërë qëllimisht pasi këto përkufizime ishin “dhënë në mënyrë të detajuar në ligjet e tjera pjesë e paketës së reformës në drejtësi” të cilat ishin miratuar më herët.

Po ashtu, pakica argumenton se posti i anëtarit të kabinetit të Presidentit të Republikës ishte i përcaktuar si post politik në të gjithë legjislacionin për Administratën publike dhe Shërbimin civil. Sipas tyre, ky funksion ishte i veçuar si politik në të gjitha rastet që ishte miratuar legjislacion për këtë qëllim dhe për këtë arsye, Marku dhe Buhali kanë argumentuar se Metanit duhej t’i ishte ndaluar kandidimi.

 

loading...
Loading...

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Leni një përgjigje