Milot- Balldren, koncesionari rrezon Bracen: Une po vijoj punen!

Ndaje

Nga Gjergj Erebara

Zëvendëskryeministri Erion Braçe sugjeroi se një nga kontratat më kontroverse koncesionare të qeverisë së tij, ajo për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren “nuk bëhet”, duke shprehur skepticizëm për një kontratë që shumë e kanë parë me dyshime. Sipas Braçes, qeveria e ka bërë të ditur këtë që para një muaji “kur i pa se kompania nuk i përgjigjet dot kontratës”. Braçe nuk bëri të ditur se kur e si qeveria “e ka bërë të ditur” para një muaji që kjo kontratë “nuk bëhet”.

Por Ndue Kola, drejtor i kompanisë ANK që ka fituar koncesionin, i tha BIRN se ai ishte informuar mbi deklaratën e Braçes vetëm të shtunën në mëngjes dhe se ai ishte duke vijuar punën normalisht për zbatimin e saj.

“Unë jam duke aplikuar për kredi. Kontrata ka hyrë në fuqi më 4 tetor dhe unë kam afat deri në 4 tetorin e ardhshëm për fillimin e zbatimit,” tha Kola në një bisedë telefonike.

lexo edhe: http://www.droni.al/2019/12/07/qeveria-mbyll-shtigjet-e-sakandaleve-qindramilioneshe-cfare-tha-sonte-erion-brace/

Braçe, i cili gjendej në emisionin Prokokacija në një kohë që qeveria është nën presion për të anuluar disa nga projektet më të debatueshme të qeverisë Rama për të zhvendosur fondet në ndihmë të familjeve të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve me SMS të BIRN nëse komentet e tij ishin një opinion, d.m.th., ai mendon se kontrata nuk do të realizohet, apo ishin një fakt i llojit “qeveria ka vendosur të tërhiqet prej saj”.

Kryeministri Edi Rama është prej vitesh nën kritika si nga opozita politike ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtare si FMN apo Banka Botërore, të cilat vlerësojnë se kontratat koncesionare të tij janë produkt i procedurave jokorrekte të prokurimit,  mbartin rreziqe të larta për financat publike dhe nuk ofrojnë vlerë për të justifikuar kostot.

Koncesioni në fjalë synon të ndërtojë një autostradë me distancë 17 kilometra e cila lidh kryqëzimin e Milotit me fshatin Balldre në veri të Lezhës dhe ka një kosto prej afro 32 miliardë lekësh. Koncesioni është fituar nga dy kompani vendëse, të cilat hodhën fillimisht një propozim të pakërkuar dhe më pas dolën fituese të tenderit ku nuk kishte garë të mirëfilltë.

Pasi tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të shumta, qeveria u përball me kërkesën e anulimit të së paku një pjese të këtyre kontratave koncesionare për zhvendosjen e fondeve të tyre në ndihmë të familjeve dhe bizneseve të goditura nga tërmeti. Pak ditë më parë, Partia Demokratike në opozitë iu bashkua thirrjeve për anulimin e kontratave koncesionare në kushtet e katastrofës natyrore por kryeministri Edi Rama deklaroi se ai nuk ka ndër mend të heqë dorë prej tyre. Sipas Ramës, koncesionet si ai i kontrollit shëndetësor apo i seteve kirurgjikale janë shumë të mira dhe nuk duhet të hiqen. Rama vetë nuk ka folur mbi propozimin për anulimin e së paku dy kontratave koncesionare të cilat nuk kanë nisur ende zbatimin: segmenti Milot-Balldre dhe ai Orikum-Dukat.

Vetë Braçe në Provokacia ndërsa shprehu opinionin e tij personal “kundër koncesioneve në tërësi” u  përpoq të mbronte koncesionet e dhëna nga qeveria “Rama” ndërsa sulmoi si të këqija koncesionet e dhëna nga qeveria “Berisha” deri në vitin 2009 apo nga qeveria “Berisha-Meta” deri në vitin 2013. Braçe i quajti koncesionet e qeverisë së tij “partneritet publik privat” ndërsa ato të qeverisë “Berisha” si vetëm koncesione.

Sipas Braçes, koncesionet e Berishës në përgjithësi i paguajnë qytetarët drejtpërsëdrejti ndërsa ato të Ramës i paguan “buxheti i shtetit”.

Pavarësisht nëse janë koncesione apo partneritete publike-private, për të trija qeveritë këto lloj kontratash janë bërë simbol i lidhjeve të ngushta mes qeverisë dhe bizneseve klienteliste, ku investimet private të premtuara në këto kontrata janë një pjesë e papërfillshme e sasisë së fondeve të thithura, qoftë drejtpërsëdrejti nga qytetarët, qoftë në mënyrë indirekte nga qytetarët përmes taksave dhe buxhetit të shtetit.

loading...
Loading...

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Leni një përgjigje