Biznesi social, rastet e suksesit ne Shqipëri

Biznesi social, rastet e suksesit ne Shqipëri

399
0
Shares

Modelet e reja të biznesit që kanë arritur të funksionojnë mes sfidash dhe gjenerojnë fitime, janë të pakët në numër. Në Shqipëri, rritet numri i programeve për nxitjen e tyre dhe tendenca është pozitive…

Nga Deada Hyka

Në Tiranë janë shumë mobilie në biznese të ndryshme që mbajnë firmën “Design by Pana”, ndonëse një pjesë e mirë nuk e dinë që kjo kompani mobiliesh ka disa specifika më shumë. Pezana Rexha tregon se “Pana” e thërriste babai kur ishte e vogël. Ishte një emër që do të ngjiste si brand, duke u bërë jo vetëm i marketueshëm kudo, por edhe me një histori të bukur brenda. Dhe lidhja qëndronte që, në hapje të këtij biznesi, babai i saj, i sapodalë në pension, ishte i punësuari i parë.

“Design by Pana” është ideja që u trupëzua në një biznes social. Ishte një njoftim në Facebook për konkursin që kërkonte ide të gjelbra që nxiti Pezanën të zbatonte idenë e saj në një biznes social. Fituesi përfitonte një grant prej 10 mijë dollarësh, si një shumë për të hedhur një hap të parë drejt zbatimit të konceptit teorik. Ideja e gjelbër e Pezanës ishte ngritja e një punishteje ku do të përpunohej druri i vjetër, i përdorur më parë dhe ku do të punësoheshin grupe të margjinalizuara.

“Kemi shitur jashtë vendit, por ka shumë kërkesa dhe për momentin nuk arrijmë t’i mbulojmë dot të gjithë”, – thotë Pezana, duke shtuar se megjithëse në Shqipëri kanë nisur ta vlerësojnë punën e saj, jashtë ia njohin shumë më tepër vlerat dhe janë gati të paguajnë me kosto shumë më të larta sesa çmimet që Pezana ka vendosur për brenda vendit.

Numri i bizneseve sociale në Shqipëri është rritur çdo vit, ndonëse vështirësia qëndron në shumë pika.

Pezana thotë se zgjedhjet e këtij viti patën ndikim duke tkurrur kërkesat për mobilie, sidomos nga bizneset që nuk dukeshin të gatshëm të investonin në kushtet e një amullie politike. Ajo thotë që lehtësues të ndryshëm në formë programesh do të ishin një ndihmë e madhe për të rinjtë që duan të ecin në këta hapa, duke e nisur në formë start-up.

Po si mund të nxitet krijimi i bizneseve sociale? Gerion Treska, nga Yunus Emre Social Business në Shqipëri, thotë se ka disa forma, në varësi edhe të aktorëve që i zhvillojnë këto nisma. Aktualisht, Yunus Social Business po mbështet nismat e biznesit social me konsulencë ose me lehtësues biznesi siç i quajnë dhe me akses në financim.

Disa prej bashkëpunëtorëve që mund të krijojnë nisma të biznesit social janë organizatat joqeveritare që zhvillojnë aktivitete në mbështetje të një grupi të caktuar social, bizneset që mund të ofrojnë ekspertizën e tyre për ndërtimin e një biznesi social, universitetet dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta për ndërgjegjësimin e të rinjve në drejtim të kësaj mundësie të re që ofrohet, autoritetet qendrore dhe lokale, etj.

Një formë tjetër është nëpërmjet konkurseve të planeve të biznesit apo konkurset e ideve të biznesit. Aktualisht, ajo thotë se po përfundon një konkurs me ide biznesi, përfshi këtu edhe ato të biznesit social, që po realizohet me mbështetjen e PNUD, në nxitje të nismave të sipërmarrjes tek të rinjtë. “Nëse ka ide të mira që vlejnë si ide biznesi dhe që mund të kenë ndikim social, atëherë sipërmarrësit do të mbështeten për zbatimin e idesë dhe financimin e saj”.

Në nxitjen e krijimit të bizneseve sociale, roli i shtetit është i rëndësishëm për përfshirjen e kësaj filozofie në strategjinë e zhvillimit, krijimin e kuadrit ligjor që u jep këtyre bizneseve një status ligjor të veçantë, në promovimin e këtyre nismave, por edhe në përfshirjen e kësaj kulture në arsimin e lartë, thekson ai.

Programet

Rritja e Bizneseve Sociale (Growing Social Businesses) të USAID në projektin e Shqipërisë ka arritur në më shumë se 1.200 persona deri më sot nëpërmjet eventeve, duke rritur ndërgjegjësimin në lidhje me biznesin shqiptar dhe sipërmarrjen. Ajo ka mbështetur shtatë startup-e biznesi që u ofrojnë shërbime apo punë komuniteteve në nevojë në Shqipëri. Aktualisht projekti, i cili po funksionon që nga janari, po zhvillon programin akselerator të biznesit social të dytë specifik të punës së OJQ-ve për përfshirjen sociale të grave, fëmijëve dhe romëve.

Kërkesa e qeverisë

Megjithëse zbatimi efektiv i një ligji mbi Sipërmarrjen, që përfshin edhe atë sociale, nuk ka nisur ende, ka debate mbi parashikimet e tij.

Ndër këto debate, përmendim kufizimin e subjekteve që mund të krijojnë një ndërmarrje sociale vetëm në organizata jofitimprurëse, ndërkohë që siç u përmend më sipër, disa prej ndërmarrjeve sociale (të tilla në përmbajtje) janë të regjistruar si biznes; lista e veprimtarive është kufizuese në ligji; me këtë ligj mund të abuzohet nga bizneset që nuk janë sociale; nuk janë të përcaktuara dokumentet konkrete që duhen dorëzuar për të provuar plotësimin e këtyre kritereve (nëse për disa kategori është me e lehtë gjetja e dokumentit provues, për kategori të tjera kjo është më e vështirë p.sh., dokumenti provues për personat me identitet të ndryshëm gjinor dhe orientim të ndryshëm seksual).

Më 1 shkurt 2019, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim”, me mbështetjen e Bashkimit Europian përmes Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, organizuan konferencën ndërkombëtare “Ndërmarrjet Sociale – Drejt Politikave dhe Praktikave Gjithëpërfshirëse”. Kjo Konferencë mblodhi sipërmarrje sociale, organizata jofitimprurëse në mbështetje të sipërmarrjes sociale, institucione donatore, përfaqësues nga biznesi, institucione publike dhe ekspertë ndërkombëtarë nga vendet e Europës dhe rajonit.

Në përfundim të konferencës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kontribuojmë në sektorin e sipërmarrjes sociale në Shqipëri i paraqitën “Deklaratën e ndërmarrjeve sociale në vend dhe organizatave mbështetëse” zëvendëskryeministrit; Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë; Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes; Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; Komisionit për Ekonominë dhe Financat; Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin; Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë; etj.

Kjo deklaratë, ende pa përgjigje, propozon:

  • Zgjerimin e kuadrit ligjor “Për Ndërmarrjet Sociale në Republikën e Shqipërisë”, duke kualifikuar si të tilla jo vetëm organizatat jofitimprurëse, por edhe forma të tjera ekzistuese që funksionojnë në përputhje me parimet themelore të sipërmarrjes sociale;
  • Vendosjen e shtysave fiskale për të mundësuar që ndërmarrjet sociale të japin një kontribut të qëndrueshëm në misionin e tyre social;
  • Krijimin e mundësive financuese përtej fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale;
  • Përfshirjen e prokurimit social si pjesë e prokurimit publik bazuar në praktikën europiane, si një mundësi e drejtpërdrejtë e mbështetjes së shërbimeve dhe të mirave që sigurohen nga këto ndërmarrje;
  • Rishikimin e kushteve shtrënguese lidhur me kriteret ekonomike dhe sociale të funksionimit të ndërmarrjeve sociale.

Flet Pezana Rexha/ Pana Storytelling Furniture

Si lindi “Pana – Storytelling Furniture”?

Pana është një biznes social që punëson persona nga grupe të margjinalizuara nëpërmjet ofrimit të një profesioni dhe një pagese për të bërë një jetë dinjitoze dhe respektit të duhur për ta në shoqërinë në të cilën jetojmë.

 

Aktiviteti ynë financiar është prodhimi i mobilieve (pavarësisht se i konsiderojmë art) sipas nevojave të klientit përmes ripërdorimit të materialit drusor që tashmë ndodhet në treg dhe shpesh ka si destinacion kryesor mbeturinat apo të përdoret për dru.

 

Lindi nga një dëshirë që profesionin tim si arkitekte të përdorja diku dhe gjithashtu, si përgjigje ndaj një njoftimi të një OJF për ide të gjelbra të përfshira në një biznes social. Fituesi përfitonte një grant prej 10 mijë dollarësh, si një shumë për të hedhur një hap të parë drejt implementimit të konceptit teorik.

 

Sa vite keni që operoni në treg? Keni marrëdhënie tregtare edhe jashtë Shqipërisë?

 

Pana ka nisur veprimtarinë e saj në prill të 2013 duke funksionuar kryesisht në tregun shqiptar, por me dërgimin e disa produkteve të vogla dhe jashtë kufijve. E kemi nisur duke operuar në kohët më të vështira të Shqipërisë dhe njëkohësisht në konkurrencë me kompani që kanë mbi 20 vjet në treg, çka e ka bërë rrugëtimin tonë një përvojë më vete. Kemi nisur kontaktet e para jashtë Shqipërisë si një alternativë shumë e mirë për të pasur qëndrueshmëri dhe për t’i dhënë Panës mundësinë e realizimit të ëndrrës së saj të madhe – përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

 

Sa të punësuar keni?

 

Në punishte aktualisht punojnë 10 persona. Përveç punishtes kemi dhe pjesën e stafit të zyrës, të cilët janë në funksion të pjesës parapërgatitore dhe arritjes së marrëveshjes me klientin. Prej 4 muajsh kemi marrë një ambient të ri dhe më të madh, që të kemi mundësi që të përfshijmë edhe aktivitete të tjera. Si p.sh., bashkëpunime me qendra shkollore apo shtëpi fëmijësh për të mësuar përpunimin e drurit etj., që të zgjasim ndikimin që kërkojmë të kemi si biznes social.

 

Ju jeni njëkohësisht biznes social dhe ekologjik. Pse kjo zgjedhje?

 

Në fakt, unë jam shumë e ndjeshme ndaj të dyja çështjeve dhe mendoj se kur këto elemente bashkohen, krijojnë një formulë shumë të mirë dhe të qëndrueshme. Tendencat e konsumatorit në ditët e sotme në arenën ndërkombëtare janë pikërisht ndaj konsumit sa më të qëndrueshëm duke respektuar njeriun dhe natyrën njëkohësisht e kur këto të dyja bëhen bashkë, është edhe më mirë.

 

Çfarë produktesh ofroni për konsumatorin shqiptar?

 

Në fakt, ajo që realizojmë më shpesh janë i gjithë interieri, ne kemi një zyrë me arkitektë që realizojnë projektet e më pas, pjesa më e madhe e interierit të realizuar prodhohet në punishten tonë. Kemi arreduar një pjesë të mirë të bizneseve të njohura në Tiranë, qoftë dyqane, zyra, restorante, etj.

 

Cilat janë vështirësitë e sektorit?

 

Vështirësitë për një biznes në të gjithë botën janë nga më të ndryshmet dhe të shumta, por në Shqipëri këta elemente vështirësohen dhe më shumë duke qenë se nuk ka politika ndihmuese, politika që e bëjnë rrugëtimin e startup-it më të thjeshtë, përkundrazi kontrollet dhe presionet e vazhdueshme e bëjnë dhe më të vështirë ecurinë e biznesit.

 

Krahas kësaj çështje, të punosh me persona nga grupe të margjinalizuara nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket dhe jo gjithnjë kemi pasur sukses në atë çka kemi bërë. Mungesa e fondeve shpesh e bën dhe më të vështirë rritjen e një projekti të tillë dhe më të ngadaltë, rrugëtimin.

 

Shqipëria është një treg i egër, me shumë rregulla të shkruara e të pashkruara, ku shpesh duhet të luftosh në një vend ku qytetërimi nuk ekziston. Problemet nisin nga personeli, gjithnjë e më i pakët për shkak të emigrimit masiv. Gjithashtu has probleme ligjore, me strukturat e shtetit apo me klientët. Shpesh si biznes ndihesh krejtësisht i pambrojtur.

Histori suksesi/

  • Pastiçeri Ke buono!

Kjo ndërmarrje u ofron mundësi punësimi të rinjve të rrezikuar nga krimi, atyre që vuajnë shërbimin e provës, si dhe grave viktima të dhunës, të divorcuara ose të martuara me burra të dënuar me burg.

  • Kafe “Te Xhoni”

Në këtë kafe shërbejnë punonjësit me Sindromën Down. Synimi i kësaj kafeneje është që të kthehet në një burim të ardhurash për të sponsorizuar shërbimet falas që jepen për fëmijët dhe të rinjtë me Sindromën Down pranë Qendrës Jonathan dhe familjet e tyre.

  • “Pana – Storytelling furniture”

Pana punëson persona nga grupe të margjinalizuara përmes ofrimit të një profesioni dhe një pagese për të bërë një jetë dinjitoze për ta. Aktiviteti financiar është prodhimi i mobilieve sipas nevojave të klientit përmes ripërdorimit të materialit drusor që tashmë ndodhet në treg dhe shpesh ka si destinacion kryesor mbeturinat apo të përdoret për dru.

  • Agrimona është një biznes me qëllim të dyfishtë, funksionon si një biznes i qëndrueshëm dhe kontribuon në promovimin dhe tregtimin e produkteve agroushqimore cilësore dhe me vlera tradicionale vendase, kryesisht ato të Pukës.
  • CityTex prodhon një produkt ose shërbim që plotëson një nevojë në një treg të identifikuar dhe pastaj e shet atë për një fitim. Si biznes social jo vetëm kthen një fitim, por investon përsëri në komunitet, ose punon për të hequr një sektor të margjinalizuar. Në mënyrë ideale, ka perspektiva për rritje në të ardhmen dhe përfitim të përbashkët. CityTex po ndihmon të qarkullojnë njerëzit me fuqinë blerëse, sjelljen e tyre në punë, dyqane dhe kafene. Ai pritet të krijojë një zinxhir vlere, ku dyqanet të shesin më shumë mallra dhe të blejnë më shumë si rezultat i kësaj.

Kuadri ligjor

Ndër vite janë ndërmarrë nisma për nxitjen e zhvillimit të ndërmarrjeve sociale, ndër të cilat krijimi i shoqërisë “Nxitja e biznesit social”, sh.a., me anë të ligjit Nr.10 376, datë 10.2.2011 me qëllim realizimin e objektivave socialë dhe mjedisorë nëpërmjet mbështetjes dhe promovimit të biznesit social dhe mikrofinancimit; fillimi i veprimtarisë së Yunus Social Business Albania në fund të 2012, e cila ka ndihmuar në krijimin dhe financimin e një numri biznesesh sociale të suksesshme; hartimi i ligjit Nr.38/2012 “Për shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësore” i cili përcakton rregullat, kriteret dhe kushtet për themelimin dhe administrimin e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor. Por ligji i parë që rregullon në mënyrë specifike organizimin dhe funksionimin e ndërmarrjeve sociale në Shqipëri është ligji nr.65/2016 “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”.

Ky ligj ka si qëllim të rregullojë veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale, me qëllim mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerable. Ligji për ndërmarrjet sociale parashikonte që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij (dhjetorit 2016) të miratohen aktet nënligjore përkatëse, konkretisht 9 akte nënligjore. Deri më tani janë miratuar 5 akte nënligjore: akti i parë nënligjor u miratua më 1 dhjetor 2017, ndërsa më i fundit më 26 dhjetor 2018, miratimi i të cilave ishte në tejkalim të afateve ligjore të përcaktuara. Mbeten ende për tu miratuar aktet e tjera. Fitimin e statusit të ‘ndërmarrjes sociale’ ligji ia njeh aktualisht vetëm organizatave jofitimprurëse.

Kushtet që duhet të plotësojë një biznes social:

Të adresojë një problem social

Të mos shpërndajë dividend/të riinvestojë fitimin

Të jetë i qëndrueshëm dhe të ketë ndikim social

Të punësojë grupe të margjinalizuara

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY