RREFIMET/ Refugjatët e luftës në Kosovë, të dëbuar me zor

RREFIMET/ Refugjatët e luftës në Kosovë, të dëbuar me zor

189
0
Shares

Nga Arian Lumezi

TRI RRËFIME TË NJERËZVE TË DËBUAR GJATË LUFTËS NË KOSOVË.

Ndërsa aeroplanët e NATO-s po hynin në qiellin e Kosovës më 24 mars 1999, njerëzit në tokë ishin kapluar nga emocione të forta.

Më në fund, kishin arsye për ngazëllim dhe optimizëm, pas shumë vitesh nën represion, luftë e detyrim për të jetuar në cepat e shoqërisë. Por, kishte edhe pasiguri, ankth e frikë se intervenimi i NATO-s mund të sillte shtim të persekutimit nga regjimi serb i Slobodan Milošević-it.

Koha tregoi se të gjitha shpresat dhe frika e asaj nate të parë do të bëheshin realitet.

Gjatë 78 ditëve të bombardimeve, civilët shqiptarë do të bëheshin viktima të mizorive të mëdha: dëbime në masë, vrasje e masakra. Përballë tmerrit që shpalosej rreth tyre, më se 850.000 njerëz kërkuan shpëtim në shtetet fqinje brenda pak javësh, duke u larguar kush si mundi – për t’u bashkuar me të tjerë që tashmë ishin larguar në grupe të shumta më të vogla që nga fillimi i luftës në mars të vitit 1998.

Kosova po zbrazej nga çdo portë e mundshme: në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Vetëm gjatë dy javëve të para të bombardimeve, gjysmë milioni njerëz kishin arritur në zonat afër Kosovës – të detyruar të rrinë në kampe refugjatësh, nëpër shtëpi të të afërmve ose të të panjohurve, ose shpesh duke kërkuar strehim kudo që gjenin. Shumica mezi e imagjinonin se ndonjëherë do të ktheheshin.

Por, më 9 qershor, nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës mes NATO-s dhe Republikës Federale të Jugosllavisë solli fundin e luftës dhe të shpërnguljes për rreth një milion njerëz.

Njëzet vjet më vonë, shumë nga të larguarit me zor nga shtëpitë e tyre nuk preferojnë t’u kthehen kujtimeve të dhimbshme të atyre ditëve, ngaqë ndjenjat e frikës e të dëshpërimit i kanë ende të freskëta.

Këto janë rrëfimet e tre personave që ishin dëbuar nga shtëpitë, por që në fund u kthyen.

Ikja përmes maleve

Angjelina Krasniqi mezi po ia tërhiqte kapistallin njërit prej dy kuajve me të cilët po i udhëtonin prindërit nëpër terrene të vrazhda malore.

Ajo kishte pasur fatin t’i gjente kafshët falë ndihmës së fshatarëve të atyshëm të cilët kujdeseshin që kush nuk ishte në gjendje të kalonte malet në këmbë, të përdorte kuajt për të përshkuar rrugën e vështirë gjashtorëshe nga Radavci, fshat rrëzë bjeshkëve në veri të Pejës, deri në Rozhajë në anën tjetër të kufirit me Malin e Zi. Kalin tjetër po e tërhiqte vëllai i një shoqeje të saj.

Udhëtimi i tyre ishte i shumë i lodhshëm në aspektin fizik, por bëhej edhe më i vështirë nga mendimet për shtëpinë dhe jetën që qenë detyruar t’i linin mbrapa; ndërsa largoheshin nga Kosova e kishin fituar bindjen e thellë se nuk do të mund të ktheheshin më kurrë.

“Më kujtohet shumë mirë që nuk dija ta mbaja frenin e kalit dhe ta tërhiqja”, shpjegon Angjelina në shtëpinë e saj në lagjen Dardania të Pejës, nga e cila ishte larguar për të kërkuar strehim para dy dekadash.

“Vëllai i shoqes, që po na shoqëronte, më thoshte: po të tërheq kali ty, e jo ti atë.”

Angjelina Krasniqi u bë cak i policisë serbe për shkak të aktivitetit politik. Foto: Ferdi Limani / K2.0.

Aktivizmi i saj që prej vitit 1989 në kuadër të demonstratave që organizoheshin edhe në Pejë, sikurse në pjesë të tjera të Kosovës, e kishte shndërruar Angjelinën, që në atë kohë ishte 20 e pak vjeçe, në cak të përhershëm të policisë serbe. Ajo kujton se me hyrjen në dekadën e viteve ‘90, tensioni politik e social ishte intensifikuar, e me të edhe niveli i represionit nga forcat serbe.

“Një kohë të gjatë, diku shtatë muaj, nuk kam guxuar të dal as te dera e shpisë. Kam qëndru brenda e izoluar, pa kontakte me njerëzit, me qytetin, me ambientin jashtë, sepse kishte mundësi të madhe të burgosesha”, thotë ajo.

Në vitet e fundit të dekadës, me ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Angjelina bashkë me shokë të tjerë aktivistë filluan të angazhoheshin që të dërgonin ndihma, kryesisht ushqime, në fshatrat e thella të Drenicës, në Kosovën qendrore, që ishte bërë fitili që ndezi luftën e drejtpërdrejtë kundër forcave serbe.

Policia serbe kontrollonte çdo pëllëmbë të rrugëve magjistrale që lidhin Pejën me Mitrovicën dhe Prishtinën, duke i detyruar ata të përdornin rrugë dytësore nëpër zona rurale – një udhëtim prej 9 orësh.

Por, dërgimi i ushqimeve nuk ishte puna më e vështirë që i priste.

“Më kujtohet, ishte Nata e Bajramit, kur Liri Loshi, një mjek, na dërgoi te një familje ku e gjetëm një vajzë të plagosur nga luftimet”, kujton ajo. “E kemi futur në paketa në kamion dhe e kemi marrë, sërish nëpër fshatra e deri në Pejë, ku jemi kujdesur që të mjekohet”.

Kur lufta arriti në Pejë pas betejës së Loxhës në korrik të vitit 1998, situata u përkeqësua më tej. Angjelina thotë se disa nga komshinjtë serbë u mobilizuan me armë dhe ngritën pikakontrolli nëpër rrugë, duke mos treguar keqardhje për njerëzit me të cilët ishin rritur e kishin jetuar bashkë me vite, e as për fëmijët e tyre.

Me situatën që ishte bërë e papërballueshme, ajo kujton edhe momentet kur kishte biseduar me prindërit lidhur me vendimin për ta braktisur shtëpinë.

“Një komshi më tha që të iki sa më shpejt nga shtëpia sepse ishte rrezik”, kujton ajo. “I pyeta prindërit ‘a të dalim prej shpisë?’, më thanë ‘jo’”.

Ndërsa po e diskutonin këtë, Angjelina u tha prindërve se po nisej të shkonte në kishë, çka e çuditi të ëmën, pasi vajza rrallë merrte pjesë në meshë. Rrugës e pa policinë që po shkonte në shtëpi të saj për ta kërkuar. Në vend të saj, i morën të dy prindërit.

Me prindërit që ishin në burg dhe me një akt dënues në mungesë që ishte lëshuar për të, Angjelina kishte kërkuar strehim për disa ditë në shtëpitë e dy shoqeve, së pari në Pejë e pastaj në fshatin Radavc.

Ajo thotë se armët nuk i ka dashur kurrë, por gjatë gjithë atyre viteve e kishte mbajtur një revole me vete.

“Së paku ta kem një plumb për vete”, mendonte.

Pas pak kohësh, ajo kishte vendosur të kapërcente malet në kufirin me Malin e Zi, për të arritur në këmbë në Rozhajë, një qytet i vogël rreth 20 kilometra nga Kosova. Por, nga ndjenja e fajit që prindërit ishin në burg e ajo e lirë, vendosi të kthehej dhe të dorëzohej në mënyrë që prindërit të liroheshin.

Kur u kthye, e kuptoi që prindërit ishin liruar, por ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi të dy ishin rrahur rëndë nga policia.

“Nëna ishte pothuajse krejt e përgjakur prej rrahjes”, thotë Angjelina.

Duke qenë që kthimi në shtëpi ishte i pamundshëm – ajo ishte ende në sy të policisë – kërkuan strehim të përkohshëm në kishën katolike të Pejës.

Angjelina kujton përshtypjen se njerëzit tashmë ishin lodhur nga rezistenca, dhe shpresa për një reagim ndërkombëtar ishte e vogël, sidomos për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur pak vite më parë në Bosnjë e Hercegovinë, ku bashkësia ndërkombëtare kishte ndërhyrë me vonesë dhe nuk kishte mundur të parandalonte krimet e luftës, duke përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

Në këto rrethana, ata vendosën të largoheshin për në Malin e Zi, një ikje e dytë kjo nga Kosova, të cilën Angjelina e përshkruan si “kujtim të tmerrshëm”, që bëhej më i vrazhdë nga mendimi se kthimi në Kosovë ishte veç ëndërr.

Ajo e dinte se prindërit nuk ishin në gjendje ta ecnin tërë rrugën e vështirë nëpër male, dhe nëpër kokë i kaloi ideja që t’i bsrtte në shpinë. Por, kur mbërriti në Radavc, ia doli të gjente dy kuaj për ta bërë udhëtimin disi më të lehtë.

Edhe me kuaj, rrugëtimi ishte rraskapitës, ata ishin krejt të vetëm, teksa përshkonin malet deri në Rozhajë gjatë muajit të fundit të verës së vitit 1998.

Kur rrugëtimit deri aty i erdhi fundi, morën një taksi privat për të shkuar në Ulqin. Tashmë lodhja kishte lënë gjurmët – në qytetin bregdetar me shumicë shqiptare në jug të Malit të Zi, të tre iu nënshtruan terapisë me infuzione për pesë ditë me radhë.

Pas mjekimit u vendosën në një banesë me qira.

Për shkak të udhëtimit të gjatë e me çmimet e larta të telefonatave në Ulqin, Angjelina kishte humbur kontaktin me katër vëllezërit që jetonin jashtë vendit; vëllai i pestë, Pren Krasniqi, kishte mbetur për të luftuar në Kosovë.

Brenda pak javësh qëndrimi në Ulqin dhe me familjen ende të ndarë e pa komunikim, Angjelina kishte pranuar një lajm të tmerrshëm. Pren Krasniqi ishte vrarë.

Edhe sot, ajo ligështohet kur kthehet prapa në kohë te ai moment, dhimbje që nuk dëshiron ta kujtojë.

“Kanë qenë momente aq të rënda sa i kujtoj në raste shumë të rralla, sepse dhimbja ishte shumë e madhe”, thotë ajo. “Mund ta merrni me mend si ishte me dalë dhe me i thanë prindit ‘të ka vdekë djali’, ose mua se më ka vdekë vëllai”.

Pasi kishte paguar 100 marka për të folur tre minuta përmes një telefoni privat që gjendej rrallë, e kishte kuptuar që kishte ndodhur një gabim – ushtari i vrarë nuk ishte i vëllai, por një tjetër person me emrin e njëjtë.

Ulqini ishte mbushur me njerëz ato ditë, ndërkohë që fushata e bombardimeve të NATO-s shkaktoi rritje të agresionit nga forcat serbe, rrjedhimisht shtoi masën e qindra mijëra njerëzve që po braktisnin Kosovën. Për shkak të mungesës së kapaciteteve, njerëzit flinin nëpër hapësira publike, objekte fetare dhe rrugë, derisa gjenin forma më afatgjata strehimi nëpër shtëpi private.

Angjelina nuk kishte mundur të qëndronte pa bërë gjë, prandaj qe angazhuar në shtabin emergjent të Ulqinit, që kujdesej për t’iu dhënë ndihma refugjatëve nga Kosova.

Periudha dhjetëmujore e qëndrimit të saj në Ulqin kishte prekur fundin me fillimin e bombardimeve të NATO-s. Raketat që lëshoheshin nga ‘Aviano’, baza ajrore e NATO-s në Itali, shiheshin me sy të lirë nga Kalaja e Ulqinit. Gëzimi i parezistueshëm shfaqej në formë lotësh e britmash nga shumë njerëz të mbledhur në majë të kalasë.

REFUGJATЁT NЁ MAL TЁ ZI

Rreth 70.000 kosovarё shkuan nё Mal tё Zi gjatё luftёs nё Kosovё. Mali i Zi nё atё kohё ishte ende pjesё e Republikёs Federale tё Jugosllavisё, prandaj pёr dallim nga Shqipёria dhe Maqedonia, nuk kishte kampe zyrtare tё refugjatёve. Shumё refugjatё qёndruan me anёtarё tё familjes ose me tё panjohur, ndërsa tё tjerёt paguan pёr strehim me qira ose hotele.

Ulqini me shumicё shqiptare krejt nё jug tё vendit u bё pikё qendrore pёr shumё refugjatё nga Kosova.

Gati gjysma e refugjatёve nё Mal tё Zi e bёnё udhёtimin pёrmes maleve nga Kosova si njё mёnyrё urgjente e ikjes, para se tё shkonin nё Shqipёri.

Sapo përfundoi lufta dhe bombardimet pushuan, Angjelina mendoi të kthehej menjëherë në shtëpi. Ajo hyri në Kosovë përmes pikës kufitare të Kullës në veturën Yugo të një shoqeje, duke vozitur ngjitur me konvojin e ushtarëve të NATO-s, ndërkohë që banorët serbë që po dilnin nga Kosova vozisnin në shiritin tjetër të rrugës.

Këtë skenë Angjelina e ka të gdhendur në mendje dhe e përshkruan si “ballafaqimin e fundit të urrejtjes ndërnjerëzore”.

Pejën e gjetën të djegur e të shkatërruar në masë të madhe. Era e tymit ishte bërë një me qytetin që gati nuk ekzistonte më.

Pasi u vendosën në banesën e shoqes së saj, ku ndiheshin më të sigurt në ditët e para të pasluftës, ajo filloi të punonte bashkë me vullnetarë të shoqatës “Nënë Tereza”, të cilët ngritën gjashtë pika të shpërndarjes së bukës për ata pak njerëz që tashmë ishin kthyer në qytetin ku mezi dëgjohej frymë jete.

Angjelina rrëfen një ngjarje që thotë se nuk do ta harrojë kurrë. Një grua me një fëmijë shtatë ose tetë vjeç kishte arritur te pika ku shpërndahej bukë. Nënë e bijë kishin qëndruar për dy javë të mbyllur në bodrumin e shtëpisë së tyre, pa e ditur që lufta kishte marrë fund. Uria i kishte detyruar të dalin.

“Më kujtohet kur erdhi vajza e vogël dhe për më pak se katër-pesë minuta e hangri një bukë komplet. Dhe nëna insistonte me i marrë 20 bukë, aq gjatë kishin mbetë pa hangër”.

‘Kurrë nuk keni me u kthy’

Në mars të vitit 1999, pak ditë pasi NATO-ja kishte filluar bombardimet, Hamit Krasniqi kishte shkuar për ta kremtuar Bajramin me familje në vendlindjen e tij, në fshatin Kijevë.

Këtë herë, kur mësuesi 45 vjeçar i ciklit fillor ishte kthyer në shtëpi, në lagjen Arbanë të Prizrenit, me gruan dhe tre fëmijët, diçka dukej më ndryshe se herëve të tjera. Disa komshinj pranë rrugës kryesore u thanë që e tërë lagjja ishte dëbuar nga forcat serbe në ditën e Bajramit.

Hamit Krasniqi ishte larguar nga Prizreni për në Shqipëri me autobus bashkë me gruan dhe tre fëmijët e tyre. Foto: Ferdi Limani / K2.0.

“Fatkeqësisht a fatbardhësisht, ne nuk kishim qëllu në shtëpi”, kujton ai, i ulur në kopshtin e shtëpisë ku jeton edhe sot. “Kur kam ardhë këtu, nuk e kam gjetë gati asnjë të mahallës. Nja ni muaj ditë kemi jetu këtu me nja dy-tre komshinj”.

Në javët në vazhdim sa qëndruan në shtëpi, koncentrimi i madh i policisë në lagje dhe në rrugën kryesore e kishte bërë jetën të rrezikshme. Hamiti mori vendim që të merrte familjen dhe të kalonte brenda në qytet, ku ndiheshin më të sigurt për shkak se banorët nga aty ende nuk ishin dëbuar.

Në qytet qëndruan për rreth tri javë, por me forcat serbe që ishin bërë më të ashpra pas fillimit të bombardimeve, kosovarët që i rezistonin dëbimit ishin më të rrezikuar, prandaj Hamiti vendosi që rreziku ishte tepër i lartë për të qëndruar më gjatë.

Edhe pse në këtë pikë, rrethanat e kishin bërë të pashmangshme idenë për t’u larguar nga Kosova, në praktikë kjo gjë ishte e vështirë.

“Unë jam i lënduar prej këmbës dhe nuk mundesha me ecë”, thotë ai. “Veturë nuk kisha edhe pse ishte rrezik të udhëtoje me veturë”.

Hamiti gjeti një person nga Mamusha, një fshat në veri të Prizrenit, që voziste një autobus nga stacioni i autobusëve në Prizren deri në Morinë, në pikën kufitare me Shqipërinë.

“Një mik i mikut tim po më thotë: ‘Hamit, në daç me dalë deri në kufi”, kujton ai.

Hamiti dhe gruaja e tij morën dy vajzat, 13 dhe 10 vjeçe e djalin 5-vjeçar dhe u nisën në rrugëtimin e dëshpëruar që nuk do ta harronin ndonjëherë. Pjesa tjetër e familjes, vëllezërit e Hamitit, tashmë kishin ikur nga Kijeva për në Ulqin.

Rruga prej Prizrenit deri në Morinë, që nuk kishte zgjatur më shumë se një orë e gjysmë, Hamitit i ishte dukur si 10 orë.

“Prej fundit të urës së Prizrenit e deri në Morinë, unë aty kam pa tmerr”, thotë ai. Unë nuk di tash qysh me ta përshkru se nesër me i tregu fëmijës tim nuk e beson çfarë tmerri kanë ba”.

Prej dritareve të autobusit të mbushur plot, udhëtarët u bënë dëshmitarë të skenave të tmerrshme përgjatë tërë rrugës. Hamiti thotë që kishte parë njerëz duke ikur në çfarëdo mënyre që mundnin, me traktorë të vegjël e të mëdhenj me të cilët bartnin shporetë e gjësende të tjera, ndërkohë që policia serbe rrihte të dëbuarit dhe ua merrte edhe ato pak gjëra që u kishin mbetur: paratë, unazat e çdo gjë tjetër të vlefshme.

Disa herë përgjatë rrugës policia serbe kishte ndalur autobusin për kontrolle. Ai veçanërisht mban mend një incident kur disa qindra metra pa mbërritur në Zhur, paramilitarë “me shami” kishin hyrë në autobus.

“Vajzat u tmerruan”, kujton ai, duke shtuar që ato nuk kishin mundur të flinin si duhet për një javë pas atij udhëtimi. “Ju thashë mos u shqetësoni bre babi, se nuk na ngacmojnë”

Në kilometrin e fundit para arritjes në pikën kufitare të Morinës, një polic të cilin Hamiti e njihte nga lagjja e tij në Prizren, ia tha edhe një herë porosinë që duket se policët e kishin mësuar përmendësh dhe u pëlqente ta thonin: “Ecni, dilni prej këtu se nuk do të ktheheni më kurrë n’këtë anë”.

Ata njerëz në autobus që po kërkonin siguri në Shqipëri, e kishin të vështirë të besonin që këto fjalë nuk ishin gjë tjetër veçse e vërteta.

Kur arritën në Kukës, Hamiti thotë që kishte parë aq shumë refugjatë sa që kishte menduar se krejt Kosova ishte aty.

REFUGJATЁT NЁ SHQIPЁRI

Gjatё luftёs nё Kosovё, Shqipёria strehoi gati gjysmёn e atyre qё ikёn nga Kosova. Nё total, vlerёsohet se gati gjysmё milioni refugjatё nga Kosova shkuan nё Shqipёri.

Nga maji 1999, rreth 100.000 refugjatё po qёndronin nё Kukёs, njё qytet 15 kilometra larg kufirit tё Kosovёs. Por Kukёsi ishte qytet i izoluar dhe nuk kishte kapacitet pёr tё strehuar qindra mijëra refugjatё qё mbёrrinin pёrditё, dhe ishte cak i bombardimeve tё herёpashershme nga forcat serbe. Prandaj, qeveria e Shqipёrisё nё bashkёpunim me organizatat ndёrkombёtare, provoi tё zhvendoste me autobus disa nga refugjatёt nё komunat më jugore.

Nё total, Shqipёria kishte 49 kampe zyrtare tё refugjatёve gjatё kёsaj periudhe, shumё prej tyre me tenda dhe tё tjerat nё objekte publike. Njёjtё si nё vendet e tjera, vendasit i hapёn dyert e shtёpive pёr njerёzit qё po iknin nga Kosova, dhe besohet që Shqipёria tё ketё pasur rreth 129.000 familje që kishin ofruar strehim.

Por, me kushtet elementare të jetesës që mungonin, në mëngjesin e një nate pa gjumë, morën një taksi dhe u nisën për në Tiranë. “Zakonisht kur e ke më së zori, shqiptari ta dyfishon çmimin”, thotë Hamiti disi me mllef, teksa tregon që kishte paguar 400 marka për udhëtimin me taksi.

Shkuarja në Tiranë atë ditë doli të ishte e pamundshme. Hamiti e përshkruan hyrjen në kryeqytet si të bllokuar nga fluksi i madh i refugjatëve që po vinin nga Kosova. Ata vendosën të ndryshonin planin sërish, për të shkuar kësaj radhe drejt Durrësit e më pas edhe 20 kilometra më në jug drejt fshatit bregdetar të Qerretit.

Hamitit nuk i kujtohet saktë sa kohë kishte qëndruar aty, por mban mend që kishte menduar vazhdimisht për Kosovën; kontakti i vetëm me vendlindjen ishte përmes televizioneve dhe gazetave.

“Në fillim kemi pas mendu që nuk do të kthehemi kurrë, por kur filloi NATO me bombardu përnime [me më shumë intensitet], atëherë patëm pak më shumë shpresa”, thotë ai.

Pastaj, në qershor erdhi lajmi për çlirimin e Kosovës – një ngjarje që pak muaj më parë ishte dukur aq e paimagjinueshme.

Ai e përshkruan gëzimin e lajmit për çlirimin e Kosovës me britmat që bëhen nëpër stadiumet e futbollit në Angli e në Spanjë kur tifozët u gëzohen golave.

“Më duket që krejt Durrësi ka piskatë, e kemi marrë lajmin më të mirë që po kthehemi”.

Urim Çerkini ishte ndër të parët që u kthye në Ferizaj pas përfundimit të luftës si përkthyes mjekësor i ushtrisë amerikane. Foto: Ferdi Limani / K2.0.

Tё dёbuar, por pa asnjё rrugёdalje

Urim Çerkini ishte student nё vitin e tretё nё Fakultetin e Mjekёsisё nё Universitetin e Prishtinёs nё vitin 1990, kur shkoi ta regjistronte semestrin e gjashtё. Por, pёr dallim nga herёt e tjera, kёtё herё referentёt nuk ishin prapa sporteleve – qeveria e kishte mbyllur fakultetin.

Nё tё vёrtetё, i kishte mbyllur tё gjitha fakultetet nё universitet, si pjesё e njё fushate sistematike pёr t’i larguar punonjёsit shqiptarë tё sektorit publik, duke filluar nga shkollat e spitalet e deri te fabrikat dhe media.

Kujtimi ёshtё i vёshtirё pёr Urimin, pasi sinjalizoi kohёt e vёshtira qё po vinin.

Ai i vazhdoi studimet nё Prishtinё, por si studentёt e tjerё, kёtё u detyrua ta bёnte nё kushte tё fshehta nё shtёpi private, si pjesё e sistemit paralel tё arsimit shqip.

Pasi i duhej tё udhёtonte pёrditё nga vendlindja e tij nё Ferizaj pёr nё Prishtinё, rreziku ishte i madh, sidomos pёr njё student. Policia bёnte kontrolle tё rregullta nё autobusё dhe trena, duke vrojtuar, arrestuar dhe duke u bërë presion udhёtarёve për të cilët dyshonin se ishin të pёrfshirё nё veprime kundёr regjimit.

U arrestua disa herё nga policia serbe nё Prishtinё, por e mbajti tё fshehtё nga familja pёr t’i kursyer nga shqetёsimi i pashmangshёm; prindёrve tё tij tashë u ishte dashur tё merreshin me stresin e arrestimit tё motrёs sё tij tё madhe mё se njё dekadё mё herёt, nё vitin 1979, dhe me motrёn e tij tё vogёl qё u arrestua, u rrah dhe torturua më 1981.

Nё vitin 1998, Urimi i kishte mbaruar provimet dhe po priste për tё diplomuar. Mё 5 mars, ai rikujton se ishte nё festёn e njё shoku nё Prishtinё, kur atmosfera gazmore ishte ndёrprerё nga lajmet qё erdhёn pёr masakrёn në familjen Jashari nё Prekaz.

Masakra ishte moment qё do ta pёrshpejtonte rrjedhёn e ngjarjeve qё do tё vinin.

Rreth njё viti mё vonё, situata nё Kosovё u përkeqësua. Nё Ferizaj, policia ishte stacionuar nё objektin ku tani gjendet shkolla ‘Ahmet Hoxha’, as 100 metra nga shtёpia e Urimit; lagjja ishte krejt e izoluar, me forcat serbe qё pёrdornin snajperë pёr tё kontrolluar lёvizjet e banorёve nё oborret e tyre.

Një pjesë e stafit të një organizate monitoruese ndёrkombёtare ishte vendosur nё njё objekt pёrballё rrugёs nga shkolla. Urimi supozon se kjo e bёri shtёpinё cak – njё ditё, kur shtёpia ishte bosh, forcat serbe e hodhёn nё erё.

Urimi dhe familja e tij e dёgjuan shpёrthimin shumё qartё.

“Ishim te shtёpia e kushёririt kur e dёgjuam njё shpёrthim tё madh,” e rikujton ai. “Filluam tё festojmё, duke menduar se ishin aeroplanёt e NATO-s qё po e bombardonin kazermën, por nё mёngjes u tmerruam kur e kuptuam tё vёrtetёn.”

Shtёpia ishte shkatёrruar plotёsisht, ndërsa gjatë natës kishte pasur tё shtёna të shumta armёsh.

Pas ngjarjeve tё asaj nate, pёr familjen Çerkini u bё e vёshtirё tё qёndronte nё shtёpitё e vet. Por, vendimi pёr t’u larguar ishte ende larg për t’u marrë. Urimi kujton qё ishte nёna e tij ajo qё insistonte tё largoheshin, pёrkundёr kundёrshtimeve nga ai dhe vёllai i vogёl.

Mё nё fund, mё 1 prill 1999, Urimi, nёna dhe vëllai i tij dolën nga shtёpia, dhe familja e vёllait tjetër, i cili kishte gjashtё fёmijё, u largua nga shtёpia ngjitur, pёr tё shkuar bashkë nё stacionin e trenit nё Ferizaj.

Megjithatё, kur mbёrritёn, grumbulli i njerёzve nё stacion dhe trenat qё po vinin të tejmbushur, e bёnё evakuimin tё pamundshëm. Kur tashmë e kishin marrë vendimin e dhimbshëm për ta lёnё shtёpinё, pamundësia për të ikur nga Ferizaji atë ditë erdhi si një tjetër goditje mizore.

Policia nuk ua lejonte kthimin në shtëpi. Të zënë mes dëbimit dhe pamundësisë për të ikur, u detyruan të kalonin atë natë në shtëpinë e një të afërmi në një lagje tjetër të qytetit, së bashku me dhjetëra njerëz të tjerë që gjithashtu nuk kishin mundur të iknin.

Tё nesёrmen, mё 2 prill, tё gjithё hipën nё njё autobus për në Han të Elezit dhe vazhduan nё drejtim tё kufirit me Maqedoninё.

Por ky nuk ishte fundi i pёrvojёs sё tyre tё hidhur.

Duke kёrkuar ndihmё ndёrkombёtare pёr t’ia dalё mbanё me fluksin e madh tё njerёzve, Maqedonia kishte marrё vendim qё ta mbyllte kufrin me Kosovёn. Si rezultat, qindra njerёz që ishin të detyruar tё kёrkonin strehim, mbetën të bllokuar nё ‘tokën e askujt’, zonë e njohur si Fusha e Bllacёs. Kjo fushё e ftohtё dhe me baltё do tё mbetet e ngulitur nё kujtesёn kolektive tё refugjatёve kosovarë.

REFUGJATЁT NЁ MAQEDONI

Fusha e Bllacёs, njё ‘zonё e askujt’ nё kufirin e Maqedonisё, nё tё cilёn 65.000 refugjatё me ditё tё tёra u ballafaquan me kushte tё tmerrshme para se tё lejoheshin tё kalonin nё Maqedoni, u bё sinonim me eksodin e kosovarёve nga lufta.

Gjatё luftёs nё Kosovё, rreth 360.000 refugjatё kёrkuan strehim nё Maqedoninё e Veriut. Shumё prej tyre qёndruan nё tetё kampe, tё gjitha rreth Tetovёs dhe Shkupit. Nё kulminacionin e tyre, nё maj tё vitit 1999, kёto kampe strehuan mё se 110.000 njerёz, ku kampet mё tё mёdha i strehuan nga 20.000 refugjatё secili.

Njёjtё si nё Shqipёrinё fqinje, shumica e refugjatёve u vendosën nё shtёpi private tё njerёzve qё i hapёn dyert pёr t’i strehuar nevojtarët.

Urimi kujton se ishte duke rёnё shi, ushqimi mungonte dhe kushte sanitare nuk kishte. Fёmijёt nuk po ndaleshin së qari. Tё lёnё nёn qiell të hapur, tё gjithё prisnin ta kalonin kufirin.

Rreth 48 orё pasi Urimi dhe familja e tij mbёrritёn nё Bllacё, kufiri u hap dhe refugjatёt u lejuan tё kalonin. Dy nga kushёrinjtё e tij nё Shkup u siguruan të evakuoheshin nga Bllaca nё njё kamion, tё cilin Urimi e kujton qartё sepse kamioni po e bartte edhe njё arkivol.

Qёndruan rreth gjashtё javё te tё afёrmit nё lagjen Çair nё Shkup, nё njё shtёpi qё Urimi thotё se u bё pikё takimi pёr refugjatёt shqiptarë. Por, me hapёsirёn e kufizuar që ishte shumë e nevojshme, ndërkohë që presioni nga autoritetet pёr refugjatёt pёr t’u regjistruar nё kampe zyrtare po rritej, vendosёn tё zhvendosen nё kampin kryesor tё refugjatёve nё Stenkovec, nё mes tё kryeqytetit dhe kufirit me Kosovёn.

Pasi kishte studiuar mjekёsi dhe dinte anglisht, Urimi shpejt gjeti punё me Doctors of the World (Mjekёt e Botёs), njё organizatё qё ishte e angazhuar nё kamp krahas shumё misioneve dhe organizatave të tjera ndёrkombёtare.

Mё 9 qeshor, pak javё pasi Urimi kishte arritur nё Stenkovec, njё marrёveshje u arrit nё afёrsi tё Kumanovёs qё i dha fund luftёs.

Urimit i tregoi i vёllai se trupat e Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs, tё cilat tani ishin tё vendosura nё Maqedoni, po kёrkonin pёrkthyes. Ai vendosi tё aplikonte dhe u pranua si pёrkthyes mjekёsor nё Kampin e Bondsteel-it, tё pandёrtuar atёherё, afёr vendlindjes sё tij.

Puna me amerikanёt nёnkuptonte se ai ishte ndёr tё parёt qё u kthye nё Ferizaj, duke hyrё me helikopter ushtarak pak ditё pas pёrfundimit tё luftёs.

Por, i frustruar me kufizimet qё nuk e lejonin tё lёvizte i lirё apo tё kontaktonte me familjen, brenda pak javёsh vendosi tё jepte dorёheqje dhe tё kthehej nё shtёpi pёr tё qёndruar me nёnёn, tё cilën e gjeti krejt të vetme.

E zbuloi se lagjja ishte braktisur pothuajse tërësisht. Kishte pikёllim gjithandej, nё rrugёt e zbrazёta dhe mes njerёzve qё kishin pёrjetuar gjёra nga më të paimagjinueshmet.

Brenga mё e madhe ishte fati i njerёzve. Njё banor i lagjes ishte ekzekutuar nё derё tё shtёpisё; njё tjetёr vrasje kishte ndodhur pak shtёpi mё poshtё.

Pёrveç lirisё, çdo gjё tjetёr mungonte. Prej asaj pike, Urimi thotё se jeta kishte filluar prej zeros.

“Shpresoj qё askush nё botё, bile as armiku, të mos e pёrjetojё tё dёbohet nga vendi i vet si refugjat, siç e kemi përjetuar ne,” thotё ai mes lotёsh.

“Ёshtё ndjenja mё e keqe qё dikush mund ta pёrjetojё.”K

Foto kryesore: Ferdi Limani / K2.0.
Video: Trendelinë Halili / K2.0.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY