Lulzim Berisha i futet biznesit, hap kompaninë e re

Lulzim Berisha i futet biznesit, hap kompaninë e re

152
0
Shares

Lulzim Berisha, i konsideruar nga Prokuroria Shqiptare dikur si kreu i bandës së Durrësit, ka hedhur pas krahëve të kaluarën e tij dhe dënimin me 25 vite burg, duke ju futur tashmë botës së biznesit.

Që prej dhjetorit 2016 e në vazhdim, Berisha është një i liruar me kusht nga Gjykata e Apelit në Durrës, e cila i fali 6 vite e 2 muaj e 22 ditë burgim, nga dënimi me 25 vite heqje lirie.

Që nga dita e lirimit e deri më sot Lul Berisha mban kontakte të vazhdueshme me Zyrën e Shërbimit të Provës në Durrës. Por e kaluara dhe vështirësitë me Drejtësinë shqiptare nuk e kanë penguar aspak Berishën të bëjë biznes në Durrës, aq më tepër t’i hyjë dhe sipërmarrjeve të mëdha, si tregut të hidrokarbureve. Ndërkohë, ka dyshime të bazuara për ngritjen e një policie private me qendër në Durrës.

Lulzim Berisha është bërë pronari kryesor i një kompanie nafte, që ka si synim të tregtojë naftë në pikat e karburantit dhe të furnizojë me karburant anijet në Portin e Durrësit. Kompania “Rajan 2007” është një shoqëri aksionere, e themeluar dhe regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 19 shkurt 2019. Shoqëria ka tre aksionerë, por pronari i “Rajan 2007” është Lulzim Berisha me 40 për qind të aksioneve.

Kjo kompani rezulton të ketë deklaruar një kapital fillestar prej 35 milionë lekësh të vjetra, ndërkohë Lulzim Berisha pasohet dhe nga dy aksionerë të tjerë.

Luljeta Berisha ka në këtë kompani 30 për qind të aksioneve. Luljeta është motra e Lul Berishës dhe në këtë shoqëri i është besuar dhe detyra e administratores. Ndërkohë, aksioneria e tretë rezulton të jetë Enkelejda Shoshi, ish-bashkëshortja e Frederik Shoshit, person ky që ka njohje të hershme me Lul Berishën.

Kjo shtetase rezulton të jetë aksionere me 30 për qind të aksioneve në këtë shoqëri nafte të drejtuar nga Lul Berisha.

Ndërkohë, emri i Frederik Shoshit, ish-bashkëshortit të aksioneres Enkelejda, konstatohet tek lista e anëtarëve të Këshillit të Administrimit të shoqërisë së naftës. Shoshi dikur ka qenë një ish-dëshmitar i prokurorisë në procesin penal kundër Lul Berishës dhe personave të tjerë dhe i dënuar nga gjykata e Durrësit për kontrabandë me mallra, aktualisht menaxhon një restorant në Durrës.

Gjithashtu pjesë e listës së Këshillit të Administrimit është dhe Luis Salihi, person ky i hetuar nga prokuroria e Durrësit për “prishje të qetësisë publike” dhe “mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”, por që në fund këto akuza kanë rënë dhe Salihi është shpallur i pafajshëm nga gjykata e Durrësit.

Pjesë e këshillit të administrimit është dhe Klejdi Hakarepi. Ndërkohë drejtuesi teknik i kësaj kompanie nafte është emëruar Ilir Bardhi.

Objekti i kompanisë “Rajan 2007” është tregtimi brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë i hidrokarbureve, naftës, gazit, nënproduktet e tyre, vajra lubrifikante, import-eksport dhe tregtia me shumicë e tyre, transport kombëtar e ndërkombëtar i tyre; import, eksport dhe tregti me pakicë dhe shumicë e pjesëve të këmbimit, mjeteve dhe teknologjisë për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e hidrokarbureve.

Kompania që drejtohet nga Lul Berisha rezulton të ketë hapur tashmë zyra për veprime në Porto Romano në Durrës, duke hapur dhe Nipte sekondarë. /Shqiptarja.com

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY