Zyrtari i OSBE kundër shembjes së Teatrit

Zyrtari i OSBE kundër shembjes së Teatrit

58
0
Shares

Djemtë e Lec Shllakut s’bien dakord për Teatrin. Shkrimtari Primo Shllaku ka mbështetur që në krye të herës protestën për ruajtjen e godinës, duke firmosur kundër shembjes, ndërsa aktori Bruno kërkon një teatër të ri.

Pas këngëtares Elina Duni, e cila mbështeste kolegët në protestë dhe të atit regjisor, Spiros, që është për një godinë të re në territorin ekzistues, ky është rasti i dytë, i evidentuar për më tepër edhe nga Kryeministri Edi Rama, kur artistët në një familje e mendojnë ndryshe çështjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Më herët, Primo Shllaku është prononcuar, duke rrëfyer se dëshira e të atit, aktor e regjisor i njohur si dhe themelues i teatrit “Skampa”, do të ishte që ai të qëndronte në krah të kolegëve.

“Bota është e bukur edhe në sajë të larmishmërisë së mendimeve, por unë nuk e shes, as nuk e blej atë që mendoj. Në qoftë se dikush, vëllai, gruaja apo fëmija im kanë një interes tjetër, unë jam me këta, që e duan gjallë Teatrin”. Shkrimtari është shprehur se tempujt duhen ruajtur dhe sipas tij, edhe teatri është i tillë. Në lidhje me Brunon, mund të them se nuk është po-ja e tij që e prish, është jo-ja ime që e prish.

Ekziston një e tanë, e cila mund të vendosë!”, ka thënë shkrimtari. Ndërsa Bruno është shprehur se kërkon një teatër të ri, por pa u cenuar territori për qëllime të tjera. “Jam dakord që Teatri i Ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut tek arkitekti, që do vërë dorë në teatër”, ka thënë aktori.
TEATRI/KOMBËTAR APO NDËRKOMBËTAR, SPECIALISTËT TË SHPËRFILLUR
Prej një viti e gjysmë, specialistët e trashëgimisë kulturore janë munduar të ndalojnë shembjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim SPahivogli”, përmes argumenteve teknike dhe historike.

Krahas 77 arkitektëve vendës, që firmosën për të garantuar restaurimin e godinës, në vesh të shurdhët ranë edhe thirrjet e personaliteteve të artit e kulturës. Me mospërfillje u trajtuan edhe 2 letrat e organizatave prestigjioze ndërkombëtare si “Europa Nostra” dhe “Docomomo International”, të cilat i kërkuan Kryeministrit Rama të heqë dorë nga shembja e godinës, duke e konsideruar si një shembull të shkëlqyer të arkitekturës moderne italiane e si të vetmen ndërtesë të këtij lloji në vendin tonë. Po të njëjtën këmbëngulje, Kryeministri Rama ka reflektuar edhe për sa i përket projektit të danezit Bjarke Ingels.

Ndërkohë që gara për projektin e teatrit të ri është e hapur deri në 19 shtator, në rrjetet sociale vërehet se Kryeministri lë pak hamendësime rreth arkitektit fitues e studios së projektimit.

“Do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar, i cili, përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez, Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjioze ‘BIG’”, shprehej Rama, afro një muaj e gjysmë para përfundimit të konkursit.

Projekti që Kryeministri reklamon në rrjetet sociale, është i njëjti që u prezantua publikisht vitin e kaluar e që u konsiderua si plagjiaturë për ngjashmërinë me projektin e studiueses ukrainase “Forma”, fitues të çmimit të tretë në konkursin për Operën e Busanit në Korenë e Jugut.

Përpos këtyre, Rama hasi në kundërshtinë e arkitektëve edhe për shkak të intensitetit të objektit të propozuar. Emra në zë, si Maks Velo, Artan Raça apo Arben Biçoku, thanë se intensiteti i ndërtimit të kësaj godine do të ishte afro 4 herë më i madh se ç’propozohet në gjithë pjesët e tjera qendrore të Tiranës.
SHFAQJE SI PROTESTË, I PRANISHËM DHE ZËVENDËS AMBASADORI I OSBE ROBERT WILTON

Artistët dhe qytetarët vijojnë protestën me art. Muzikë, poezi e shfaqje në Teatrin Kombëtar. Sipas regjisorit Robert Budina, kjo është mënyra e duhur që kjo godinë të jetojë. Mbrëmjen e djeshme, nga Kosova, në shenjë solidariteti, Arlinda Morina dhe Labinot Raci me trupën e aktorëve vunë në skenë shfaqjen “Kanuni i gruas”.

Një shfaqje-protestë për nëpërkëmbjen që i bëhet gruas dhe për vlerat që ajo duhet të marrë në shoqëri.
“Nuk është e thjeshtë për t’i realizuar të gjitha këto. S’kemi as ujë, as drita. Është një punë që kërkon shumë sakrificë. Është një tjetër shfaqje e mundimshme, pas shfaqjes”, tha Budina.

Të tjerë kolegë nga rrethet i janë bashkuar protestës, si këngëtarja operistike Loreta Kosho nga Kolonja, e cila tregoi gjatë protestës se kur pa dhunën e ushtruar nga Policia ndaj kolegëve dhe qytetarëve në 24 korrik ndjeu se duhet të ishte në krah të tyre.

Gjatë mbrëmjes, tërhoqi vëmendjen edhe prania e shkrimtarit dhe zëvendës ambasadorit të OSBE në Shqipëri Robert Ëilton, i cili ishte i ulur mes publikut. Ndryshe nga herën e shkuar, spektatorëve nuk iu desh të ndiznin celularët, pasi “gardianët” kishin improvizuar ndriçimin e sallës “Kadri Roshi”.

ZV.AMBASADORI
Në fund të performancës, zv.ambasadori i OSBE-së është prononcuar për mediat lidhur me mesazhin e fortë që shfaqja përcjell. “‘Kanuni i femrave’ ka qenë një shfaqje e mahnitshme për mua, shumë interesante, me një peshë shumë të fortë.

Ruante rrënjë shumë të forta të kombit dhe trajtonte rolin e grave për sa i përket Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ka qenë diçka tepër kontroverse dhe prekëse. Madje, edhe sot, në botën tonë moderne, jemi duke u ballafaquar me mungesën e të drejtave të grave, me ngacmimet ndaj grave. Pra, kurrë nuk është vonë për të reflektuar, në një mënyrë aq të fortë, aq artistike, për këtë çështje”, ka thënë ai.

Diplomati u shpreh se shfaqje kaq të forta i kishte hasur rrallë në teatrot shqiptare. “Shumë e thjeshtë, klasike. Pa ngarkesa në skenografi dhe fustanet e thjeshta, ngjyrat po ashtu. Këto elemente shumë të thjeshta kanë krijuar diçka esenciale dhe shumë të fortë. Secili nga ne duhet të reflektojë rreth performancave të tilla, rolin e gruas në vetvete, për mënyrën sesi shoqëria jonë trajton gratë”.

Diplomati u shpreh se vizita e tij në Teatër lidhet me njohjen që ka më një prej performueseve. “Përgjithësisht, jam tifoz i kulturës së Shqipërisë, i shqiptarëve, edhe për objektet klasikë e elegante të Tiranës. Ishte kënaqësi të isha këtu dhe të shfaqja besimin tim në çështjet esenciale të barazisë gjinore”, u shpreh Wilton./Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY