“Keni ende kohë të tregoheni burra”

“Keni ende kohë të tregoheni burra”

85
0
Shares
Avni Ponari

Nga AVNI PONARI

Edhe tri ditë na ndajnë nga një datë, së cilës një pjesë e shqiptarëve i referohen si “dita e zgjedhjeve” dhe ajo së cilës, një pjesë tjetër nuk e konsideron atë si “dita e zgjedhjeve”.

Por çfarë duhet të presim pas kësaj date dhe këtij qershori kaq të nxehtë?

Do dalin 61 kryetarë bashkie, qoftë edhe me një votë, që mund të jetë vetëm vota e tyre. Nga ana tjetër, opozita shqiptare nuk e njeh këtë “datë zgjedhjesh” të një pjese të cilësuar dhe as të këtyre kryetarëve njëvotësh. Rrjedhimisht, bojkoti i kësaj “date zgjedhjesh” do të vijojë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka zhdekretuar zyrtarisht datën paraprake të paravendosur të zgjedhjeve, për të pasur së shpejti një “datë të re zgjedhjesh” e detyrueshme, datë në të cilën do të marrë pjesë edhe opozita shqiptare. Siç do e shikojmë, ajo që do të ndodhë do të jetë që ne do të kemi dy palë kryetarë bashkish, dy palë këshillash bashkiakë dhe një krizë të thelluar të vazhdueshme dhe pa rrugëdalje, ndoshta për një kohë të gjatë.

Dhe nuk po përmend fare këtu që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.

Tani, e gjitha kjo është duke ndodhur! Opozita tashmë është jashtë Parlamentit të Republikës së Shqipërisë…etj., etj..situata është kjo dhe në këto kushte të pazakonta ekstreme kërkohet, nevojitet një zgjidhje konkrete.

Por çfarë po ndodh rreth nesh?

Në këtë situatë çuditërisht të pazakontë disa grupe janë duke “fërkuar duart”, duke pritur pasivisht rrjedhën e ngjarjeve, duke vazhduar me shërbimet diplomatike, të cilat nga ana e tyre janë në kërkim të kostove të reja për shkak të kësaj situate të trazuar, sërish në Shqipëri. Në jugun tonë, fqinji ynë Greqia thotë se, ‘Nuk ka turizëm në Shqipëri dhe se aty ,- pra këtu,- është gati shpërthimi i një lufte të brendshme civile’. Ndërsa fqinjët tanë në veri, serbët në këtë rast, ‘i fërkojnë duart’ sepse kjo situatë për ta është konfirmim i asaj që ata besojnë dhe promovojnë si fytyra e vërtetë e ngatërrestarëve të Shqipërisë, ata shqiptarët trazirëbërësit.

E gjitha kjo situatë nuk është në krahun, në favorin dhe në të mirën tonë. Politika jonë vazhdon të ecë dhe të flasë duke u artikuluar në emër të popullit.

Biznesi shqiptar, kontribuuesit më të rëndësishëm në përparimin e çdo shoqërie kanë mbetur duke lëvizur kokën si luledielli, sa më një anë në anën tjetër, u kanë rënë dukshëm vlera e aksioneve të tyre, zonat turistike po zbrazen dhe ato rezervime, të cilat tanimë duhet të kishin ardhur në vendin tonë, po çregjistrojnë rezervimet e tyre për shkak të situatës dhe reklamimit ndërkombëtar të dëmshëm që po i bëhet Shqipërisë.

A ka zgjidhje për këtë situatë? Nëse po, cila do të ishte ajo? Apo duhet ta lëmë fare këtë punë, duke mos ndërhyrë në asnjë mënyrë. Në këtë situatë ekstreme, edhe një mendje është thelbësore sepse koha po vrapon dhe ne duhemi që të gjithë këtu, për këtë.

Ju keni ende dhe tri ditë për të gjetur një zgjidhje. Bëjini thirrje anës suaj njerëzore, po edhe anës suaj burrërore, asaj fisnike…në një të ardhme do ta ktheni kokën pas dhe do të mendoni, përse nuk bëmë asgjë, kur në fakt mund të kishim bërë gjithçka.

Jepini mundësinë Shqipërisë që të tregojë me krenari dhe mençuri që ne jemi vetë në krye të punëve tona dhe se na takon neve, pra të gjithë juve, që të tregoheni burra shteti, duke menduar para së gjithash për përgjegjësinë tuaj ndaj vendit dhe gjeneratave të reja dhe atyre të ardhshme dhe të gjeni një zgjidhje inteligjente dhe të përgjegjshme. Retorika e njërës palë që do të shkojë në këtë “datë zgjedhjesh” dhe ajo e palës tjetër për t’i penguar ata, nuk do të na çojë gjëkundi.

Ju mbani mbi supe, në mendjet dhe zemrat tuaja një vlerë më të lartë dhe më të çmuar sesa kaq. Çajeni murin bllokues të atyre njerëzve, të cilët ju këshillojnë keq, që vendosin interesin e tyre përpara asaj të vendit dhe interesave tona mbarëkombëtare, apo të atyre që ju përkëdhelin sedrën tuaj ‘naive’ dhe shpëtoni kohën e mbetur. Ju duhet të shpëtoni çdo tiktak ore. Çelësi jeni ju dhe nuk ka më kohë për të pritur.

Mendoni që në fund të gjithë kësaj katrahure politiko-ekonomiko-sociale do të thuhet… – mirë…të paktën e zgjidhën sa ishin në kohë…më në fund, ata që ne i zgjodhëm për të vendosur për të tashmen dhe të ardhmen tonë, e gjetën dritën e atij tunelit tonë…të pafundmë…bëjeni, keni tri ditë kohë. Të gjithë po presin.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY