“Çmenden” çmimet e apartamenteve në bregdet, arrijnë deri 3,000 euro/m² në Sarandë

“Çmenden” çmimet e apartamenteve në bregdet, arrijnë deri 3,000 euro/m² në Sarandë

138
0
Shares

Pranvera është sezoni më intensiv i punës për agjencitë e pasurive të paluajtshme veçanërisht, ato që janë të fokusuara në zonat e bregdetit. Eron Çumani, drejtues i agjencisë Saranda Invest Property, tregon për “Monitor” se çmimet e pasurive të paluajtshme në qytetin bregdetar së fundmi janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Tashmë në qytetin e Sarandës mund të gjesh prona çmimi të cilave shkon edhe 3000 euro për metër në kartor.

Rritja e çmimeve në bregdet, sipas agjencive kryesore në vend, ka ardhur nga disa faktorë. Së pari ata pohojnë se ka një shtim të kërkesës, për blerje apo dhe investim, edhe pse vënë re një stepje të kërkesës nga të huajt nga situata politike. Së dyti, për shkak të pritshmërive pozitive të pronarëve ka pasur një rritje të çmimeve të pronave në bregdet. Së treti, në zonat të caktuara ka ndikuar edhe përmirësimi i infrastrukturës.

Klajdi Memajdini, menaxher shitjesh i një prej agjencive më të vjetra në vend, shprehet se edhe viti 2019 është shoqëruar me rritje të kërkesës për apartamente në bregdet, por nuk ka munguar as kërkesa për vila, megjithëse kanë qenë më të reduktuara në numër se sa për apartamente.

“Kërkesat kanë qenë më të shumta për komplekset e banimit. Komplekset në zonën e Qerretit dhe të Gjirit të Lalëzit janë më të preferuarat nga klientët që banojnë në Tiranë, kjo për shkak edhe të distancës që këto dy destinacione kanë me kryeqytetin”, – pohon Memajdini.

Individët që vendosin të blejnë një pronë në bregdet janë më të interesuar që të investojnë në prona që ndodhen në komplekse banimi, për shkak edhe të administrimit më të mirë të pronës.

Por, Memajdini shton se pranvera zgjon edhe interesin e të huajve për të blerë një pronë në bregdetin shqiptar. Megjithatë Xheni Jahja, nga një tjetër agjensi thotë se ka një reduktim të kërkesave nga të huajt në raport me një vit më parë dhe kjo për shkak të krizës politike, e cila ka marrë jehonë edhe në mediat e huaja. “Kjo ka ndikuar që një pjesë e tyre, të cilët mund të ishin blerës potencialë, të shtyjnë vendimmarrjen për një moment të dytë”, – sqaron inxhiniere Jahja.

Jonian Antoni, drejtues i një tjetër agjensie, thotë se bregdeti shqiptar është tërheqës për blerësit, kryesisht ata të huaj, të ndikuar nga çmimi i lirë i pronave krahasuar me vende fqinje si Mal i Zi, Kroacia apo Greqia. “Në bregdet, pronat kanë një çmim mesatar prej 55,000 eurosh për apartamente ndërsa vilat janë rreth 90,000 euro. Këto janë çmime të përballueshme nga blerësit e huaj”, – thotë Antoni.

Antoni shton se ndonëse prej çmimit të lirë gjithmonë ka pasur interes të lartë të blerësve të huaj në Shqipëri, për shkak të sigurisë së dobët që ofron vendi ynë, vetëm 1/8 e të interesuarve arrijnë të blejnë realisht.

Çmimet, Durrësi mbetet varianti më ekonomik

Sipas agjencisë Devinf, mbi pronat që ajo ka në portofolin e saj, çmimet për komplekset e banimit në Qerret dhe në Gjirin e Lalëzit variojnë nga 900 €/m² deri në 1300 €/m². Pronat që ndodhen jashtë komplekseve, në bregdet, si p.sh. në Durrës, kushtojnë më lirë duke filluar dhe nga 600 ose 700 €/m² në vijën e parë të bregdetit.

Referuar pronave që ka në portofolin e agjencisë së saj, Xheni Jahja shpjegon se objektet e ndërtuara në zonën e Durrësit mbi rrugë mbesin pas në shitje, për shkak të aksesit të kufizuar me bregun e detit, pasi në zonën e plazhit ka mungesë të mbikalimeve, ndonëse ndërtimet mund të jenë cilësore dhe me çmime konkurruese.

Në zonën e Golemit, nga ana e shinave, apartamentet janë mjaft të lira dhe mund të blihen edhe me 300 euro/m2. Ndërsa në Jug, çmimi varion 800 deri në 1200 euro/m². Kjo varet dhe nga cilësia e ndërtimit, vendndodhja dhe shërbimet që ofron zona.

Shqipëria ka një variacion shumë të madh në çmimin e pronave, – shpjegon Antoni i Century 21. Ai argumenton se kjo lidhet me tipologjinë e blerjes.

“Vilat me truall (që kanë pjesë toke përreth) janë me çmim më të lartë se apartamentet. Edhe zona ku ndodhet prona krijon një variacion të konsiderueshëm në çmim. Saranda, është një nga qytetet më të shtrenjta turistike për apartamente, e ndjekur nga Vlora dhe Durrësi. Për vilat dominon në çmime Gjiri i Lalëzit, i ndjekur nga disa zona të reja në Rivierën Shqiptare. Zonat me çmimet më të përballueshme janë zonat veriore, ku blerësit janë kryesisht nga tregu i Kosovës dhe i Maqedonisë dhe kërkojnë çmime të lira. Flasim për Shëngjinin/Lezhën apo edhe Velipojën, ku çmimet janë në nivelin 600-650 euro për metër katror”, – shprehet Antoni duke iu referuar pronave që ka të regjistruara.

Në lidhje me fshatrat turistikë, ai thotë se në përgjithësi janë të ndërtuar mirë, kanë siguri dhe pastërti më të lartë. Për këtë arsye, ato parapëlqehen shumë, sidomos nga blerësit e huaj. Këto shërbime më cilësore i bëjnë fshatrat turistikë edhe më të shtrenjtë dhe të përballueshëm nga një numër më i vogël blerësish.

Tendenca

Vilat me truall (që kanë pjesë toke përreth) janë me çmim më të lartë se apartamentet. Edhe zona ku ndodhet prona krijon një variacion të konsiderueshëm në çmim. Saranda, është një nga qytetet më të shtrenjta turistike për apartamente, e ndjekur nga Vlora dhe Durrësi. Për vilat dominon në çmime Gjiri i Lalëzit, i ndjekur nga disa zona të reja në Rivierën Shqiptare. Zonat me çmimet më të përballueshme janë zonat veriore, ku blerësit janë kryesisht nga tregu i Kosovës dhe i Maqedonisë dhe kërkojnë çmime të lira.

 Infrastruktura, si po ndikon në zona të caktuara

Xheni Jahja nga Tirana Real Estate thotë për “Monitor” se kërkesa në rritje në qytetin e Durrësit është edhe për shkak të përmirësimit të infrastrukturës në zonën e plazhit. Ndërtimi i shëtitores në atë zonë ka rritur vlerën e pronave në Durrës.

Ilir Konomi, nga Albania Property Group, pohon se më në fund, infrastruktura në zonën e Shkëmbit të Kavajës, po rregullohet, ku ka edhe një rritje të çmimeve. Megjithatë, për të, Gjiri i Lalëzit është një opsion më i mirë investimi.

Shqetësues për Konomin është betonizimi i disa zonave turistike, si zona e Qerretit në Kavajë. “Ndërtim tej mase në zonën e Qerretit, ku më së shumti po ndërtohen njësi akomoduese, po betonizon zonën dhe ndoshta mund të penalizojë turizmin”, – thotë Konomi.
Jonian Antoni, nga Century 21, thotë se përmirësimi i infrastrukturës po shoqërohet edhe me rritje të kërkesës dhe rrjedhimisht, kjo sjell edhe rritjen e çmimeve. Edhe në Vlorë, me përfundimin e punimeve dhe infrastrukturës, çmimet janë rritur – thotë Konomi.

Zonat më të pëlqyera

Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, blerësit familjarë zgjedhin zonën e Shqipërisë së Mesme për të qenë më afër aeroportit dhe qyteteve të mëdha. Ndërkohë, individët që investojnë në bregdet kanë nevojë edhe për infrastrukturë mbështetëse, si shërbim spitalor apo afërsinë me qytetet e mëdha. Qytetet bregdetare, me plazh ranor janë të preferuara nga familjet me fëmijë të vegjël. Blerësit e një moshe pak më të madhe (të cilët kanë fëmijë më të rritur) drejtohen në zona me bukuri natyrore dhe me plazhe më cilësore, si zona e Rivierës Shqiptare dhe sidomos qyteti i Sarandës.

Por, në Sarandë kërcejnë çmimet në 2019

Në disa prej ndërtimeve të reja, të cilat ndodhen në vijën e parë të bregdetit, çmimet shkojnë edhe 2000 deri në 3000 euro për metër në katror. Edhe pse në një numër të kufizuar, sipas Çumanit, këto lloj banesash, me përmirësimin e cilësisë, rritjen e taksave dhe kostove për ndërtuesit, gjithsesi nuk e justifikojnë çmimin.

“Nëse pak vite më parë mund të blije një apartament në Sarandë për 70 mijë euro, tani ka prenotime për prona që shkojnë nga 100 deri në 300 mijë euro”, – thotë Çumani për “Monitor”. Rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht për shkak të kërkesës, megjithatë ai shpreh rezerva për abuzim të pronarëve për çmimet deri diku të kripura.

Pronat që dalin me çmime relativisht të larta synojnë që të tërheqin klientë me të ardhura mbi mesatare. “Në pak vite, Saranda mund të shndërrohet si Monte Carlo, për sa u përket klientëve që mund të tërhiqen,- shton Çumani, i cili mbetet skeptik se si do t’i përgjigjet qyteti blerësve potencialë.

“Ne kemi probleme me infrastrukturën dhe nuk iu përgjigjemi me shërbime, pasi kjo kategori, përveç buxhetit, kanë edhe kërkesat e larta, ndaj mund të zhgënjehen në rast se nuk përmirësohet infrastruktura”,- shpjegon Çumani.
Një pjesë e pronave janë rinxjerrë në shitje nga të huajt dhe ky është një tregues i pakënaqësisë me qytetin. Saranda i vuan edhe sot pasojat e ndërtimeve jocilësore./Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY