‘Këto shoqatat e shumëpërfolura, pse nuk bëjnë zë?’, Aurela reagon ashpër pas...

‘Këto shoqatat e shumëpërfolura, pse nuk bëjnë zë?’, Aurela reagon ashpër pas ngjarjeve të fundit

103
0
Shares

Ngjarjet e fundit kanë tronditur opinionin publik dhe jo vetëm.  Dy skandalet e përdhunimit në Shqipëri dhe Kosovë kanë ndezur reagime të forta ku nuk kanë munguar as protestat dhe manifestimet.

Edhe përfaqësues të artit, nuk kanë preferuar të qëndrojnë në heshtje pas publikimit të ngjarjeve në fjalë. Ndër artistët që ka folur për këtë histori ka qenë edhe Aurela Gaçe, e cila në një status të gjatë të publikuar në ‘Facebook’ ka reaguar për këtë çështje.

Ja çfarë shkruan Aurela:

“Shoqata që mbrojnë të drejtat e gruas në këtë vend…apo të të miturve, a ka? Ka, sigurisht. Sepse shpesh na kërkojnë të jemi pjesë e koncerteve për të mbledhur fonde e unë sigurisht jam përgjigjur me prezencën time kudo ku më është kërkuar ndihma….por? Ku është zëri juaj? Ku është zëri jonë për t’u ardhur në ndihmë? Një e mitur, një vajzë, një grua, një nëne, një motër e dikujt vazhdon dhunohet….edhe përdhunohet .

Ku do të përplasen ato?

Ku gjejnë mbështetje?

Shoqëria jonë është e para që i masakron. Është e para me atë gjykimin e famshëm se “donte vetë”, e lëre pastaj kur i marrin edhe jetën të shkretës grua….arrijmë të nxjerrim nga goja jonë (se nga mendja jo e jo) –“hë se kushedi çfarë ka bërë, se u tall me ndjenjat a një psikopati, se kushedi ka dashuruar ndonjë tjetër”, etj, etj, etj, bla bla bla.

Jemi ne fajtorët e parë që nuk mbrojmë qoftë duke i dhënë krahë një të gruaje të ndahet sa më parë nga një burrë që e dhunon se ai nuk shërohet, se ajo pret kot që ai të ndërrojë sjellje se s’ka për të ndodhur. Jemi ne të parët që nuk i themi se ti mund t’ja dalësh edhe e vetme, se nuk ke nevojë të kesh në jetën tënde dikë që as e llogarit jetën tënde.

Jemi ne, familja, fisi, shoqëria që e bëjmë të besojë se ky ishte fati i saj e tani duhet ta pranojë, duke e paguar edhe me vdekje.

Jemi ne që fajësojmë “atë “, se ajo duhet të ketë faj, se ajo mund të ketë dashur vetë të dhunohet, mund të ketë provokuar vetë, se i kruhej vetë, se i vinte mirë…. më vjen të qaj, sidomos kur mësoj se këto mendime i ka një tjetër grua, një tjetër vajze.

Me siguri këto janë ato te ndershmet e lagjes që mbajnë kokën ulur e nuk janë pëlqyer kurrë me askënd, nga ato që s’kanë historitë e tyre, që nuk provokojnë me xhinse të ngushta e dekoltera ….me siguri këto janë ato që duhen pirë në kupë.

E si të flasin gratë e shkreta?

Kur vetë ne gratë, ne që supozohet të jemi qenia e brishtë që sjell në jetë një tjetër jetë?

Nëse i ndodh fëmijës tënd kjo gjë moj grua, nëse përdhunohet, nëse martohet e dhunohet, nëse bie në dashuri e pastaj masakrohet deri në vdekje nga ai që donte shumë, ti moj e dashur grua tjetër, si do ta mbrosh vajzën e motrën tënde?

Duke i treguar se “e ka kërkuar vetë”?

Tmerr.

Mendësinë s’kam forcë ta ndryshoj se atë e keni marrë padyshim në ambientin ku keni hedhur hapat e parë, e sigurisht ka rrënjë të thella….

Por të paktën këto shoqatat e shumëpërfolura, pse nuk bëjnë zë?

Nëse zëri juaj nuk dëgjohet, nëse zërin tuaj se dëgjoj, atëherë, ju lutem, mos i bini më telefonit tim për të mbledhur fonde në ndihmë të grave.

Sepse kështu dhunoni edhe besimin.

Pikë!

Jemi ne, familja, shoqëria, shteti, policia, shoqatat që duhet t’u japim forcë e besim vajzave se do të jenë të mbrojtura. Heshtja jonë u tregon atyre të mbajnë kokën ulur e të hidhen vetë në duart e vdekjes për të shpëtuar nga makthi. Heshtja jonë u thotë atyre se janë vetëm”,-ka shkruar Aurela.

Edhe njëherë tjetër, këngëtarja e njohur ka zgjedhur këtë formë për të ngritur zërin, kundër atyre që kanë dhunuar femra, me një qëllim të vetëm, transmetimin e një mesazhi pozitiv që mbase do ndryshojë diçka!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY