Fuga letër publike Nikollës pas largimit: Pushteti i gjatë budallalleps të shurdhon

Fuga letër publike Nikollës pas largimit: Pushteti i gjatë budallalleps të shurdhon

171
0
Shares

Nga Artan Fuga

Letër publike zonjës Lindita Nikolla me rastin e largimit të saj nga posti i ministrit të arsimit, rinisë dhe sporteve.

E nderuar zonja Lindita Nikolla,

e ndjeva për detyrë morale që me rastin e largimit tuaj nga posti i ministrit të arsimit, rinisë dhe sporteve t’ju drejtohem me një letër publike. Mund t’ju a kisha dërguar edhe në mënyrë personale, por gjykova se ndofta edhe publiku mund të kishte sadopak kuriozitet, sidomos studentët, për të ditur mendimin tim për këto ngjarjet e fundit dhe pastaj për atë që përbën edhe subjektin e kësaj letre.

Ndjehem i detyruar t’Ju shkruaj sepse sikurse e dini dhe e keni shprehur unë, midis kolegëve të tjerë që ndajmë të njejtat mendime për universitetet dhe arsimimin e rinisë shqiptare, për kulturën në përgjithësi, prej vitesh kam një qendrim kundërshtues parimisht ndaj situatës të arsimimit të rinisë studentore në vendin tonë. Situatë që nuk është as e sotmja, as e viteve që ju keni drejtuar atë dikaster, por që ka akumuluar në vite, në dekada, dhe poqese dikush e dëshiron t’ja them, edhe në të gjithë shekullin e XX për të mos shkuar më përpara.

Unë jam kategorikisht kundër mënyrës si drejtohet me agjenci pa kurrëfarë vlere sistemi arsimor universitar te ne, kam ndjerë absurditetin e menaxhimit të universiteteve me borde krejt të papërgjegjshme për shkak të statusit të tyre, kundër mënyrës si organizohet kërkimi shkencor në universitete dhe si jepen titujt shkencorë me një trafik të paparë moral dhe shkencor për të ardhur keq, jam krejtësisht kritik ndaj gjendjes ku janë katandisur profesorët shqiptarë, i hidhëruar për gjendjen e studentëve që i kemi lënë lakuriq në dije dhe në statusin social përpara dekadave që vijnë, i papajtueshëm me mënyrën sesi funksionojnë departamentet, fakultetet dhe universitetet shqiptare, i trishtuar për modelin e universiteteve publike shqiptare.

Kjo gjendje që më në fund dha një tronditje të fortë, falë studentëve tanë për të cilët them se kanë gjithnjë të drejtë dhe se në kërkesat e tyre kanë qenë modestë deri në madhështi, ajo kërkon një qilizëm të thellë, përndryshe gjithçka mbetet hipokrizi, dhe unë nuk jam gati ta ndaj këtë hipokrizi me askënd.

Por, le ta le këtë çështje.

Problemi është, dhe nuk mund të mos e them, si një kritik që shpesh, ndoshta për muaj e vite me radhë, nuk ju kam kursyer edhe juve, drejtpërdrejt apo tërthorazi, që nuk jeni ju shkaktari i kësaj gjendje.

Sigurisht ju keni përgjegjësinë tuaj, sepse keni qenë në krye të dikasterit të arsimit, mirëpo unë vazhdoj, si edhe miqtë e mi, të kem bindjen e papërkulur deri në fund, i gatshëm ta provoj kurdoherë, që është kuadri ligjor i arsimit të lartë, ligji famëkeq i arsimit të lartë, që ka bllokuar gjithçka dhe po e çon arsimin e lartë, kulturën dhe shkencën shqiptare, arsimimin e rinisë drejt kalbëzimit pasojat e të cilit tashmë shoqëria shqiptare do t’i paguajë për njëqind vjetët e ardhshëm.

Unë e di shumë mirë që ju personalisht nuk keni fajin aq më pak meritën për atë ligj.

Nëse heqja juaj lidhet me meritat për atë ligj, ose fajin për të, atëhere bashkë me heqjen tuaj do të duhej të abrogohej edhe ligji në fjalë, famëkeq dhe zullum-madh.Fakti që ju hiqeni dhe ligji mbetet, tregon se edhe kur ju atribuohet ai ligj,askush nuk e beson!

Dhe më e bukura është se edhe cikloni, pra revolta studentore, oh sa e ligjshme!, nuk u ngrit aspak rreth jush, tregon se mendja e studentëve është më e hapur sesa gjykimet politike. Askush nuk kërkoi dorëheqjen tuaj, aq më shumë që poqese i qendrojmë strikt llogarive, ju nuk keni në atë post as pesë vjetë.

Nuk jam duke thënë se koha për të ndryshuar ministrat nuk kishte ardhur. E di që edhe as ju nuk mendonit se do të ishit e përjetshme aty. Aq më shumë, ja u thotë këtë dikush si unë që prej kohësh besoj e militoj, që jo një ministër, por as një kryeministër, as vetë presidenti i republikës, të mos qendrojë më shumë se një mandat në postin e tij, edhe sikur më i suksesshmi të ishte.

Pushteti i gjatë budallalleps, verbon, shurdhon, dhe për më tepër lë edhe pa miq dhe shokë. Unë i përmbahem parimit që qytetari vjen në një post, kontribuon, ikën në punë të vet. Kur kushtetuta shqiptare e republikës të re, kurdo që të vijë, ta sanksionojë këtë, atëhere elitat shqiptare do të rifreskohen sepse kanë zënë ndryshk.

Unë kam qenë dhe jam pjesë e personelit universitar shqiptar dhe duke qenë qysh pas 15 minutave të para pas daljes të ligjit të arsimit të lartë i deklaruar në mediat televizive si i llahtarisur dhe i tronditur prej tij, di të them se ju kam parë në atë kohë që ju ishit nën presion të disafishtë.

E para, ishin “teoricienët” që hiqeshin se dinin gjithçka si organizohej arsimi i lartë dhe ju imponoheshin edhe si maçistë, por edhe si koka të mëdha duke qenë të papërballueshëm jo vetëm në cinizmin me ju, por edhe në agresivitetin me ne që hapur ju thoshim: ne nuk duam as poste as privilegje por ligji është një goditje e rëndë e arsimit të lartë që edhe kështu ka probleme të thella mbetur pa u zgjidhur. 
E dyta ishin superiorët tuaj politikë në qeveri, Kuvend, a parti, që sigurisht as bëhej fjalë t’ju linin ndonjë inciativë që të thoshit fjalën tuaj për atë që po gatitej. 
E treta ishin lobi financiare të arsimit të lartë përpara të cilave ju ishit fare e pamundur për t’u ndeshur, sepse ata kishin gjithçka dhe ju nuk kishit asgjë veç vetes tuaj. 
E më në fund ju ishit nën presionin e deputetëve të kuvendit të Shqipërisë që në atë mot një pjesë donin me ngulm atë ligj, kurse pjesa tjetër nuk donte ose nuk dinte si ta kundërshtonte sinqerisht politikisht.

Më besoni se këto që them nuk i kam të mbështetura thjesht në supozime.

Duke mos ju njohur e prita me skepticizëm emërimin tuaj në krye të dikasterit të arsimit. Pastaj, në periudhën e hartimit, hyrjes në fuqi dhe pastaj hapave të para të zbatimit të tij furia e kritikës dhe e pasionit kundërshtues ndaj jush personalisht ka qenë e fortë dhe e pandërprerë nga ana ime. Por gradualisht, në kontaktet dhe dialogun që u vendos, pa rreshtur kritikat, kuptova se përballë nuk kisha sigurisht një shkencëtare a doktore, larg prej jush ky pretendim, por një politikane të pjekur, një grua të matur, që dëgjonte me kujdes, që përpiqej të krijonte mesa mundej një hapësirë ku të gjithë aktorët e hapësirës të arsimit të lartë të luanin dhe përplaseshin lirisht. Duam apo nuk duam ne, duam apo sa duam që të fitojnë idetë tona, ose të mundim ato të kundërshtarëve tanë, kjo është demokracia. Dhe këtë hapësirë të lirë ju deshët ta krijoni dhe sa kishit mundësi nuk e penguat.

Në debatet tona nuk ka ndodhur asnjëherë që ju të keni imponuar mendimin tuaj për çështje përmbajtësore të shkencës dhe arsimit. Disa hipokritë, nga ata që tani heshtin, nuk kanë guxim të thonë më : këtë ligj të arsimit të lartë e kam bërë edhe unë!, nga ata që tani besoj që as nuk do t’ju urojnë edhe vitin e ri 2019, këta individë pra modestinë tuaj e kanë marrë për dobësi. Kurse unë e kam quajtur meritën tuaj kryesore. Detyra e administratorit dhe e politikanit nuk është ajo që të japi vetë zgjidhjet për teknikën, shkencën, arsimin. Kthimi i politikanit në ekspert, ose i administratorit, ministër, zëvendësiministër, drejtor drejtorie në burrin ose gruan më të mençur të fushës që mbulon e bën atë politikan ose administrator jo vetëm qesharak, por edhe shumë të rrezikshëm.

As unë edhe asnjë nga miqtë e mi të Forumit për Liritë Universitare nuk ndjenë as më të voglin presion ose hakmarrje nga ju në profesion tonë, aq më pak Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë i Universitetit të Tiranës ku punon një pjesë jo e vogël jona. Do të thotë dikush: Detyrën ka bërë që nuk është treguar hakmarrëse! E nuk është fare kështu. Shoqëria jonë është e mbushur me hakmarrës dhe hakmarrëse që veç të tjerave sapo hypin në ndonjë post, sado edhe modest, godasin pa mëshirë fillimisht miqtë dhe mikeshat e tyre, pastaj nuk lënë kurrë kusur pa goditur ata që kanë mendime të ndryshme prej tyre. Me kundërshtarë kaq kritikë si ne, si unë, flas personalisht, do të imagjinoja dikë tjetër, burrë a grua, që do të na kishte hedhur llava ari të shkrirë në zjarr mbi kokë.

Ju, ligjin dhe pasojat shkatërruese të tij, unë mendoj se dora dorës i testuat dhe brenda jush kam dyshimin e ligjshëm që kishit nisur që mjaft gjëra t’i shihnit me dyshim ose skepticizëm. Kam thënë me vete: Pse nuk jep dorëheqjen kjo grua? Këtë pyetje kur lexon këto rradhë e bën edhe ndonjë tip që hiqet më katolik se Papa. Një ditë i bëra vetes pyetjen: Po a është përvojë në Shqipëri që një ministër, burrë, lëre pastaj grua, të japi dorëheqjen? A është mësuar shoqëria jonë me këtë kulturë? A nuk do ta linçojë partia e vet, a nuk do të quhet jo e besës?

Dhe për më tepër me atë dikaster që kanë strukturuar, që duhet të mendojë që nga çerdhet e kopshtet, ngritja e peshës, boksi, gjimnazet, kërkimi shkencor, arsimi i lartë, etj, nuk mjafton jo vetëm të jesh e Besës për t’a drejtuar, por nuk mjafton të jesh as Anjshtajni. Duhet të jesh Anjshtajni, Nënë Tereza, Mari Kyri e nuk e di kush tjetër, Ymer Pampur, Loro Boriç, Asllan Rusi, a nuk e di kush tjetër!!! Qeverisja e vogël që kanë rënë pre socialistët ndaj një liberalizmi të keqkuptuar ka sjellë që dikasteret tona të jenë kështjella padijeje dhe administrimi me borde e agjenci gjoja të pavarura e ka çuar ekzekutivin që të detyrohet të kërkojë të administrohet me platforma të centralizuara ku qytetari të shkruajë vërejtjet e tij. Dhe pastaj na del që studentët pa shkruar asgjë në platformë, plasën revoltat në rrugë.

Të thuash se nuk mjafton heqja e njerëzve për të ndryshuar një situatë dhe modernizuar arsmimin dhe shkencën, – kjo është e drejtë. E drejtë, por jo e mjaftueshme. Të thuash se duhet ndryshuar, duke e abroguar ligjin e arsimit të lartë, – edhe kjo është e drejtë por jo e mjaftueshme. Të thuash që duhet ndryshuar politika për arsimin dhe kërkimin shkencor, – shumë e drejtë por edhe kjo nuk mjafton. Politika deri këtu shkon. Edhe kritikët më të fortë politikë tuajët, nuk shkojnë më larg.

Kurse unë si universitar, brenda një kuadri miqsh, kolegësh, që besomëni nuk jemi edhe aq pak, as dembelë, as që përtojmë të marrim përgjegjësi, mendoj që prandaj politika ka nevojë të hapet, të bëhet më modeste, të kuptojë që politika nuk e drejton dot e vetme as arsimin as kërkimin shkencor në strategjitë që këto fusha duhet të kenë.

Unë jam i mendimit që edhe më budallai ndër shqiptarët sot e kupton që shkaku i gjithë katrahurës në arsimin e lartë dhe në kërkimin shkencor është kuadri rregullues arkaik dhe i poshtër, hipokrit, i ligjit për arsimin e lartë. Edhe studenti më i dobët e di këtë. Por, që ta dijë politika nuk është e lehtë. Sepse unë e di që abrogimi i ligjit dhe hyrja në procedurat për një ligj të ri për arsimin e lartë do të shënonte fundin e këtij parlamenti dhe strukturës të sotme të raportit të forcave politike në Shqipëri.

Por, nuk mjafton ndryshimi i ligjit. Ose më mirë një ligj i mirë, nuk mund të bëhet pa një model të ri të universiteteve shqiptare, publike, por jo vetëm, edhe pa një model i ri i universiteteve private.Por, këtë nuk e mendon dot politika. Politika edhe po e mendoi do ta mendojë gabim. Mirëpo një model i ri i universiteteve publike dhe private bie në kundërshtim me interesat e ngushta dhe të vogla të lobive të caktuara brenda-universitare që janë mësuar të jenë dembelë, parazitë, vjedhës idesh, plagjiatë, si edhe të mësuar me parà dhe me pushtet. Do të ishte një gabim i rëndë që t’ju mendoja ju një Zhan D’Ark që të luftonte e vetme për t’i përballur këto lobi që e kanë burimin e forcës pikërisht në politikë. Me ta, dikush që nuk ka veçse veten, cfarëdo posti që të mbajë përkohësisht, më mirë është të bëjë aleancë sesa luftë, më mirë paqe sesa sherr, më mirë “po” sesa “jo”. Nëse miq e armiq tuajët në politikë kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë kështu duke qenë në politikë, a nuk është pak si e tepërt që frytet e aleancave t’i marrin vetë, kurse pasojat dhe harxhet e luftës t’ua ngarkojnë juve? Unë ju kam gjetur grua të zgjuar në rastet kur kemi qenë në debate publike, kot e kanë pasur ose e kanë t’ju marrin si të pamënçur duke ju futur në shtigje që ju si politikane me përvojë dini mirë, besoj t’i nuhasni!

Por, edhe të ndryshosh modelin e universiteteve shqiptare, është mirë, por nuk mjafton përsëri. Sepse duhet të dish se në çfarë gjendje është shkenca dhe kërkimi shkencor sot në shoqëritë bashkëkohore dhe si iu përgjigjen këtyre strategjitë politikat e përparuara. Mbi të gjitha duhet të njohësh në majë të gishtave sociologjinë e shkencës dhe të arsimit, epistemologjinë e shkencës, logjikën e saj post-aristoteliane, të njohësh metodologjitë e reja të kërkimit shkencor. Këtë askush nga politikanët, të gjithë politikanët e mbledhur bashkë, nuk mund ta mendojnë.

Ose politikan dhe injorant i ligjshëm në këtë fushë, ose shkencëtar i përkushtuar, dhe injorant në politikën e madhe elektorale.

Prandaj politikat e shkencës dhe arsimit të lartë nuk mund të bëhen nga politikanët masivë dhe servilët e tyre. Apo nga delirantët që njëkohësisht kujtojnë se mund të jenë po aq shkencëtarë të mëdhenj sa edhe politikanë dhe administratorë të mëdhenj. Koha e këtyre qënieve ka kaluar që me Konfucin, Sokratin, Platonin a ndonjë tjetër.

Mirëpo edhe kaq nuk mjafton. Sepse duhet ditur edhe për çfarë arsimi dhe shkence ka nevojë Shqipëria ku ekonomia e kohëve primitive nuk e thërret dijen, kurse nevojat e demokracisë duan qytetar të dijshëm. Kjo çarje midis mosdijes dhe dijes po e bën arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare të llapaçitet në kaos dhe banalitet shkencor dhe kulturor. Cfarë vendi do të zerë kultura, dija, shkenca në Shqipëri në një botë të hapur planetare shumë të zhvilluar?

Ka ndonjë nga kritikët tuaj “të mënçur” në politikë a në media, në grupin tuaj parlamentar, në opozitë, a në gjysëm pushtet-gjysëm opozitë, që është në gjendje të na tregojë rezultatet e ndonjë studimi që ka bërë në këtë fushë?

Prandaj, duke qenë kundërshtar i politikave që ju keni zbatuar, dhe i keni zbatuar përpikmërisht, mua më ngjethet mishi kur dëgjoj politikanë a gazetarë, që ju kërkojnë juve të bëni atë që mund t’a bëjë vetëm një sistem që në kibernetikën e tij di të mendojë në këto fusha që përmenda.

E vërteta duhet thënë edhe tani që “beteja” mes nesh ka përfunduar. Ju keni ikur duke e lënë ligjin për arsimin e lartë të bëjë rrugën e vet, ne kemi mbetur duke e mbajtur po atë ligj mbi kurriz si baulle e mbushur me baltë dhe me gurë.

Madje keni për të parë që edhe ata që krenoheshin se ligjin po e bëjnë ata, dhe ajo L.N., tani do t’ju a japin juve krejt meritën e bërjes të të gjitha neneve të ligjit dhe vetë do të shfaqen si kundërshtarë të tij. Të paepur. Kështu do të bëjë edhe vetë Qenan K. si personifikimi i të gjithë kësaj rrace intelektualucësh pa tru dhe pa zemër. Por, me ambicje dhe neps të paparë.

Unë ju kam parë sidomos vitin e fundit që keni qenë më përpara sesa politikat që zbatonte dikasteri juaj. Na pritët njerëzishëm në zyrën tuaj kur erdhëm si përfaqësues të Forumit të Lirive Universitare. Jo vetëm pranuat diagnozën tonë dhe konstatimet tona për gjendjen në universitete, por edhe na deklaruatr, jemi dëshmitarë, se në ligj mund të bëhen amendime, se ishit gati t’i tërhiqnit përfaqësuesit tuaj në bordet administrative të universiteteve dhe deklarime të tjera që as më shkonte mendja se do t’i dëgjoja nga ju.

Sigurisht nuk i bëtë, por as mendohej se mund t’i bënit vetëm ju me kokën tuaj. Do t’ju kishin përjashtuar nga partia, shkarkuar si ministre, dhe revokuar si deputete. Sigurisht nuk do të kishit pësuar vetëm fatin e të ndjerit dhe të nderuaritr z. Thoma Deliana për t’ju internuar në Tepelenë a çuar si bari delesh diku nga ajo zonë!!!

Unë ju falenderoj sepse patët guximin që përpara dy a tre muajsh të kthenit mbrapsht projekt-statutin që ju dërgoi për aprovim senati i Universitetit të Tiranës. Gjetët atje mbi 20 nene që i konsideruat shkelje ligjore. Sipas meje, ju kishit të drejtë dhe morët kurajon dhe çmimin që ta paguanit mbrojtjen që i bëtë ligjit, me mllefe dhe presione që ju i dini mirë, por nuk i thatë kurrë!

Unë në dallim nga miq të mitë nuk ju vë faj që përpara disa ditësh, në kulmin e revoltave studentore, të njejtin statut, të dërguar nga senati i Universitetit të Tiranës, tani e firmosët dhe e pranuat pa një pa dy. Ai edhe tani është plot shkelje ligjore, por mbi të gjitha nuk evokon të drejta për pedagogët dhe studentët dhe e zhyt universitetin e Tiranës në një kaos tërësor. Unë i bëj thirrje politikës dhe qeverisë të vejë dorë sepse poqese ky kuadër statutor do të mbetet në fuqi, siç ka ardhur i aprovuar nga ju, atëhere ne do të shohim jo thjesht revolta studentore, por lemerira burokratike.

Por, aty ju nuk ishit më Lindita Nikolla – ministre. Dukej qartë se ju ishit heqaur. Ndofta një lëvizje që duhej. Nuk jam unë që e di këtë.

Unë ju falenderoj sepse me të parë sinjalin nga shefi juaj në qeveri që platforma ime për rithemelimin si reformim të Akademisë të Shkencave të mos hidhej në kosh si e kishte hedhur drejtuesi i saj dhe i grupit të punës i ministrisë tuaj, ju menjëherë ditët të merrnit kthesën dhe të përballonit presione që vinin nga burra të veshur me autoritete shkencëtarësh. Ditët të pranonit që ajo Akademi Shkencash nuk mund të rinovohet me projekte që nuk të cojnë askund. Dhe në këtë kuadër ju ditët të ngriheni mbi sedrën tuaj dhe mbi çdo lloj insistimi për të mbrojtur një dokument që nuk mund veçse të hidhet në kosh si i pavlefshëm, si senil, dhe i mbështetur në trafiqe interesash të vogla meskine, ndonëse ai mbante logon e dikasterit tuaj.

Unë besoj se debatet tona janë në ide, dhe jo beteja personash!

Kjo është demokracia!

Unë uroj që asnjë post i rregulluar nga kushtetuta ose i një agjencie që rregullohet prej kushtetutës të mos mbahet nga askush më shumë se një mandat!

Unë kërkoj ndjesë kur ndonjëherë e kam tepëruar me ironi!

Unë ju uroj suksese në vitin 2019 në familje, në veprimtaritë tuaja politike e kudo!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY